Andi Bushati: Rama qeveris, fajet i bën opozita!
Fjalimi i Edi Ramës para deputetëve është përshkuar nga një llogjikë absurde: “ne qeverisim, opozita gabon”. Sipas tezave të tij të shqiptuara me zë të ulur dhe me ton të sigurtë, nëse në Shqipëri vendi do të drejtohej keq, Saimir Tahiri nuk do të qe i pezulluar nga aktivitetet politike, Agron Xhafa nuk do të vuante burgun në Itali dhe Rexhep Rahman Rahja nuk do të qe në qeli. Ky është virtyti i Rilindjes ndërsa “llafollogjia e mejhaneve mediatike” dhe “lehaqenjet e kazaneve politike” janë fajtorë se i kanë keqpërdoruar këto raste.
Kaq në ekstrem e çoi kryeministri abstragimin e tij sa vërtetoi se edhe tritolin e fundit në shtëpinë e Xhisielës e kishte vënë PD-ja, sepse vetëm asaj i interesonte të tregonte se vajza po mbahet peng.
Eshtë e njëjta llogjikë si në vjeshtën e 2014 kur ai hodhi në publik hipotezën se rrëzimin e avionit të Xhorxho Riformatos në Divjakë e kishin inskenuar demokratët, pasi nuk kishte mundësi tjetër që ai të binte në mes të ditës, gjatë fundjavës dhe në një plazh plot me njerëz.
Sado haluçinant të duket ky qëndrim le të provojmë për një çast të shkojmë pas fijes së tij llogjike.
Le të pranojmë se biseda e përgjuar e Albert Veliut ishte një shpikje.
Le të besojmë se Saimir Tahiri është i pastër si bora dhe se e gjitha ishte një gënjeshtër e Dritan Zaganit.
Le të bindemi se Taulant Balla ka qenë për peshk dhe nuk ka shkelur kurrë në Krujë dy vitet e fundit.
Pra le ti marrim këto të mirëqena dhe fajësojmë edhe ne mejhanen e Shqupit të shndërruar në kinostudio.
Të imagjinojmë për një çast se fajet e vetme në këtë vend i ka PD.
Por përsëri as kështu nuk del llogaria.
Sepse pa u bërë dy vite denoncime rresht, lidhja e Saimir Tahirit me Habilajt quhej një çmenduri. Sepse ata që guxonin ta shqiptoinin etiketoheshin si makineri balte dhe bashkëpuntorë të një bashkëpuntori të trafikantëve.
Sepse pa u bërë zhurmë për denoncimin e “Babales”, Agron Xhafaj do vazhdonte të endej ende i lirë rrugëve të këtij vendi, dhe do vijonte të bënte para me bizneset e tij, megjithëse kishte një vendim të formës së prerë në Itali.
Sepse pa u vënë gishiti mbi Taulant Ballën dhe pa u denoncuar dhuna makabre, Xhisiela do vazhdonte të keqtrajtohej dhe askush nuk do pranonte ta merrte denoncimin ndaj përdhunuesit të saj me pushtet.
Natyrisht, shembujt e mësipërm nuk janë një justifikim i tezës se e keqja luftohet përmes së keqes. Se duhen prodhuar gënjeshtra për të shkuar tek e vërteta.
Por, ato tregojnë se rastin më të mirë vënia në vend e drejtësisë është ndihmuar nga denoncimet e kundërshtarëve të Ramës dhe se në rastin më të keq, pa “shpikjet” e tyre, keqëbërësit do të vazhdonin të krekoseshin të pandëshkuar.
Ky është thelbi i problemit. Kjo është përgjigjja që duhet të japë kryeministri: pse ai ka ngritur një sistem aq të korruptuar dhe të kriminalizuar, sa duhen “shpikur” stuhi të tëra për të t’u vënë në vend të vërteta të thjeshta.
Por, nga që s’bën dot këtë, Rama merret me opozitën. Ndonëse, që prej zgjedhjeve të shkuara, ai nuk ka më punë me të. Që kur i kërkoi shqiptarëve votën për të bashkëqeverisur, ai lloogarinë duhe ta japë para aleatëve të koalicionit të vet. Atyre duhet tu shpjegojë, se pse nuk shkëputej dot nga Saimir Tahiri derisa problemin e tij ia ngritën në Berlin, se pse e favorizonte vëllain e ministrit dhe pse e mbronte djalin e deputetit?
Ai s’ka dot një përgjigje për “aleatin” e vet popull, prandaj ka shpikur gjetjen absurde: “Unë qeveris, fajet i bën opozita”./Lapsi.al/