Rama nxjerr edhe Ulqinin të lexojë deklaratën për dekriminalizimin
Në Partinë Socialiste i erdhi radha Musa Ulqinit të lexojë një deklaratë për ligjin për dekriminalizimin. Prej disa ditësh deputetë e përfaqësues të tjerë të PS dalin në foltoren e Selisë Rozë për t’i kërkuar opozitës se ku janë 19 deputetët e inkriminuar në radhët e mazhorancës. Pas Alfred Pezës, Elisa Spiropalit dhe Olta Xhaçkës, formularët e plotësuar nga deputetët e PD, Arben Ristani, Flamur Noka apo Alban Zeneli janë përmendur edhe nga deputeti i Elbasanit, i cili edhe pse deputet dhe politikan i sprovuar, duket mjaft i tërhequr nga debatet e ndezura të politikës.
“PS dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin”, tha Ulqini, duke lexuar thuasje të njëjtën deklaratë si kolegët e tij.
Angazhimi i deputetit të Elbasanit, Musa Ulqini, vjen pasi PD reagoi ashpër ndaj Pezës, Spiropalit dhe Xhakçës.
“Pas Fred Kobures së Partisë, dhe Elisës së Traut të Ngritur, radha për të bërë gargarë me jargët e shefit i erdhi Oltës, nuses së Partisë”, shkruhej në reagimin e djeshëm të PD. Pritet që në këtë linjë opozita të reagojë edhe për deklaratën e Musa Ulqinit.