Ida Nurçe: Kisha dhe Xhamia është brenda jush…
Ese
Nëse nuk keni çfarë të bëni, më mirë duajeni njeri tjetrin! Falini buzëqeshje njeri-tjetrit!
Nëse nuk keni çfarë të bëni, shkoni tek prindërit tuaj, respektojini, duajini, përqafojini, kaloni kohë me ta, e pastaj filloni punën tuaj! Ata luten t’ju shohin sytë. Bëjini krenarë dhe mbushjuani sytë me lotë gëzimi!
Nëse nuk keni çfarë të bëni, telefonojuni atyre që i keni larg! Lëreni krenarinë! Shprehuani dashurinë! S’ka gjë nëse nuk ju kthehet mbrapsht, bëjeni për shpirtin tuaj! Mbusheni atë me dashuri!
Nëse nuk keni çfarë të bëni, buzëqeshini atij që shpinën e ka të kërrusur nga hallet! Dhurojini një përqafim! Nuk mund t’i rregullosh jetën, por do e bësh të ndjehet më mirë!
Nëse nuk keni çfarë të bëni, ndihmoje komshinë e varfër! Falja një pjesë të ushqimit tënd, qoftë edhe atë që ngelet nga ajo që ke ngrënë ti! Për ty është asgjë, për atë mund të jetë gjithçka.
Nëse nuk keni çfarë të bëni, mos dëgjoni çfarë tha ky dhe ai, apo kjo dhe ajo, nëse nuk ke diçka të mirë për të thënë, më mirë mos thuaj asgjë!
Nëse nuk keni çfarë të bëni, nëse nuk bëni dot mirë, më mirë mos bëni asgjë!