Sadik Bejko: KULUMBRI
Kulm dhe bri një lumi kulumbri e brymët
lart brinja guri me bar idhët të bryllët
poshtë zall i mjedërt vjeshte plloça-ploça
me gjethet gjak nga mishi im, nga kockat
Dhe korbat sipër herë bardhë, herë zi
Krra! Sa trembin hënë dhe hënëri
Kulumbri nën hi e nën finjë drite
Me qershizën e ullinjtë thithkave
Nën degëzat lejla, nën pah të linjte
Në bar gjumi merr gjumin erë trumze
Jasemini ëndrrës dredh një lumë lundre
puth buzën manushaq, ah buzën e kuqe
Ku-ku! Kulumbri, hov e zhyt një mbrëmje
nëpër dhera shpëndre, në jasemin ëndrre.
Nga libri “Fytyre e panjohur”, 2005
Please follow and like us: