Athina dhe Shkupi përjashtojnë referendumin për emrin
Gjetja e një zgjidhje për emrin e Maqedonisë nuk do të shtrohet për miratim në referendum. Si Athina dhe Shkupi duket se kanë rënë dakord të gjejnë një emërues politik bazuar në propozimet e negociatorit të OKB-së, Methju Nimiç me pëlqimin e palëve për variantet që janë në tavolinë.
Zv/kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani (përfaqësues i BDI-së) i cili këtë të martë viziton Athinën deklaroi se mbajtja e një referendumi të mundshëm në Maqedoni mund të ngarkonte procesin dhe të vështirësonte gjetjen e një zgjidhje.
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias vuri në dukje në një intervistë të hënën në ANT1, se nuk ka asnjë arsye për të shkuar në një referendum për çështjen e emrit, duke siguruar se “do të ketë një zgjidhje dhe ajo do të jetë e mirë”.
Kreu i diplomacisë greke foli edhe një herë për një emër të përbërë me një përdorim të vetëm për Maqedoninë, duke theksuar se “fqinjët tanë e dinë se ata nuk mund të bashkohen me organizatat ndërkombëtare, si NATO, pa gjetur një zgjidhje”.