Albspirit

Media/News/Publishing

Obama reagon ashpër ndaj deklaratave të Trump

Presidenti Barack Obama ndërmori një hap të pazakontë, duke u përfshirë në fushatën presidenciale dje, kur kritikoi ashpër republikanin që do që ta pasojë atë në Shtëpinë e Bardhë, miliarderin Donald Trump. Presidenti iu përgjigj i indinjuar zotit Trump për propozimin e tij për ndalimin e myslimanëve dhe tha se retorika e zotit Trump i bën më pak të sigurta, Shtetet e Bashkuara.

Pasi u takua me këshilltarët e tij të sigurisë në Departamentin e Thesarit, lidhur me ngjarjen në Orlando, Presidenti Obama shumë shpejt e drejtoi vëmendjen tek propozimi i Donald Trumpit për ndalimin e myslimanëve.

“Nëse biem në kurthin e përgjithësimit për myslimanët dhe sugjerojmë se jemi në luftë me të gjithë atë fe, atëherë ne po bëjmë lojën e terroristëve”.

Presidenti iu përgjigj fjalimit që zoti Trump mbajti të hënën, ku fajësonte administratën e zotit Obama dhe Hillary Clintonin, për politika që Trump tha se ndihmonin terroristët.

Zoti Obama tha se shprehje të tilla janë të rrezikshme dhe dëmtojnë përpjekjet amerikane për të fituar mbështetjen e myslimanëve të moderuar.

“A janë dakord republikanët me këtë? Sepse kjo nuk është Amerika që duam. Nuk reflekton idealet tona demokratike. Nuk do të na bëjë më të sigurt, do të na bëjë më pak të sigurt”.

Duke bërë fushatë në Pensilvani, Hillary Clinton reagoi ashpër ndaj zotit Trump, për sugjerimin e tij se Presidenti po merrte anën e terroristëve.

“Edhe në një kohë ndasish politike, kjo e tejkalon çdo kufi për atë që duhet të thotë dikush që kandidon për president të Shteteve të Bashkuara”.

Në fjalimin e tij të hënën, zoti Trump tha se do ta pezullonte imigracionin nga pjesë të botës me një histori terrorizmi.

Zoti Trump sulmoi gjithashtu zonjën Clinton:

“Plani katastrofik i Hillary Clintonit për imigracionin do të sjellë shumë më tepër imigrantë radikalë islamikë në këtë vend, duke kërcënuar jo vetëm shoqërinë tone, por të gjithë mënyrën tonë të jetesës”.

Zoti Trump po has kritika për idenë e tij për myslimanët edhe nga vetë republikanët, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Myslimanët janë partnerët tanë. Shumica e myslimanëve në këtë vend dhe në gjithë botën janë të moderuar, janë paqësorë, janë tolerantë”.

Shkëmbimet e ashpra mes Presidentit Obama dhe zotit Trump, janë një kujtesë e përçarjeve të thella politike në vend dhe fushatës së hidhur që kemi përpara, thotë analisti Norm Ornstein:

“Të gjithë e dimë që kemi këtë sistem tmerrësisht të polarizuar politik, por tani është bërë klanor. Është identiteti klanor që po udhëheq ecurinë e ngjarjeve dhe gjithnjë klani kundërshtar shihet si armik, jo thjesht si kundërshtar”.

Dëshira e Presidentit për t’u përfshirë në debat, lë të kuptohet se zoti Trump, mund të përballet në fakt me dy kundërshtarë demokratë në zgjedhjet e përgjithshme, Hillary Clinton dhe Barack Obama.

Please follow and like us: