“Bylisi dhe Polifonia” do ushtojnë fort në datën 21-22 shtator 2018
Yzeir Llanaj – Organizator i Festivalit
Sërish “Bylisi dhe Polifonia”, me të cilat krenohemi dhe që identifikohemi si komb, bashkohen, në Kuvendin e Polifonisë, në vijimësi nga edicioni i 7-të në të 8-tin në tempullin e Ilirisë ”Nikaja” pranë fshatit Hekal dhe Klos. Shtegtarja e pa moshë e njerëzimit, si thesar shpirtëror kënga vendçe shqiptare , në daten 21-22 shtator 2018, troket në portat e lashtësisë, ku si në gjirin e Perëndisë, do të ushtojë me tërë madhështinë e bukurisë dhe forcës së saj identare polifonia e bukur, duke demonstruar larmishëm edhe folk si dhe kostumegrafinë karakteristike të secilës trevë. Kryesisht puna jonë konsiston në shtrirjen gjeografike të pjesëmarrësve, ku ka thuajse nga të gjitha vendet Ballkanike, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare që këndojnë polifoninë. Jo më pak se 25 grupe polifonike nga të gjitha trevat shqiptare do të konkurrojnë para një jurie prestigjioze në këtë kuvend madhështor unikal si bashkim zërash dhe zemrash ku nuk do të mungojë dhe pjesëmarrja e të ftuarve nga grupe të huaj Ballkanik dhe Europa që ka shërbyer e do të mbetet, si një urë lidhëse kulturore shpirtërore fqinjësore tepër specifike. Si zakonisht, ky event tashmë, me fizionominë e tij ka marrë vlerësimin e shumë studiuesve të njohur, Etnomuzikologëve, Historianëve, Arkeologëve si dhe admirimin e publikut të gjerë artdashës. Veç kësaj ka marrë dhe impenjimin e gjithë artistëve për të qenë të gatshëm në edicionet e tjera. Dasmën e ben i zoti i shtëpisë, ndaj dhe Kryetari i Bashkisë Mallakastër z. Agron Kapllani që si zakonisht me kontributin e tij plot modesti dhe thjeshtësi, na mundëson vazhdimësinë e këtij eventi me ambicie që të kurorëzohet në lartësinë e duhur artistikisht. Për mikpritjen e tij fisnike në sofrën bujare mallakastriote, si patriot, ka fituar respektin dhe dashamirësinë e gjithë artistëve dhe publikut të mrekullueshëm që e dashuron dhe ndjek me nostalgji këtë pasuri që ne e gëzojmë sot nga të parët tanë. Organizimi i këtij festivali do të thellojë lidhjet e popullit me këtë këngë magjike shumzërësh pa instrument. Tashmë që ky Festival ka hyrë në edicionin e VIII, them se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e tij me sukses. Besoj dhe premtoj se do të jetë një Festival me nivel artistik, organizim, përgjegjësi, pjesëmarrje më të gjerë se 7 festivalet e mëparshëm. Kjo duket edhe nga numri i grupeve pjesëmarrëse që ne kemi bërë prezent pas lidhjeve disa mujore. Falënderime shkojnë për dashamirësit e kulturës sonë kombëtare që vlerësojnë dhe kontribuojnë për ruajtjen e këtij thesari si Z. Shpëtim Balla, z.Shefki Velaj. z.Trifon Murataj, z. Luan Durrajte të cilët na japin shpresë dhe kurajo ne artistëve e bartësve që e duam e mbrojmë dhe e transmentojmë për tek të rinjtë këtë visar të rrallë të kombit tonë. Falënderimet shkojnë për pushtetin Vendor të Qarkut Fier, z. Fatos Pashollari, z. Baki Bala, deputetin z.Ismet Beqiri, z. Armando Subashi, për kujdesin e zhvillimit të këtij aktiviteti i cili jo pak po tërheq vëmendjen e të huajve në këtë park turistik kombëtar që mban mbi supe një histori të rrallë 4000 vjeçare “Bylis”. Aktualisht pwr Polifonin problemet janë serioze dhe me atë sy duhet ti shohim. Ky tranzicion po ndikon shumë dhe në polifoninë e bukur dhe të shenjtë shqiptare. Shihet një venitje e saj. Duhen ruajtur vlerat e merituara që ka. Vërehet një fenomen, ku, polifonia shqiptare mbas tranzicionit ka filluar të bastardohet dhe të gllabërohet nga turbo- folku. Është mëkat të cenosh polifoninë shqiptare, këtë perlë të kulturës kombëtare. Unë nuk jam në kundërshtim për evoluimin e muzikës, por duhet të përqendrohemi më shumë tek tabani kombëtar. Tek ai folk i mrekullueshëm që e ka rrjedhën e vet që nuk duhet ndalur por të rrjedhë ashtu siç ka dale nga burimi. Desha që ti bëj thirrje të gjithë atyre korifenjve të polifonisë, atyre që sot janë edhe të plakur, duhet të flasin për këtë trashëgimi dhe jo të rrinë indiferent, sepse doktorata e atyre që e këndojnë, e trashëgimisë, vjen direkt nga rrjedha e ujëvarës, siç rrjedh nga maja e malit dhe ne duhet ta mbajmë të pastër. Ata që e sollën deri këtu këtë këngë janë “doktorët” e polifonisë. Do të dëshiroja që ata ta dinë forcën e tyre pasi ata janë të shumtë që nga polifonia toske, polifonia labe që nga, Meço Muka, Xhevat Abdalli, që nga Petriti që ka sjellë energjinë e mrekullueshme nga Saranda, etj… Janë dhe ata që kanë bërë tekstet që nga Lefter Cipa me Akile Bejlerin, Maliq Lila, Fatosh Likën, me Kapajt e Dukatit. Me këtë rast dua të përshëndes edhe grupet polifonike që mbas tranzicionit, filluan ta mbanin gjallë duke krijuar edhe grupe me vete me motive të mrekullueshme. Dua ti bëj një thirrje grupeve polifonike që kanë rezistuar kohës që ta transmetojnë edhe në breza dashurinë për këngën. I bëj thirrje edhe Ministrisë së Kulturës që ajo të duhet tw vazhdojë të ruajë traditën që kishte nisur dhe jo ta lejw pa mbështetje punën e shoqatës tonë për realizimin e festivaleve ndërkombëtare/ Ky Festival le të jetë në funksion të kësaj cështjeje. Polifonia është arti shpirtëror më i vecantë i kombit tonë dhe si i tillë duhet ngritur duhet ruajtur si thesar në piedestalin që i takon që koha ta lartësojë edhe më shumë. Ky visar mbetet udhëndricues i historisë së një kombi më të vjetër në botë me vlera shpirtërore tepër të rralla.