Albspirit

Media/News/Publishing

Fran GJOKA: Kërkohen drejtues me vizion të gjerë dhe dije shkencore

 

 

 

“Drejtorët e qarqeve të arsimit duhet të largohen”

 

Shkolla, si institucion bazë i sistemit  arsimor është vendi ku derdhet djersa e mësuesit për të përgatitur brezin e ri që t`i dalë zot fateve të vendit, prandaj ky sistem, së pari duhet të nisi me reformimin e drejtimit në arsimin tonë.

 

Arsimi ka nevojë për drejtues të aftë

Drejtuesi në arsim nuk duhet të jetë vetëm njeri i urdhrave, i dhënieve së porosive dhe detyrave, por në radhë të parë duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht dhe i përkushtuar për të kryer detyrën që i ngarkohet. Një drejtues i mirë krijon atmosferë të shëndoshë  me kolektivin në mënyrë që punët të kryhen me dëshirë dhe jo me detyrim. E theksojmë këtë fakt, sepse vitet e fundit është vënë re se drejtuesit në arsim kanë qenë disi të “betonuar” në detyrën e tyre, prandaj në shumë raste tek drejtues të ndryshëm janë vënë re dukuri të tilla si paaftësi për të kryer detyrën në lartësinë e duhur, monotoni, mediokritet, liberalizëm, por shpesh herë teka ata është shfaqur edhe arroganca dhe ndjenja e inferioritetit. Në këto kushte, disa drejtues nuk kanë mundur të bëhen shembull pozitiv në mjediset ku kanë punuar.

Drejtuesit në fushën e arsimit kërkohet të jenë mjeshtër, jo vetëm në punën mësimore dhe edukative, por edhe në metodën e komunikimit me mësuesit dhe aq më tepër me nxënësit. Një drejtues i përgatitur duhet të jetë i thjeshtë, i qeshur, i zgjuar, i vëmendshëm, i dashur. Duhet ta dojë dhe respektojë profesionin, misionin e tij fisnik, kolegun, bashkëpunëtorin, nxënësin. Vetëm nëse krijon unitet dhe harmoni në kolektiv, themi se një drejtues është i aftë dhe i përkushtuar ndaj kryerjes së detyrës. Por, në kushtet e sotme, kur pothuajse kemi drejtorë arsimi apo drejtues shkollash të “përjetshëm”, njerëzve të tillë u krijohet mundësia të abuzohet me detyrën, të sillen ashpër me mësuesit dhe me nxënësit, të abuzojnë me marrëdhëniet me kolektivin, të mos respektojnë sa e si duhet normat e punës në shkollë. Kjo ka çuar në rënien e nivelit të punës mësimore dhe edukative në disa shkolla.

Është folur shumë për drejtuesit në arsim, por në të vërtetë, mbetemi në të njëjtin stad. Nuk njohin në thelb programet, planet dhe tekstet mësimore, ose nuk kishin dhënë kontribut të vyer në punën mësimore dhe edukative. Kjo e ka dëmtuar sistemin tonë arsimor, kjo ka dobësuar të ardhmen e shkollës sonë. Drejtuesi në arsim duhet të jetë vizionar. Ai nuk duhet të punojë për momentin, por të ndërtojë punën për të ardhmen, të njohë shqetësimet që lindin në sektorin e tij, problemet që dalin në komunitet, nivelin e çdo mësuesi, nivelin dhe sjelljen e çdo nxënësi etj. Vetëm kështu mund të shpresohet në një rezultat pozitiv në shkollat tona.

Shqetësim: monopoli politik në drejtimin e shkollës

Të gjitha instancat drejtuese në sistemin tonë arsimor nga DAR e ZA të vendit e deri te drejtori i shkollës vazhdojnë të jenë vende politike. Kjo po e dëmton shkollën. Vendi i drejtorit, nëndrejtorit apo punonjësve të tjerë të administratës po u dhurohet militantëve, njerëzve politikë që “kontribuuan” për partinë e tyre. Me kalimin e kohës këta persona “çimentohen” në këta pozicione dhe bëhen të paprekshëm sepse i mbron miqësia dhe politika. Prandaj, sot, në institucionet tona arsimore kemi persona që kanë vite në ato vende pune, si specialistë  apo drejtorë me 20-25 vjet. DHE AJO QE është shqetesuese sot pikërisht keta punonjes te DAR-it apo shkollave s’kanë asnjë fushë të kërkimit shkencor. Karakteristik është fakti se të gjithë këta njerëz janë militantë ose anëtarë dhe kryetarë të grup – funksioneve e, për më tepër, anëtarë të këshillave të bashkive të një subjekti politik. Ajo çka është më e rëndësishme, flitet në zë se ata nuk e kryejnë si duhet detyrën e tyre. Shpesh, këta persona duke qenë nën mantelin partiak, bëhen të dëmshëm për kolektivin dhe shoqërinë, bëhen pengesë për zhvillimin me ritme të shpejta të shkollës sonë.

Muajt e fundit është konstatuar një valë emërimesh skandaloze në postet e drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave, që kanë mbaruar part –time dhe me mesatare të ulët,duke e katandisur sistemin arsimor si mos më keq. Vendosja e drejtorëve pa kontribute dhe pa konkurse, ka shkaktuar prej muajve pakënaqësi të mëdha  në kolektivat e mësuesve, pavarësisht se këto të fundit gjendën të trembur dhe heshtin përpara një fakti tronditës. Kjo është shprehje e qartë e paaftësisë të drejtuesve të qarqeve të vendit. M.A.S ka kohë që ka marrë sinjalizime të herëpashershme lidhur me  emërimet pa konkurs dhe klienteliste në shkolla. Institucioni qendror hesht përpara këtij fakti, ku të paaftët dhe militantët vazhdojnë të gjejnë strehë në drejtimin e shkollave. Shkurt, ka ardhur koha që drejtorët e qarqeve të arsimit,ku ka shkelje si të sipërpërmendurat, duhet të largohen një orë e me parë, për shkeljet e rënda shkatërrimtare që po i bëjnë arsimit dhe shkollës.

I shtrojmë këto çështje, jo se nuk njihen nga opinioni i mësuesve, por që organet kompetente të marrin masa që fenomene të tilla të mos ndodhin më në shkolla. Shkolla duhet depolitizuar duke vënë mbi baza shkencore dhe jo politike. U fol shumë për politizim tekstesh, për pjesëmarrje të nxënësve dhe studentëve në mitingje të partive të ndryshme brenda orarit të mësimit e deri tek presionet e shumë drejtuesve ndaj mësuesve për të votuar sipas preferencave të tyre politike, madje pati edhe pezullime dhe pushime nga puna. Këta janë plagë të pashërueshme në arsimin tonë, që lënë shije të hidhur për një kohë të gjatë. Normalisht, dukuri të tilla nuk duhet të ndodhin, sepse dëmtojnë rëndë procesin në konsolidim të reformimit të shkollës.

Kërkohen drejtues me vizion të gjerë dhe dije shkencore

Sot, në kushtet e demokratizimit të plotë të sistemit arsimor dhe reformimit me hapa të shpejta të tij, përkrahën drejtues me vizion të gjerë dhe dije shkencore kërkohen njerëz të ditur dhe të sakrificës për të ndihmuar reformat dhe jo për t`i penguar ato. E themi këtë, sepse në shumë raste të zgjidhjes së problemeve në shkolla, shpesh janë bërë pengesa drejtuesit. Duhen përmendur këtu seminaret formale të organizuara, njëanshmëria në përzgjedhjen e teksteve mësimore, mungesa e predispozicionit në zgjidhjen e transportit të mësuesve dhe të nxënësve, kompletimi i shkollave me kabinete informatike dhe me sinjal interneti, përsosja e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe shumë probleme të tjera, që duhen parë më me prioritet këtë vit shkollor. Janë probleme emergjente që duhen diskutuar dhe trajtuar gjerësisht nga drejtuesit, që të shpresohet në zgjidhjen e tyre. Kjo është detyra e drejtuesit në arsim dhe jo ajo e nxjerrjes përpara punonjësve e një mijë justifikimeve dhe pretendimeve për të vërtetuar një padrejtësi. Fenomene të tilla nuk duhet të ekzistojnë në mendjen dhe qenien e një drejtuesi të përkushtuar ndaj detyrës.

Në sistemin e drejtimit të tërhiqen mësues të rinj, që kanë master shkencor dhe profesional

U fol shumë për përzgjedhjen e drejtuesit të arsimit me konkurs. Madje këtë vit edhe u aplikua për disa drejtues të ZA të disa rretheve, që në fakt rezultoi tërësisht e dështuar. Edhe në konkurse morën pjesë njerëz të politizuar, madje fituan më të preferuarit e organeve drejtuese. Por edhe kjo nuk është zgjidhje. Drejtuesi në arsim, fitues i një konkursi sipas kritereve të përcaktuara më parë nga dikasteri përkatës, mund të jetë e keqja më e mirë, por duhet ditur se ai testohet vetëm në njohuritë shkencore, ndërkohë që ai duhet të ketë edhe shumë cilësi të tjera njerëzore, metodike, pedagogjike, psikologjike etj, për ta bërë atë një person juridik të kompletuar në profesionin e vet. Madje, u hodh ideja që në rastin e emërimit të drejtuesve në arsim duhej marrë edhe mendimi i komunitetit. Ishte ide pozitive që nuk u realizua kurrë, megjithëse ky proces ka edhe anët e tij negative. Drejtuesi në arsim duhet të çojë me ambicie pozitive përpara detyrat e vëna në zbatim të reformës në arsim, të verë në lëvizje forcat krijuese, të respektojë dhe të përgjithësojë shembullin pozitiv. Është detyrë e drejtuesit të mbajë gjallë dëshirën e kolektivit për punë dhe mësim, të stimulojë kurdoherë shembullin pozitiv dhe të motivojë trupën arsimore për realizimin e objektivave. Drejtuesit e mirë, korrekt, të komunikueshëm dhe të përkushtuar, i duhet gjetur vendi i duhur, nga ana tjetër nuk mund të ngrihet në detyrë një militant mediokër. Në këtë kontekst jemi të detyruar të pranojmë se një drejtues i paaftë e dëmton jo vetëm punën e mësuesit, por edhe sistemin tonë arsimorë. Këtë fakt e kemi njohur, por e kemi të vështirë ta pranojmë.

Vërtet në vendin tonë nuk kemi shkollë të veçantë për përgatitjen e drejtuesve, por njerëz të aftë dhe të ndershëm, që qëndrojnë larg politikës kemi, njerëz të përkushtuar dhe punëtorë kemi, mësues të aftë që e njohin artin e drejtimit. Le t’i afrojmë ata, t’i vlerësojmë dhe do të shohim si mund të ndryshojë shkolla dhe sistemi ynë arsimor në të ardhmen. Ky duhet të jetë një nga problemet që duhet të shihet më me prioritet, në sistemin tonë arsimor. Fryma e re, reformat e reja duhet të mbizotërojnë kudo në shkollat tona.

 

Please follow and like us: