Albspirit

Media/News/Publishing

Rrugëtimi historik i familjes Vasjari

 

Dr. Dorian Koçi

 

Historia e dyqind vjetëve të fundit të Shqipërisë është ende jo fort e studiuar përsa i përket kontributit të veçantë të figurave të ndryshme historike. Tisi i kohës ka hedhur shumë pluhur mbi ta dhe në disa raste edhe ka shërbyer për të ndryshuar hierarki të ndryshme ngjarjesh dhe vlerash historike. Historiografia kombëtare shqiptare është e re dhe, nën presionin e ideologjive, shpesh herë ka përshtatur përshkrimin e ngjarjeve dhe rolin e figurave historike në këto ngjarje. Fakti që disa eksponentë të rëndësishëm të kësaj familjeje u arrestuan dhe u dënuan me vdekje nga regjimi komunist, ka qenë përcaktues në historiografinë zyrtare për të shkruar dhe kontributin e personaliteteve historikë Vasjari në historinë e Shqipërisë.

Një rast i tillë në historinë zyrtare të Shqipërisë së Jugut është përshembull kontributi i familjes Vasjari, e cila për mëse se 200 vjet ka qenë pjesëmarrëse dhe ka luajtur një rol qendror në ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë. Libri “Oxhaku Vasjari” përpiqet të ndriçojë disa nga këto ngjarje, duke evidentuar rolin dhe fatin historik të familjes Vasjari përgjatë dy shekujve.

Ky punim, pavarësisht titullit të tij, nuk duhet kuptuar si një kronikë e thjeshtë familjare, por si një kronikë e hapur historike e ngjarjeve të tilla të rëndësishme, si: lindja, forcimi dhe rënia e Pashallëkut të Janinës, kryengritjet antiosmane të Shqipërisë së Jugut, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Lushnjës, Lufta Antifashiste etj. Këto ndjesi lexuesve dhe studiuesve të historisë do t’u përforcohen më tepër duke vëzhguar lidhjet dhe aksionet e përbashkëta patriotike të kësaj familjeje me Ali Pasha Tepelenën, Tafil Buzin, Çelo Picarin, Zenel Gjolekën, Abdyl Frashërin, Mithat Frashërin etj.

Për këto arsye, ky libër e kalon interesin e “një oxhaku”, pasi jepen shumë ngjarje dhe histori kombëtare të cilat rrëfehen për herë të parë. Kështu përshëmbull, është interesant regjistrimi nga Mit’hat Frashëri i “Rrëfimeve të Veli Vasjarit” për Kongresin e Lushnjës, dokumentat arkivore për rolin e Syrja Vasjarit në lëvizjen antifashiste në jug të Shqipërisë etj. Po kaq interesant është figura e Ago Vasjarit, kryekomandantit të Ali Pashës e vulëmbajtësit të tij, i cili njihet shumë pak në histografi në tonë. Rebelimi i Ali Pashë Tepelenës, edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste, ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë Osmane që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Kjo frymë kundërshtuese dhe sendërtuese e një identiteti tjetër, përtej atij fetar, siç është fillesa e identitetit kombëtar, u ndjenë në lëvizjet kundër reformave centralizuese osmane në vitet 1828-1850. Në këto vite në Shqipërinë e Jugut, në të gjitha besëlidhjet që organizohen është i pranishëm Veiz Vasjari, vëllai i Ago Vasjarit, i cili së bashku me Tafil Buzin, Çelo Picarin, Zenel Gjolekën etj, ishin organizatorët e lëvizjeve kundër reformave centralizuese osmane në vitet 1828-1850.

Lëvizjet antiosmane të viteve ‘20,’30 e ‘40 të shekullit XIX në kuadër të luftës kundër centralizimit të perandorisë turke krijuan kundërvëniet e para serioze pas 3 shekujsh pushtimi. Rëndësia e këtyre kryengritjeve qëndron në faktin që shqiptarët myslimanë u ngritën në kryengritje kundër pushtetit turk që faktikisht duhej të konsiderohej si i tyre. Në këtë kohë nis dhe procesi i gjatë pararilindës i ngjizjes së idesë mbizotëruese se shqiptarët në rrugën e tyre drejt pavarësisë apo afi rmimit të tyre si komb, duhet ta shmangnin faktorin fetar dhe të bënin të tyren dy faktorë të tjerë: gjuhën shqipe dhe figurën mitike të heroit të tyre kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeut.

Në vitet e periudhës së Rilindjes Kombëtare, ku Lidhja e Janinës më 1877 krijohet nga Abdyl Frashëri, në krah të tij ishte Myslim Vasjari, nipi i Ago Vajarit. Ky fakt dëshmon se influenca dhe rëndësia historike e kësaj familjeje i kapërcente kufi jtë lokalë të origjinës së tyre, duke fituar një dimension mbarëkombëtar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë, e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshme shqiptare në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve.

Në çdo periudhë të historisë ka qenë një përfaqësues i kësaj familjeje për ta përcjellë stafetën te pasardhësit, duke qenë gjithmonë në krye të zhvillimit politik të vendit. Ajo që të bën përshtypje nga këta personazhe është fakti se edhe pasardhësit e tyre i ruajnë lidhjet dhe bashkëpunimin në çështjet kombëtare me pjesëtarë të familjeve të tjera të dëgjuara që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kështu, në qoftë se vëllezërit Ago Vasjari dhe Veiz Vasjari bënë histori në kohën e Ali Pashës dhe fillimit të Rilindjes Kombëtare së bashku me Çelo Picarin, Tahir Abazin, Tafil Buzin, Zenel Gjonleka etj, nipërit dhe fëmijtë e tyre, si: Myslim Vasjari apo Ibrahim Vasjari në Lidhjen e Janinës 1877-80 ishin në krah të Ibrahim Osman Tahir Dragotit, Ilias Çelo Picari, Myslim Zenel Gjoleka etj. Kjo lidhje ka vazhduar edhe më vonë në kohën e luftës kundër pushtyesve të huaj në vitet 1939-44, duke u fuqizuar edhe nëpërmjet krushqive midis tyre.

Një tjerër veçanti e këtij libri është shtrirja kohore 200 vjeçare, e cila fillon me Ago Vasjarin, në kohën e Ali Pashës dhe përfundon në vitin 1944, me mbarimin e Luftës II Botërore. Periudha e formimit të shtetit shqiptar 1912-1944 përfaqësohet nga Veli Vasjari, i cili për nga dendësia e veprimtarisë kombëtare dhe dokumentacionit, zë një vend të konsiderueshëm në këtë libër. Veli Vasjari ishte nënprefekt i Lushnjës gjatë kohës që u mbajt Kongresi.

Mbajtja e Kongresit të Lushnjes ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë, por më në fund ai arriti të mbahej duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u përshëndetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i një aleance të të gjitha shtresave e grupimev politike, e cila i dha shpejt frytet e saj. Rezultati i parë i Kongresit të Lushnjës ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës, që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht në 1913. Lufta e Vlorës i dha fund pushtimit Italian në Shqipëri dhe kohezionin e duhur të brendshëm shqiptarëve për të marrë fatet e vendit në duart e veta.

Kjo tendencë në mendimin patriotik shqiptar do të mbizotëronte si ide gjatë gjithë rrugëtimit të mëvonshëm shtetformues shqiptar. Periudhën e luftës 1939-44, autorët e përfundojnë me dy personazhe interesantë, Syrja Vasjari dhe Halil Vasjari, të rreshtuar në kahe të ndryshme politike të kohës, por të njëjtë përsa i përket interesit kombëtar. Lufta jonë kundër nazifashizmit përfshiu shumë njerëz, fate njerëzore e personazhe që do të shenjonin historinë e mëvonshme 50-vjeçare së Shqipërisë, por në asnjë rast korruptimi i idealeve të atyre që morën pjesë në luftë nga ata që volën frytet e fitores, duke u shndërruar në udhëheqës që shkelën mbi idealet e ëndrrat e shokëve të tyre në luftë, nuk duhet ngatërruar duke përbaltur protagonistët dhe njerëzit e thjeshtë që vunë gjakun dhe sakrifi cat e tyre në shërbim të atdheut.

Duke shfletuar këtë libër shikon të pasqyruar historinë tonë kombëtare si një kaledeskop gjithë ngjyra ku, mbi të gjitha, mbisundon patriotizmi për Shqipërinë. Libri në kapitullin e fundit është i pajisur dhe me dokumenta për historinë 200 vjeçare të Shqipërisë, të cilat e pasurojnë brendinë e tij. Roli i historisë është i rëndësishëm në formimin e njeriut: “Nescire qui ante quam natus sis acciderit, id est semper esse puerum”- Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh tërë jetën kalama, – thotë Ciceroni; dhe në këtë libër ka shumë gjëra për të njohur e maturuar lexuesit e të gjitha moshave. Në këtë drejtim ai mbetet një sfidë e hapur sa ndaj autorëve, por edhe ndaj lexuesve.

Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

 

Please follow and like us: