Albspirit

Media/News/Publishing

Kush janë 30 zyrtarët e lartë të policisë që pritet të arrestohen

Drejtues apo efektive të policisë shqiptare, që kanë mbështetur dhe favorizuar grupin e Habilajve për trafikun e drogës, po hetohen dhe ndër ta mund të ketë edhe arrestime.

Burimet e ABC Neës bënë të ditur gjithashtu se për familjen Habilaj në Vlorë dhe të afërmit e tyre ka nisur hetimi pasuror mbi bazën e ligjit Antimafia.

Rreth 30 persona, punonjës në policinë e shtetit, për të cilët ka të dhëna se kanë bashkëpunuar me grupin kriminal të Habilajve në trafikun e drogës, apo që kanë favorizuar këtë grup janë pjesë e hetimit për këtë çështje nga Autoritetet shqiptare. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Abc Neës, sipas të cilave shumë shpejt mund të ketë edhe arrestime. Mësohet se këta emra janë evidentuar nga autoritetet italiane të hetimit dhe i janë përcjellë palës shqiptare. Burimet saktësojnë se mes këtyre emrave ka drejtues të lartë në policinë e Vlorës, atë të Fierit, të Delta Force dhe të policisë kufitare në Portin e Vlorës. Bëhet fjalë për persona që kanë drejtuar në këto sektorë që nga viti 2013 dhe deri pak ditë më parë kur autoritetet  italiane mbyllën hetimet paraprake për grupin e drejtuar nga Moisi Habilaj, kryen arrestimet.

Përgjimi i Moisi Habilaj dhe pjesës tjetër të grupit, të arrestuar pak ditë më parë me urdhër  të prokurorisë së Katanias, kishte nisur paralelisht në të dy shtetet, Italian dhe atë shqiptar,  por në të dy rastet nga pala italiane.

Një pjesë e këtyre përgjimeve të cilat ndodhen në dosjen voluminoze  prej 416 faqesh të hetimit nga autoritete italiane,  ishin realizuar edhe në qytetin e Vlorës. ABC Neës ka mësuar se pala Italiane ka qenë totalisht kundër që survejimet, përgjimet dhe filmimet t’i kryenin homologët e tyre shqiptarë. Ky vendim ishte marrë pasi, autoritetet përtej Adriatikut I frikësoheshin një dekonspirimi të mundshëm që mund të bënin drejtues të caktuar të policisë së shtetit. Rasti konkret lidhet me Moisi Habilaj ku në përgjimet e bisedave te tij me Sabaudin Çelaj përmend edhe Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, si i afërm i Habilajve.

Burime nga grupi hetimor saktësojnë se autoritetet italiane kane përgjuar për më shumë se një vit në territorin shqiptar, ku kishin dërguar oficerë të Interforcës. Sipas dosjes që përmban dhe këto përgjime në 14 tetor të 2013, Moisi Habilaj ishte përgjuar në afërsi të banesës së tij në qytetin bregdetar. Moisiu flet me zë të ulët me një shtetase me emrin Romina dhe biseda ishte regjistruar gjatë kohës kur ata po bënin xhiro afër spitalit ë qytetit të Vlorës.

Ndërsa një tjetër përgjim ishte kryer një ditë më vonë ndërmjet Maridian Sulaj dhe Sabaudin Çelaj. Ata flasin me mesazhe ndërmjet tyre, teksa përgjimet janë kryer përsëri në territorin shqiptar.

ABC Neës ka mësuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj vëllezërve Habilaj në Vlorë dhe rrethit të tyre familjar, në bazë të ligjit Antimafia. Po sipas këtyre burimeve, hetimi pasuror nisi pas arrestimit në Itali të Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në trafikun e drogës.

Moisi Habilaj në bisedat e përgjuara me anëtarët e tjerë të trafikut, thotë se Tahiri i mbështet dhe se i detyrohet një shumë të konsiderueshme parash. Aty përfshihen edhe zyrtarë të lartë të policisë së shtetit, që sipas Habilajt arrijnë derisa i ndihmojnë trafikantët të ngarkojnë drogën.

Në Itali u arrestuan 7 persona bashkë me Moisi Habilajn, ndërsa për 4 shqiptarë të tjerë janë lëshuar urdhër arreste. Vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura duke i quajtur “mburrje” mes kriminelëve përmendjen e emrit të tij.

Please follow and like us: