Halimi: Ruçi të vendosë sa më parë për Tahirin
Deputeti demokrat Eduard Halimi në një dalje për mediat ripërsëriti kërkesën ndaj kreut të Parlamentit Gramoz Ruçi për të mbledhur Këshillin e Mandateve që t’i hapet rrugë arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahiri. Halimi i kërkoi edhe kryeministrit Rama që të largohet në mënyrë që drejtësia të mos ndikohet.
“Nuk ka akoma asnjë njoftim për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për t’i hequr imunitetin dhe për të pranuar kërkesën e Prokurorisë, për arrestimin e Saimir Tahirit. Komunikova në telefon pak më parë me Gramoz Ruçin dhe më tha nuk kam ardhur në zyrë dhe nuk kam marrë akoma letrat që ka kërkuar Prokuroria për arrestimin e Tahirit.
Çdo minutë që kalon është kundër drejtësisë, është kundër njerëzve. I bëj edhe një herë thirrje Ruçit të mbledhë Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. I bëj thirrje Edi Ramës që nëse e do drejtësinë, atëherë të mos vonojë asnjë minutë drejtësinë për të arrestuar Saimir Tahirin”, u shpreh Halimi.