Albspirit

Media/News/Publishing

Halil Ahmeti: Korridori Gjakovë–Shkodër afron më shumë shqiptarët

Intervista/Flet profesori, piktori dhe veprimtari i shquar.

 

 

Ibrahim HAJDARMATAJ

 

Halil Ahmeti ka lindur në Ponoshec të Gjakovës më 24. 06. 1956. Arsimin e detyrueshëm e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen, të artit, me drejtim Arkitekturë e ka përfunduar në Pejë. Akademinë e Artit dhe studimet posdiplomatike i ka përfunduar në Prishtinë, para 10 vjetëve.

 

Zoti Halil, sot aktualisht me se merreni?

Këto vitet e fundit jam mësues i Edukimit Figurativ (pikturë) në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës.

…Në bisedë e sipër ndërhyn poetja Migena Arllati:  Me Profesor Halilin jemi kolegë në gjimnazin “Hajdar Dushi”, por jemi edhe shokë. Profesor Halili është shumë punëtor, i thjeshtë, fjalëpak e punëshumë, bujar e fisnik. Krahas mësimdhënies ku bën një përgatitje shkencore-metodike, që është për t’iu marrë lakmi, ka vazhdimisht sukses me nxënësit dhe është shumë i komunikueshëm me kolegët dhe komunitetin, në trekëndëshin mësues, nxënës dhe prindër.

 

Zoti, Halil, a mund të na tregoni diçka për punën tuaj? Migena ju ngriti në qiell…

 

Ai u skuq dhe sikur u zu ngushtë, ndoshta nga hutimi, e ktheu kafen me shpejtësi dhe filloi të djersitej.

Puna me nxënësit është art më vete. Krahas mësimdhënies dhe mësimnxënies kam organizuar edhe ekspozita në pikturë me nxënësit e mi, sidomos çdo 1 Qershor është bërë traditë për çelje ekspozitash me nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi”. Nga kujtesa nuk më hiqen pjesëmarrja e disa shkollave të Gjakovës me 300 punime (në pikturë) të ekzpozuara në ambientet e Muzeut Historik në Shkoder. Nxënësit rrisin dëshirën për t’u marrë me art, duke shkëmbyer përvojën mes dy qyteteve, Gjakovë dhe Shkodër, duke krijuar rrjetin shoqëror të tyre, për një të ardhme të përbashkët jo vetëm kulturore, por edhe politike dhe gjeografike.

 

Zoti Halil, po ju vetë a jeni marrë me pikturë si krijues?

Po kam hapur disa ekspozita ne pikture, vetiake dhe me kolege.     Me shumë jehonë janë pritur nga artdashesit ekspozita me kolegun tim nga Shkodra, piktorin Muhamet Ganjolla hapur ne Galerine e Arteve “Vizioni i Ri 2000” dhe në Pallatin e Kulturës “Asmi Vokshi” po në Gjakovë. Ekspozita “Bota shqiptare ndër shekuj” ne Tirane, me pjesemarrje shoqatën “Drini, Gjakove-Shkoder” dhe “Adriatik Alpe”, ku nëpërmjet kësaj ekspozite shumë domethënëse del në pah krenaria dhe dhimbja jonë në breza…Ekspozita në pikturë ishte e suksesshme. Edhe ekspozita treshe, unë, piktori nga Tropoja, Abdullah Gjongecaj dhe ai nga Shkodra, Muhamet Ganjolla, ku u prezantuan punimet me karakter kombëtar të periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë 1912 deri në luftën e fundit në Kosovë.

Zoti Halil, po me shoqërinë civile a merreni?

Jam kryetari i shoqates “Drini, Gjakovë-Shkodër”. Kjo shoqatë ka zhvilluar shumë aktivitete në Shkodër dhe në Gjakovë. Kemi organizuar edhe disa sesione shkencore në dy qytetet, të cilat i kemi mbledhur në një almanac dhe ia kemi shpërndarë shoqatës, ambasadorëve, qeverive të të dy vendeve, si dhe intelektualëve të ndryshem. Aktiviteti me i rëndësishëmi yni, është korridori “Adriatik-Alpe”, rruga e re Gjakovë-Shkodër, sipas projektit 172 kilometër shtrirje, çka do të thotë që nga Gjakova në Shkodër arrihet për 90 minuta, ku na bashkojnë traditat kulturore, tregtare, vëllazërore, na bashkon edhe lumi Drin që kalon në këto dy qytete. Pikërisht emri i lumit u bë edhe shkak për emërimin e shoqatës sone “Drini, Gjakovë-Shkodër”. Kjo rrugë ka misionin fisnik, e cila do të shtojë vlerat e përgjithshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas projektit, rruga do të integrojë 800.000 mijë banorë nga të dy anët. Lëvizja e pasurive nëntokësore dhe ato mbitokësore, do të ndihmonte, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor. Kjo rrugë do të sjellë integrim jo vetëm të zonës, kombit, por edhe të mbarë rajonit, duke shtuar vlerat e përgjithshme ndërkufitare, duke i bashkuar projektet në një mënyrë që në Europën e bashkuar të jemi unikë. Qëllimi kryesor është integrimi mbarëkombëtar në kulturë dhe ekonomi. Ky korridor do të jetë Gjakovë, Ponoshec, Qafe-Morinë, Shëngjin, ku përshkon Tropojën, Pukën, Lezhën dhe Shkodrën. Ky korridori ploteson te gjitha kushtet gjeografike, klimaterike, teknike ne kuotat e uleta te Drinit. Ky korridor, “Adriatik-Alpe”, që është pagëzuar me këtë emër, është i gjatë 172 km. dhe deri tani nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, janë investuar (përfunduar) 122 km dhe mbeten pa përfunduar edhe 51 km. dhe kam besim tek te dyqeveritë se do të bëhet realitet ky projekt madhor.

 

Zoti Halil, kur jeni ndier më i suksesshëm në karrierën tuaj?

Për shumë vite kam qenë në udhëheqje të LDK-së për Rekën, rrafshin e Ponoshecit dhe në Gjakovë. Por më i lumtur kam qenë kur isha deputet ne Kuvendin e Kosoves, ne zgjedhjet e para parlametare të Kosovës.

Halil Ahmetit si profesor, si piktor, si kryetar shoqate, si politikan dhe si baba, qe ka rritur dhe edukuar pesë femijë, i urojmë që të ketë në jetën e tij aktive vetëm gëzime.

Please follow and like us: