Albspirit

Media/News/Publishing

Meodelet me ngjyre protestojne kunder stilisteve

 

Modelet braziliane me ngjyrë kanë manifestuar kundër stilistit Ronaldo Fraga, i akuzuar për racizëm, pas Javës së Modës që u mbajt në San Paolo. Ai kishte lejuar që modelet e tij (të gjitha të bardha) të mbanin mbi kokë pëlhura me fije metalike në vend të parukeve. “Krehja e realizuar nga stiluesi i flokëve, Markos Kosta, duhej të ishte një homazh për kulturën e zezë”, u mbrojt Fraga.

Shumë vite më parë, kur nuk kishin dalë ende në qarkullim televizionet HD dhe plazma, në Brazil (si dhe në Shqipëri) ishte zakon që antenave u vendoseshin tela çeliku për të forcuar sinjalin e televizorit. Një ritual shumë i zakonshëm ky, mbi të gjitha, gjatë ndeshjeve kombëtare të futbollit. Markos Kosta thotë se “pamja e modeleve ishte një mënyrë për të shpalosur bukurinë e flokëve të zinj dhe të ashpër dhe për të eliminuar paragjykime të modës braziliane”.

Por, zgjedhja e stilistit ka ngritur sërish debatin mbi racizmin në modën braziliane. Katër vjet më parë, në përfundim të Javës së Modës në San Paolo, disa shoqata u hodhën në mbrojtje të të drejtave të afro-brazilianeve duke vënë në dukje numrin e vogël të modeleve të zeza në pasarelë. Në 344 të pranishme, vetëm 8 prej tyre nuk ishin të bardha.

Për të sheshuar polemikat, Ministria e Punëve Publike dhe kompania që organizon javën e modës në Brazil, “Luminosidade”, në bashkëpunim me markat më prestigjoze arritën në marrëveshjen që të paktën 10% e modeleve të ishin me origjinë afrikane dhe indigjiene. Dhe kjo nuk ishte e mjaftueshme, duke konsideruar se Brazili është vendi i dytë në botë me numrin më të madh të popullsisë me ngjyrë, fakt që nuk është respektuar kurrë.

Sot, as kjo marrëveshje nuk është më në fuqi, gjë që u vërtetua pas përfundimit të “San Paolo Fashion Week 2013”. Aktivistë nga “Educafro”, një shoqatë që lufton për angazhimin e popullsisë së zezë dhe indigjene në shoqërinë braziliane, thonë se modelet braziliane me ngjyrë e kanë më të lehtë të spikasin jashtë vendlindjes së tyre.

Një rast i tillë është ai i Greisi Karvalhos, një nga modelet braziliane me ngjyrë më të vlerësuara në të gjithë botën, por që në atdheun e saj ka hasur në vështirësi të shumta. Ashtu si ajo edhe Emanuela de Paula, një nga “ëngjëjt e zinj” të “Victoria’s Secret” e ka pasur të pamundur arritjen e suksesit në nivel kombëtar, por e ka gjetur në atë ndërkombëtar.

Meri del Priore, profesoreshë e historisë së Brazilit, shpjegon se si “mungesa e të zinjve në modë është më shumë një nevojë klasash sesa një çështje bukurie”. Por, për të kuptuar më mirë se si funksionon sot tregu i modës në Brazil dhe nëse vërtet ekziston diskriminimi racial, duhet shkuar në “katedralen e modës braziliane”, në shtetin e Rio Grandes. Aty punojnë pjesa më e madhe e zbuluesve të talenteve, si: Alison Çornak, zbuluesi i Zhizel Bundshen. “Jugu i Brazilit është vendi më i mirë për të kërkuar talente të reja, – thotë Çornak. – Këtu ka një përzierje të madhe të kombësive: ruse, gjermane, italiane dhe është e mundur të gjesh vajza me profile perfekte për modën. Konsumatori final i markave të mëdha të modës shpesh nuk i do modelet e zeza. Nuk besoj që të jetë një problem paragjykimesh, por është një çështje kërkese”.

Sipas Observatorit Afro-Brazilian, në Rio Grande janë të paktën 631 mijë gra të zeza, por asnjë nuk është seleksionuar ndonjëherë si modele. 20 vjet prej zbulimit modeles më popullore braziliane Zhizel Bundshen, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në panoramën e modës braziliane, që vazhdon t’i kërkojë yjet e reja midis të bardhave.

Please follow and like us: