Denis Dyrnjaja: Vettingu nuk vlen vetëm me largim, por duhet shoqëruar me burgim
Vettingu ka nisur të prodhojë rezultatet e para dhe goditja më e spikatur deri tani duket se është largimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Ai nuk justifikoi dot një pasuri marramendëse prej gati gjysmë milioni dollarësh të cilën tentoi ta shfaqte si dhuratë familjare, por “provimi i të vërtetës së tij të gënjeshtërt” rezultoi një dështim.
A ka çlirim një person të cilit një gjyqtar a një prokuror përkundrejt ryshfetit i ka shkatërruar jetën duke i tjetërsuar të drejtën e pronës, fatin e jetës apo duke parë të lirë vrasësin e fëmijës së vet që ka futur në dhe?! Jo! Të jetosh me pasuri të vendosura mbi gjakun, djersën dhe jetën e njerëzve është totalisht kriminale.
Ndaj çdo gjyqtar e prokuror i korruptuar nuk mjafton thjeshtë të nxirret nga sistemi i drejtësisë, por duhet edhe të përballet me pasojat e ligjit për përfitime të paligjshme. Është fyese, është denigruese dhe poshtëruese që njerëz të ndershëm kalojnë një jetë duke punuar ndershmërisht dhe mezi krijojnë mundësitë bazike për të mbajtur familjet e rritur fëmijët, ndërsa “piranjat” e drejtësisë së pistë shqiptare të kenë vënë pasuri përrallore të pamerituar e kapërdisen me vila, apartamente, makina superluksoze në kryeqytet e bregdet.
Pa ekuivok dhe pa më të voglën keqardhje sekuestro dhe burg për çdo lëtyrë që tenton të justifikojë dhe fshehë pasurimin kriminal dhe të pamerituar. Kështu do të krijohet besimi në popull se një ditë e vërteta del dhe se një ditë harramin do ta paguash.