Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: Ngjarja e Bularatit përtej nacionalizmit

 

 

 

Ngjarja në Bularat tregoi edhe njëherë se sa i gabuar dhe jo-ligjor ishte vendimi për të lejuar ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë. Ngritja e këtyre varrezave as nuk është e justifikuar sepse, siç kam thënë edhe në shkrime të tjera, ushtarët duhet të nderoheshin në tokën e tyre, por është edhe një vendim që vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare. Grekërit me dinakërinë shekullore, me të cilin i janë përqasur marrëdhënieve me ne, i duan këto varreza për t’i pasur mollën e sherrit gjithmonë midis nesh dhe tyre.

Përtej diskutimit nëse kjo histori në Bularat është provokuar nga grekët apo jo, është e rëndësishme të flasim për detyrimet kushtetuese që kanë qytetarët shqiptarë dhe të huaj kur veprojnë në territorin shqiptar, por edhe detyrimet kushtetuese që institucionet kanë gjithashtu.

Asnjë qytetar i huaj nuk mund të provokojë dhe cënojë sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe as nuk mund të kundërshtojë me armë forcat e rendit. Nga ana tjetër forcat e rendit, në rastin konkret forcat RENEA kanë detyrim ta garantojnë rendin dhe si të tillë këto forca kryejnë veçse detyrën kur përgjigjen me armë ndaj dikujt që kundërpërgjigjet me armë ndaj tyre.

Ulja e flamurit grek është “gozhda”, pra mjeti për të justifikuar qëllimin e incidentit. Po edhe sikur të ishte kështu a e përligj kjo veprimin e “mos të dorëzuarit”?! Përse nuk duhej të dorëzohej ky “i qëlluari” dhe përse duhet të qëllonte mbi forcat RENEA?!

Bindja ligjore nuk varet dhe nuk përcaktohet nga nënshtetësia që mban individi. Siguria kombëtare dhe dinjiteti kombëtar nuk janë koncepte abstrakte, por konkrete dhe jetëzimi i tyre bëhet i mundur nëpërmjet veprimit dhe jo nëpërmjet mosveprimit.

Shqipëria ka kushtetutë, institucione të cilat kornizojnë garantimin e të drejtave, por edhe detyrimeve dhe nuk mund të preken nga asnjë dhe askush. Asnjë shtet nuk mund të bëj ligjin e vet në një shtet tjetër sovran. Dhe nëse përpiqet ta bëj këtë, atëhere reagimi është jo vetëm detyrim, por edhe e drejtë gjithashtu. Ky është standard ligjor ku politika dhe nacionalizmi i kujdo shteti qoftë duhet të qëndroj larg…

Please follow and like us: