Albspirit

Media/News/Publishing

Nora Malaj: Përherë mirënjohje për shkollën dhe kryeprofesionin e mësuesit!

 

 

“Kur misioni kthehet në pasion, dija merr krahë dhe nuk ka forcë që e ndalon”.

Asgjë nuk do ta bënte të bukur një shkolle, as godina e re, as bankat e bukura, as lulishtja me lule, as stolat e lyera, nëse nuk do të ishin zërat e fëmijëve që mblidhen si zogj, ditën e parë dhe më pas çdo ditë të vitit rreth figurës emblemë të mësuesit!

Ky je ti i dashur mësues, që me fjalën tënde, me buzëqeshjen tënde, me zërin e ngrohtë e bën çdo fëmijë të ndjehet i rëndësishëm. Je ti që i jep krahë fantazisë së fëmijëve, je ti që hap një nga një portat e dijes dhe shton besimin te çdo fëmijë.

Në misionin tënd ti nuk di të ndalesh, nuk lodhesh kurrë, nuk qahesh kurrë, se kudo të shoqërojnë sytë e fëmijëve, që të shohin si magjistar, sytë e prindërve që presin nga ty se çfarë do t’u thuash atyre për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e tyre, sytë e gjyshërve që ndjehen krenarë për nipërit e mbesat e tyre, sytë e të gjithë shoqërisë që shpresojnë që e nesërmja do të jetë më e bukur se e sotmja dhe e ardhmja do të jetë më e ndritur për fëmijët tanë.

Te misioni yt i dashur mësues, të gjithë shohin të hidhen themelet e shëndosha për një shoqëri pa dhunë, pa urrejtje, pa racizëm dhe me liri mendimi e veprimi. Ti, mësues, laton me daltën e dijes mendjen e fëmijëve nga padija, i pajis me dije të forta e të qëndrueshme!

Ti, i dashur mësues, përpunon shpirtrat e vogëlushve dhe ju mëson të endërrojnë, të rriten të guximshëm e shpresëplotë! Ti je kryeprofesioni që jo kushdo mund ta bëj! Të jemi përherë mirënjohës për gjithçka që bënë në misioni tënd me pasion e dashuri.

Fillim të mbarë në betejën për dije, mësuesi im i shtrenjtë! E shtrofsh rrugën e mundimshme të dijes me dashuri, besimi dhe mirësi çdo ditë.

Qofsh përherë i palodhur dhe i bekuar! Gëzuar filimin e vitit shkollor!

Fotografia e Nora Malaj

Fotografia e Nora Malaj

Fotografia e Nora Malaj

Please follow and like us: