Rrebelohen kryepleqtë: Kemi 18 muaj pa marrë rrogën
Kanë vula zyrtare, mbajnë përgjegjësi deri me burg, por nuk paguhen! Kryetarët e 63 fshatrave të bashkisë së Lezhës thonë se nuk paguhen për detyrën prej 18 muajsh. “Ka 18 muaj që nuk e kemi marrë shpërblimin që na takon. Për 3 rrënjë drogë që mund të hedhë një fshatar, ne hymë në burg, ndërsa shpërblimin nuk e marrim. Çfarë autoriteti kemi para fshatarëve tonë që thonë: Ju s’jeni të zotë të merrni paratë tuaja, si na zgjidhni hallet ne? Kur shteti më kërkon si kryetar fshati burg, unë dua shpërblimin që më takon”, shprehen ata. Në këto kushte, kryepleqtë e fshatrave të Lezhës kërcënojnë se do të bllokojnë Bashkinë nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje. “Në bazë të atyre, ne do bëhemi bashkë dhe votën që ia kemi dhënë atij për të na drejtuar, ndoshta kemi të drejtë sa për ta bllokuar nja një javë.
Ne nuk jemi më partiakë siç mendojnë këta, ta marrë vesh edhe Frani. Që edhe Frani nuk do të jetë partiak në qoftë se atë e ka zgjedhur populli. Sikur jam unë i katundit, duhet të jetë edhe ai”, skatësojnë ata.
Bashkia e Lezhës argumenton mospagesën e kryepleqve me faktin se disa prej tyre janë në procese gjyqësore, pasi janë paditur nga paraardhësit e tyre. Por qëndrimi i Bashkisë hidhen poshtë nga kryetaret e fshatrave të cilët thonë se gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, duke i legjitimuar prej gati një viti.