AT PJETER MESHKALLA S.J.: “PJESA E FRIKSUEME ASHT E LIDHUN NGA KAFSHATA E BUKËS”!
Fritz RADOVANI
AT PJETER MESHKALLA S.J. (1901 – 1988)
28 KORRIK 1988 – 2018: 30 VJET PA AT MESHKALLEN…
- Shqipja me kthetrat e Saja skaliti në një shkamb t’ Atdheut: “Edhe një Hero ma pak!”
Populli i Shkodrës, pa dallim Feje përcolli në banesën e fundit At Pjeter Meshkallen S.J., Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e puntorin e palodhun për unitetin e Popullit e t’Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të rinisë sonë dhe, kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë diktaturës terroriste komuniste, autore e “Revolucionit antinjerzor kultural” .
- 30 vjetorin e paharrueshem të At Meshkallës, po e hapi me thanjen Prof. Arshi Pipës: “…Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.”(Intervistë tek revista “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).
- E do të vazhdoj me disa thanje të zgjedhuna të At Pjetrit të Madh të Shkodres sonë:
Unë e njoha mbasi doli nga burgu heren e parë kur bani 15 vjetë, aty nga 1962… Kujtoj njëditë, e pashë tek dera, dhe simbas zakonit, e ftova me hy mbrend për një kafe, por Ai nuk erdhi. Më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Muslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Muslimanëve për të cilët ruente kujtime të mira nga jeta e burgut, që kishte kalue me tá…
- Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, At Mëshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën “U folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste…”
- 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte At Meshkalla Ai që i tha troç ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur At Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti ju përgjegj: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e duen pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipni!”.
- 1947 Në hetuesi At Meshkalla deklaron: “Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne.” (Dosja Nr. 4191|1 Arkivi MPM)
- Ai ishte kundër diktaturës komuniste e këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.
- 1950 At Mëshkalla më tregonte se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolec Prennushit kur ishte në burgun e Burrelit, “…kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!…”.
- “…Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.”
- “Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “bravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën…”
- 1967Në letren që i dergon Kryeministrit terrorist Mehmet Shehu, në Tiranë, me rasen e “Revolucionit Kultural” i ka shkrue: “Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” 5 Prill 67.
- Dhe vazhdon:“Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; …fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”.(Arkivi Ministrisë P. Mbrendshme Tiranë 1998)
- Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që po bani ju këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë…”
- 19 KORRIK 1967, nga ora 14.00 zhvillohet gjyqi tek shtëpia e Dr. Kadukut, ku ndodhën vetem aktorë të Teatrit “Migjeni” dhe, disa agjenta sigurimi “të ftuem”…
Kryetar i Gjyqit ishte Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, të cilët, me vëndimin nr. 44, dënojnë të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me konfiskim pasunie.
- At Mëshkalla iu afrue mikrofonit e tha këto fjalë: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!”
- At Mëshkalla po merrej me lule në kampin e Vlonës. Kishte shkue drejtori i burgjeve të Shqipnisë dhe e kishte pyetë: “Pse punon kaq bukur, pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – At Mëshkalla iu përgjegj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak, por më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me lavdue punën e armiqve tuej!”
- 1965 Njëherë e pyeta: “Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njohun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false e shpifje në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga Qeveria Komuniste në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë).
- At Mëshkalla më dha këte përgjegje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilsue Historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë Kler në Botë. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova…Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë… m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra, e ç’prej asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.
***
- At Pjeter Meshkalla shkruen: “…Na jemi gurët (të mëdhej o të vegjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në thëmel të parë!
Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!…”.
Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vegjël. Ata menduen se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e nuk do të shiheshin ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit” do të rrafshonin bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye”, e pikërisht me Ata gurë, që ishin vu mbi thëmelet e kulturës europiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata themele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luejtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue e as rrokullisë, jo, kurrë!
- ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Shen’Pali, edhe sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha:
“Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot!
- Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap një ditë!..”
Dhe, shka tha At Pjetri, ashtu u ba edhe perrreth Rozafës!…
Melbourne, 27 Korrik 2018.