Ceremonia e certifikimit të 100 studentëve, projekti “People First”
The HeadHunter, Grupi më i madh në fushën e burimeve njerëzore në Ballkanin Perëndimor, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasada e Suedisë në Shqipëri, ju ftojnë të merrni pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet për shpërndarjen e certifikatave për 100 studentët më të mirë, të cilët përfunduan Akademinë e Turizmit të projektit “People First”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Shkëlqesia e tij, Z. Donald Lu dhe Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, Z. Johan Ndisi, mbështesin dhe do të jenë pjesëmarrës në këtë eveniment sëbashku me, përfaqësues të autoriteteve të larta Shtetërore si Zj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Z. Artur Micko, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dhe autoriteteve Ndërkombëtare.
Projekti “People First – Rritja e Turizmit përmes Burimeve Njerëzore të Kualifikuara” është një qasje e fokusuar në rritjen e kualifikimit të burimeve njerëzore, për të stimuluar rritjen e punësimit në sektorin Shqiptar të Turizmit. The Headhunter është një kompani private e cila ndihmon në ndërlidhjen e Shqiptarëve me punët e turizmit nëpërmjet trajnimit, këshillimit të karrierës dhe punësimit të të rinjve.
Projekti ka krijuar partneritete ndërmjet studentëve-punonjës potencialë, Drejtorive Rajonale të Formimit Profesional dhe bizneseve të Hoteleri-Turizmit, pra ka krijuar shtigjet për punonjësit e ardhshëm – në mënyrë të veçantë për të rinjtë dhe gratë – që të marrin njohuri dhe të hyjnë mes forcave të punës, Projekti është i përqëndruar në pesë vendndodhje turistike në Shqipëri: Në Tiranë, në Rivierën Jugore, në korridorin Durrës-Kavajë, në Shkodër-Alpet shqiptare dhe në Qarkun e Korçës, duke përfshirë Liqenin e Ohrit, Pogradecin dhe Voskopojën.
Gjithashtu, The Headhunter ka çelur “Akademinë e Turizmit” në “HH Boutique” Hotel, i ndodhur në pikën turistike të Dhërmiut, për t’i shërbyer qëllimit të Projektit. “HH Boutique” Hotel operon si një biznes i mirëfilltë hotelerie dhe restoranti, por stafi është i përbërë nga kursantët e rinj që kryejnë aty praktikën mësimore.
Rreth 2,000 të rinj do të trajnohen, kryejnë praktika mësimore dhe punësohen në profesione të ndryshme, pranë bizneseve të Hoteleri – Turizmit në Shqipëri, përgjatë periudhës 2-vjeçare të zbatimit të Projektit.
Ceremonia do të zhvillohet në datën 6 Shkurt, 2018, në orën 14:00, në Hotel “Tirana International”, Salla “Consortium”. Të gjitha mediat në vend janë të ftuara të marrin pjesë në këtë aktivitet.