Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shoqëria, idetë, elitat

Ese

 

Asnjë shoqëri nuk është zhvilluar pa një ide të qartë, pa një shtytje të fortë dhe pa një ideal të madh.
Kosova, në vitet e 90-ta, i kishte të gjitha këto. E kishte idenë e qartë për të fituar lirinë e humbur; e kishte shtytjen për t’u bërë shtet demokratik dhe i lirë, si kombet e tjera të përparuara perëndimore; e kishte idealin e madh për t’u integruar në këtë familje, prej të cilës ishte ndarë padrejtësisht.
Në vitet e 90-ta, Kosova kishte një elitë, të cilës i printe një shkrimtar dhe dijetar i madh, Ibrahim Rugova, që kishte një ide të qartë, një qëllim të madh dhe një traditë të fortë, ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj, ne i fituam të gjitha ato që i synonim, por tani jemi trullosur dhe nuk dimë çka duam dhe ka duam të shkojmë.
Si pasojë e kësaj gjendje të amullt, sot jemi shndërruar në shoqëri amorfe, konfuze, pa shtytje, pa traditë dhe pa ideale.
Flasim dhe kukurisim kundër “të keqes” dhe atë e kërkojmë gjithmonë diku tjetër, jashtë nesh, duke mbyllur sytë përballë të vërtetës se, bashkëfajtorë në të keqen jemi të gjithë ne. Jo vetëm “ata” që janë diku dhe drejtojnë me vendin tonë.
Për të parë si është stërkequr i ashtuquajturi debat publik te ne, të duhet pak kohë të shihesh si gërvallën shqiptarët andej e këndej, kundër atij e këtij, vetëm pse duhet rreshtimi pro dikujt ose kundër dikujt. E gjithë kjo vjen nga një nevojë e çuditshme për t’u shprehur për çdo gjë, nga mania për t’u dukur, siç thoshte Umberto Eco.
Në një shoqëri, ku, secili “shpërthen”, “vërsulet”, “gërvallët”, kundër dikujt apo diçkaje, pa e ditë realisht pse dhe pa qenë e përgatitur të flet rreth temave të caktuara, ajo, siç thonë të diturit, është gërmadhë njerëzish të çorientuar.
Te ne, ndodh një tragjedi dhe krejt tërbohemi kundër “Kanunit”, ndërkaq, në vendin tonë, ma thotë mendja se, janë në gishta ata që e kanë lexuar këtë vepër monumentale.

Krejt kjo që ne e quajmë debat, në të vërtetë, as përafërsisht nuk i afrohet debatit. Është zhurmë dhe kukurisje që e rritë konfuzionin ndërmjet nesh. Sepse, të debatosh, domethënë, të dish për çka flet, të kesh një ide për të cilën angazhohesh, të kesh një përvojë dhe të jesh mishëruar me një gamë tekstesh empirike. E ne, pak kemi nga këto, prandaj, më shumë bëjmë zhurmë sesa debat.

Sot, shoqëria jonë nuk udhëhiqet nga asnjë ide e qartë politike, shoqërore e kulturore, ajo nuk është as demokratike e as jodemokratike. Prandaj, kemi kaq shumë intriga, paqartësi, marri. Sepse, jemi një pështjellim doktrinash e idesh amorfe. Prandaj, shoqëria jonë vazhdon të jetë viktimë e instinkteve, e intrigave, reagimeve impulsive, të pamenduara dhe të paartikuluara qartë.
Po, Kosova sot është pa ide politike, kulturore dhe sociale. Dhe kjo është arsyeja pse jemi shndërruar në tokë të pëlleshëm për gjithfarë marrinash, rreth të cilave vërtitemi si të marrë.
Njerëz, një komb që nuk gjen paqe me vetveten, ai duhet të mendohet mirë. Ai duhet të kërkojë tempullin e katharsisit dhe të hyjë aty, duke i ulë flamujt e urrejtës.

Please follow and like us: