Ambasadori italian: S’ka ende negociata për pensionet
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo në një intervistë dhënë në emisionin “Passport”, të gazetarit Arbër Hitaj flet për raportet ekonomike mes 2 vendeve dhe hapjen e negociatave me BE. Cutillo thotë se Italia është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë me 600 biznese italiane të pranishme, por që në të ardhmen do të bëhet më shumë për afrimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha.
“Mirëmbrëma, para së gjithash urime për programin tuaj të ri “Passport”. Është kënaqësi për mua të jem i ftuari i parë i emisionit tuaj. Përsa i përket pyetjes, do të thotë se raportet italo-shqiptare janë me të vërtetë të shkëlqyera. Unë pata privilegjin që të jem i pranishëm në takimet e presidentin Ilir Meta me Presidentin italian Mattarela 1 muaj më pare, dhe pak ditë më parë në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryeministrin Gentiloni.
Mund të them se kanë qenë takime shumë të pasura, mes personash, mes institucionesh që njihen, që respektohen, që kanë një miqësi që shkon përtej 2 personave dhe lidhet me 2 popujt tanë. Ajo që vura re në këto takime, ishte vullneti për ti dhënë një impuls të ri këtij raporti të shkëlqyer. Njohja e miqësisë së veçantë që populli shqiptar ka për në italianët, që duket edhe në aspektin kulturor me njohjen e gjuhës italiane nga shqiptarët. Dhe sa i përket aspektit kulturor, edhe zoti Rama është shumë i angazhuar.
Një impuls i ri do të thotë që ajo që bëjmë është shumë, që na vendos në një pozitë krenarie reciproke, por mund të bëhen akoma më shumë. 2 kryeministrat diskutuan në aspektin ekonomik, politik, në atë të drejtësisë dhe sigurisë. Ata evidentuan aksione të reja të mundshme në këto aspekte. Në aspektin ekonomik, tashmë dihet që Italia është partneri kryesor me një rol fondamental për ekonominë shqiptare. Edhe për Italinë, Shqipëria është një partner i rëndësishëm. Shkëmbimet tregtare që dua të theksoj i kalojnë shifrat e 2,3 mld euro. Apo absorbimi i rreth 70 % të eksporteve shqiptare nga Italia, ndërsa më partnerët e 2, 3, 4, shkëmbimet nuk shkojnë më shumë se 5 %, tregojnë shumë për raportet ekonomike.
Sa i përket pranisë së bizneseve italiane, kryeministri Gentiloni evidentoi se ka një prani të madhe të sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla, për të cilët jemi shumë krenar, sidomos në manifakturë duke krijuar vende pune për disa qindra mijëra vetë. Por që mund të zgjerohen më tej, me një prani më të madhe të sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha. Ky ishte një nga angazhimet kryesor që u zotuan 2 kryeministrat, duke rënë dakord për një vizitë ose mision nga përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve, e drejtuar nga vullneti politik në veçanti për afrimin e biznesit. Ky takim do të zhvillohet në vitin 2018, dhe janë evidentuar disa sektorë të veçantë, si në infrastrukturë, energji, agro-ushqimor. Kemi filluar punën si në Romë dhe në Tiranë, për organizimin e një takimi të madh, pasi jemi të bindur se do të jetë baza për t’i dhënë vendeve tona një impuls të ri zhvillimi”.
Në lidhje me hapjen e negociatave në 2018 me Bashkimin Europian, ambasadori Cutillo argumenton se gjithçka janë disa faktorë që do e bëjnë të mundur, së pari është fillimi i procesit të “vetting”-ut dhe lufta kundër krimit të organizuar.
“Për Italinë shanset janë të mëdha. Por theksoj janë disa faktorë , i pari lidhet me qëndrimet e gjithë vendeve anëtare, pasi kujtojmë që vendimi duhet të merret me unanimitet. Të gjithë duhet të jenë të bindur se Shqipëria ka përmbushur ato kritere që i kërkoheshin. E dyta Shqipëria duhet të bëjë progres të dukshëm, së pari për “vetting-un”, dhe e dyta lidhet me atë që flitet në disa kryeqytete europiane, ka një shqetësim në rritje që lidhet me rritjen e aktivitetit kriminal shqiptar. Pra është e rëndësishme që qeveria shqiptare të vazhdojë të tregojë angazhimin dhe vullnetin e saj, siç e ka bërë edhe në muajt e fundit, për të luftuar aktivitetet kriminale, por e përsëris të kemi rezultate konkrete nga kjo periudhë deri në mars. E përsëris janë objektiva ambicioze por të arritshme”.
Ambasadori Cutillo, ndalet edhe te diskutimet për njohjen e pensioneve, duke thënë se deri tani nuk ka diçka konkrete, por nëse pala shqiptare do e kërkojë zyrtarisht mund të ngrihet në grup në nivel teknikësh për të diskutuar.
“Siç thoni dhe ju me të drejtë, është folur shumë në lidhje me këtë çështje, por për ta saktësuar aktualisht nuk ka negociata. Ka pasur kontakte si në nivel teknik dhe politik, por asnjëherë nuk janë hapur formalisht negociatat. Tema është trajtuar edhe nga ana presidentit Ilir Meta në vizitën e tij të fundit.
Nga pala italiane ka gatishmëri nëse do të ketë një kërkesë zyrtare nga pala shqiptare për të diskutuar në një tavolinë teknike. Por duhet të kemi parasysh disa faktorë që të jemi realist. Së pari Italia, ka disa kufizime në bilancin ekonomik që vijnë edhe nga Bashkimi Europian, që do të thotë se s’mund të ndërmerren impenjime të tjera, pa një mbulim financiar adekuat.
Kjo s’do të thotë se nuk mund të parashikohen shpenzime të tjera, por jemi përballë këtij kuadri shumë preciz të financave publike. Së dyti, ekzistojnë disa ligje italiane që sipas meje, nuk janë vlerësuar si duhet, dhe besoj se një tavolinë teknike mund ta diskutoj. Për mendimin tim mund të mbulohen disa kërkesa që na janë bërë në të kaluarën. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme, të ulemi dhe diskutojmë kushtet aktuale dhe nëse është hapësira për një marrëveshje bilaterale”./ Burimi: SCAN