Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Vdekja e hekurudhave

 

1) Rreth 85% e web-eve apo televizioneve shqiptare janë sot pro qeveritare. Nuk e di se sa janë të opozitës, një dy, tre apo katër, se të qytetarëve as që çohet nëpër mend, por shoh fare mirë që me përjashtim të ndonjërit të tjerët janë tërësisht të pandjekshëm. Dhe ndofta është kjo arsyeja që them se nuk e di, pasi nuk i shoh gjëkundi në këtë masë prej 85% të zhaurimës ditore prej proqeveritarëve në hapësirën e fjalës së lirë dhe informimit publik. Dhe nuk ka asnjë dyshim që plot syresh, sidomos oligarkia, e shohin këtë si një arritje kombëtare. Në fakt është e kundërta, regresi social më i madh këto 28 vite demokraci. Këto webet opozitare janë një frymë e pakët dhe ndofta ish qeveritarët partitë opozitare duhet të kenë nxjerrë mend nga fiaskot a firot me suportet karshi tenderimeve dhe ndarjen e fondeve nga taksa paguesit shqiptarë. Ata që sot i gjen me shumicë pranë Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Webet opozitare ose ndiqen sa për të thënë nga një grup fanatikësh militantë, të cilët janë objekt frustues për shoqërinë dhe që pozita po i përdor me mjaft efikasitet, ose nuk ndiqen e dëgjohen fare. Sot përshembull shoqëria jonë i ka nervat dhe sensin e ndijimit vetëm në atë se çfarë do thotë Edi Rama për ndonjërin prej tyre, që të qeshin, të fërkojnë barkun me votkë, se sa të kuptojnë kancerin social të vendit ku po e çon dyshja Rama Veliaj dhe kjo shpurë prej 85% e shkrusve që rrojnë jo me shitje dhe numurin e ndjekësve por me çfarë u jep qeveriu.
2) Mbrëmë disa televizione njoftonin njëherësh, përmes një kronike vizive, një emison mbi degradimin e hekurudhës shqiptare. Eshtë e çuditshme se si lajmet apo rubrika të tilla të transmetohen njëherësh megjithëse mund të kenë autorësi, janë pronë e dikujt që shkoi, filmoi, intervistoi etj.
Gjithë thelbi ishte ky se sot hekurudha shqiptare ka degraduar tërësisht. Dhe ku një zyrtar me specialitet partiak përmende fondet e pakta vjetore nga shteti për mirëmbajtjen dhe pagesa. Kjo sipas zotërisë për shkak të numurit të paktë të udhëtarëve dhe për rrjedhoj transporti me tren nuk është fitim prurës. Në fakt kush dëshiron të udhëtoj në një tren të lodhur, dy vagonësh…, i cili i ngjan më shumë karvanit të ca mushkave të lodhura se sa lirizmit me fishkëllima mes natyrës. Një tren që duket sikur po hap shtigje mes gjerdheve, ecën e tështim, ku akoma paguhen trarista që lozin domino, firmosin, po trarët as i ulin e as i ngrenë…, nuk i lë dominoja. Një tren ku kalamajtë e kanë kthyer në gjueti me gurë pa gjykuar se brenda ata pak udhëtarë që i lodh gjumi dhe monotonia, janë hallemëdhenjtë e Shqipërisë. Dhe nesër mund t’i zënë vendin. Ata që nuk e kanë për turp, por nevojë, domosdoshmëri. Që nuk pordhën me makina shokësh, apo me më ço e të çojë, me ma mbush serbatorin, hidhi 10 mijë lekë. Janë shqiptarë, pjesë e gjallë e jona që jeta dhe të gjitha hallkat e tjera sociale i kanë baudallepsur nga marrëzia e sojit dhe e tipit tonë.
3) Kjo puna e hekurudhës është tashmë një plagë e hapur. Dhe unë do ta besoja plotësisht zyrtarin mbi mungesën e investimeve, numurin e paktë të udhëtarëve etj., sikur në ato daljet e qyteteve mos të shikosh njerëz që ngrijnë dorën. Ose në ato stacionet e autobuzëve a furgona të shohësh plot qytetarë të kënaqur, jo buzëplasur nga dhuna e thirrjeve, kush e ka dhe kush nuk e ka radhën i pari etj. Degradimi i hekurudhës pa një e pa dy, është një nga ato planet kancerogjene të qeverive, të qëllimshme që nesër një nga asetet më të mëdha kombëtare të shitet për një copë buke. Duke varrosur pak nga pak vet të kaluarën e tyre, një punë krahu kolosale, e cila është pjesë në atë që quhet vitalitet social dhe që një diktaturë e përdoroi si deshi e për çfarë deshi. Eshtë një degradim i qëllimshëm që nesër të thonë nuk mbahet, nuk bëhet më dhe ta shesin sa për një kore buke. Ose t’ia japin ndonj ppp-je me koncesion, pa tenderim etj., me postulatin e gatshëm për shqiptarët se ai po hedh lekun, shteti nuk ka etj. Këto tashmë janë metoda kaq efikase për pasurim sa neve nuk na i ndjen më, nuk na bën asnjë përshtypje. Sepse jemi tl frustuar tek konferencat e shtypit të lali Erit dhe qeveriut me atlete adiddas kur ia ngjesh opozitarëve. Ne nuk na ndjen më asgjë …, punë transporti hekurudhor. Në të ardhëm do degradojmë dhe atë detar, se atij ajrorit ja kemi bërë në kokë. Të vdesësh sysh aeroporteve të botës të shikosh një kaçatorrr me flamurin e Shqipërisë.
4) Sot kudo në botë transporti hekurodhor është prioritet i padiskutueshëm. Madje tepër efikas në shumë drejtime si transportin e mallrave, udhëtarëve apo dhe në turizëm. Sidomos në Europë, mbi tokë dhe nën tokë…
Të vjen keq kur shikon se si ai i yni është katandisur ashtu. Por e thamë është pjesë e strategjive të qëllishme dhe në muajt e ardhshëm shqiptarët do grinden me njëri-tjetrin siç edhe po grinden sot për teatrin. Eshtë një investim historik me orë të pa paguara dhe me shpirt nëpër dhëmbë, kujtesa e gjallë e ca brezave që nga njëra i çonin të prishnin kishat dhe xhamitë, nga ana tjetër të shtronin trase, të hapnin tarraca.
Megjithatë qeveritarët shqiptarë thonë se do ta bëjnë Shqipërinë si Zvicra, vendi me më shumë se kushdo tjetër transport hekurodhor. Mirë ata tallin bythën me ne, por ne, kur do pushojmë së talluri me vetveten.?. Nga ana tjetër Zvicra ruan deri dogovilet malore dhe korr flori me turizmin hekurodhor…, kurse qeveria Shqiptare nuk lidh dot Tiranën me Durrësin me një tren elektrik, ku sipas një ministri duhen 12 milion shtesë euro. A mund t’i besoni një qeveriu që diskuton 12 milion euro?
Por kështu është kur 85% e webeve, e gazetave dhe televizioneve janë pro qeverisë, do flasin njëherësh për degradimin. Jo për menaxhim e keq e të qëllimshëm si me të gjitha asetet e tjera kombëtare. Një fund i hidhur social…

Please follow and like us: