Albspirit

Media/News/Publishing

NJË HUMBJE E MADHE PËR FAMILJEN, KOMBIN DHE SHKENCËN

FRAN GJOKA

 

LEZHE

 

 

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Vlora Mehmeti – Tërshani në moshën 35 vjeçare-

 

Dhimbje pa fund në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Vlora Mehmetit – Tërshani në pranverën e jetës, në moshën më të bukur, 35 vjeçare. Sa e vështirë për këtë familje, për miqtë, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën këtë njeri të mrekullueshëm që ndahet nga jeta në një moshë kur aftësitë dhe përkushtimi i saj janë në kulmin e mundësive për arritje të larta shkencore, shkencëtarja shqiptare, Vlora Mehmeti – Tërshani, e cila sot përkujtohet me lotë e dhimbje.

Familja pret miq në këtë përvjetor të dhimbshëm…  ishte 1 vjetori i ndarjes nga jeta.  Pas ndarjes nga jeta ka marrë “Mirënjohje” nga Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”. Për  Vlorën kanë folur shumë njerëz, janë shkruar dhe shumë poezi. Kjo ditë mbart një peshë të madhe, një emocion të fuqishëm, të cilën është e vështirë ta përballojnë familjarët e saj, veçanërisht nëna e saj, motrat dhe babai. Por nëna duket shumë e prekur, e ka dhimbjen thellë në shpirtin e saj. Duhet kujdes me të… familjarët kanë shumë incizime nga aktivitet e saja, por nuk mund t’i nxjerrin në këto momente, nuk mund t’i shikojnë, sepse nuk i përballojnë dot emocionet e fuqishme të dhimbjes.

Vlora kishte arritur formimin e saj shkencor dhe profesional në mënyrë të shkëlqyer dhe kur ishte renditur ndër njerëzit exelentë, në radhët e shkencëtarëve me emër në botë në fushën e farmaceutikës ndodhi kjo fatkeqësi. Është e trishtueshme kur mendon se ajo vajzë shqiptare nga Kosova, e lindur me 20. 03. 1982, në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë, nuk jeton më fizikisht. Vërtetë u bë një vit nga humbja e kësaj jete të re, por emri dhe vepra e saj jeton jo vetëm nëpër sirtarët e akademive, por në zemrat e gjithkujt që e njohur. E çuditshme jeta! Njerëzit lindin dhe ndahen nga jeta, por mosha dhe aftësitë e Vlorës nuk kishin arritur në atë pikë që të largohej kështu, duke lënë pas emrin, aftësitë, virtytin e lartë dhe dhimbjen në shpirtin tonë. Ajo duhej të jetonte, sepse i tregoj botës vlerat e saj. Ajo ishte e para dhe e vetmja nxënëse emigrante, që në gjithë historinë e gjimnazit në Vjenë nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës, por arriti që të vazhdonte dhe ta mbaronte gjimnazin me rezultate të larta dhe në një kohë rekord, duke u cilësuar për këtë një rast i veçantë në historinë e këtij gjimnazi. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë si një ngjarje e madhe.

Vlora ishte bijë e një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe Kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri. Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin “Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës.

Arritjet e kësaj vajze shqiptare nisën herët. Me aftësinë, këmbënguljen dhe pasionin e saj përfundoi fakultetin e Farmacisë me arritje të larta në kryeqytetin austriak, Vjenë. Gjithashtu Vlora mbrojti dhe Temën e Magjistraturës në Tokio të Japonisë me Profesorin e njohur japonez, shkencëtar në fushën e tij, Asakawa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke arritur të vlerësohet me notë të lartë, nga një paraqitje dinjitoze me një mbrojtje të shkëlqyeshme, ku la mbresa të veçanta nga ekipi që monitori mbrojtjen e Temës së kësaj vajze me ambicje shkencore dhe profesionale në rrugën e nisur tashmë nga ajo dhe që kërkonte t’i shkonte deri në fund, jo vetëm përgatitjes shkencore dhe profesionale, por dhe zbulimeve të reja në këtë fushë.

Kjo vajzë shqiptare, shkencëtarja kosovare, vazhdoi të punojë në Universitetin e Vjenës, në sektorin e njohur laboratorik për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën mikrobiologjike. Puna e saj shkencore dhe hulumtuese i dha të drejtën që ajo të prezantojë Universitetin e Vjenës në disa Kongrese Botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë dhe mikrobiologjisë, ku mori vlerësime të larta për rezultatet e saja të arritura hulumtuese. Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore me plot dinjitet shkencor dhe siguri profesionale.

Studimet e doktoraturës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës dhe Austrisë në përgjithësi.

Vlora, nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolës edhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës. Ajo ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjise molekulare në botë.

Paisja e saj me dijet shkencore, me metodat e kërkimit shkencor, aftësia për të punuar dhe hulumtuar në këtë fushë ku ajo u kualifikua, i dha asaj krenarinë dhe dinjitetin shkencor dhe përfaqësimin e kombit të saj shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke treguar kështu se kombi ynë është komb me vlera dhe tradita, ashtu siç ka patur në histori shembuj të tjerë në të gjitha fushat e jetës. Prandaj puna shkencore afirmative e studiueses kaq të re shqiptare tregon se është një shembull që duhet ditur dhe nga gjenerata e re dhe meriton vlerësimin maksimal nga të gjithë, për t’u bërë një shembull udhëheqës në të ardhmen e tyre për ambicje të reja profesionale dhe shkencore në rrugët e tyre në jetë.

Duhet theksuar dhe mësuar nga të gjithë brezat e ardhshëm shqiptarë se Vlora Mehmeti –Tërshani u lind në fshatin Beçiq (Besnik) të Drenicës, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në Vushtrri, Gjimnazin dhe Universitetin në Vjenë, gjithmonë me sukses të shkëlqyesheme. Vlora bëri histori në gjimnazin “Schopenhausesstrasse BRG 18 të Vjenës dhe në historinë e këtij gjimnazi është e para dhe e vetmja nga nxënësit e ardhur, e cila nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Pra, ajo vinte nga një familje e thjeshtë shqiptare e Kosovës, me një edukim dhe personalitet të formuar, por mbi të gjitha me një dëshirë dhe vullnet të pamposhtur drejt dijes. Dija, kultura dhe edukata nuk janë monopol i familjeve “aristokrate”, por janë “pronë” e atyre që duan dhe dinë të punojnë me vullnet dhe dashuri për të arritur objektiva.

Lajmi i hidhur i vdekjes së saj para një viti pati tronditur jo vetëm familjen e saj të nderuar, por gjithë opinionin shoqëror e kombëtar, gjithë botën shkencore akademike, që e njohën dhe e kuptuan se kush ishte Vlora Mehmeti – Tërshani. Kjo ishte një humbje e thellë për familjen, që gjithë jetën punuan ndershmërisht për të edukuar dhe formuar fëmijë, të cilët do të ishin e ardhmja e plotësuar edukative dhe shkencore e shoqërisë. Ky lajm i dhënë nga stomatologu,  Xheladin Ujkani, njëherësh drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, përfaqësuese e së cilës organizatë për Austri ishte edhe e vetë e ndjera, tronditi gjithë kombin dhe botën shkencore – akademike.

Punimet e saja shkencore janë botuar në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore dhe janë vlerësuar në të gjitha qarqet akademike – shkencore si hulumtime shkencore të suksesshme. Ajo ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.

Dhe z. Enver Hoxha, ministër në qeverinë e Kosovës, gjatë ngushëllimit të familjeve Mehmeti e Tërshani para një viti, mes të tjerash, tha: “Humbja e një shkencëtareje kaq të zellshme është humbje e madhe për kombin e shkencën në përgjithësi.  Të kryesh Doktoratë në UN e Vjenës do shumë mund e sakrificë, andaj Vlora, me rezultatet e hulumtimeve të saj, ishte e nivelit evropian e botëror. Puna e saj shkencore do shkëlqejë bashkë me kujtimin e përhershëm për Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani.” Dhe ne, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të kësaj vajze të re shkencare, shprehim ngushëllimet tona për familjet Mehmeti nga Vushtrria dhe Tërshani nga Shtimja për këtë humbje kaq të madhe familjare, kombëtare dhe shkencore.

 

 

Please follow and like us: