Albspirit

Media/News/Publishing

Republikanët e Kosovës i shkruajnë presidentit Meta: Duam pasaportë të Shqipërisë

Shumë i nderuar President i Shqipërisë, z. Ilir Meta,

Duke vlerësuar impenjimin dhe kontributin tuaj të deritanishëm, në krye të Presidencës së Shqipërisë, ju drejtohem me shpresë se kjo letër-propozim do të jetë në vëmendjen tuaj të vecantë. Roli i Presidentit të shtetit amë Shqiptar ka qënë gjithëherë, për ne shqiptarët e Diasporës dhe të trojeve të tjera, simbol unifikues identitar e kombëtar, ndaj edhe tani në kushtet e izolimit kërkojmë një angazhim më aktiv dhe të vendosur nga Shqipëria.

Unë në pozitën e kryetarit të Partisë, Republikanët e Kosovës, REK me shqetësim dhe angazhim po ndjekim momentumin në të cilin ndodhemi si Komb.

Në kushtet e izolimit nga Europa që u definua nga mosliberalizimi i vizave me Kosovën, shqiptarët duhet të vendosin të marrin në dorë fatet e tyre.

Integrimi europian është projekti për të cilin ne kemi punuar gjatë dhe mbetet qëllimi ynë final.

Por, pa bashkim dhe bashkëpunim të shqiptarëve ndjërmjet vetes, a mund të kemi bashkëpunim me vendet fqinje?

Bashkëpunimi rajonal është një nga kushtet që BE-ja na ka vendosur që ne të mund të vijojmë procesin e anëtarësimit në strukturat europiane, por si mundet të pretendojmë bashkimin me vendet e tjera të rajonit apo më gjerë, kur bashkëpunimi mes shqiptarëve është në stanjacion dhe ka mbetur më së shumti në nivelin e retorikës.

Bashkimi i shqiptarëve sjell stabilitet dhe zhvillim ekonomik dhe do të ishte factor paqeje në të gjithë rajonin, ndaj ne duhet të potencojmë pikat tona më të forta, sprovuar edhe në sfidat historike që kemi kaluar si komb.

Ndonëse deri më tani ka tingëlluar epike dhe patetike, Bashkimi ose më saktë, ai që unë e cilësoj si Ribashkim Kombëtar duhet të jetë projekti dhe koncepti për të cilin cdo shqiptar duhet të punojë, aq më tepër ne që kemi zgjedhur politikën si mision dhe shërbim.

Shumë herë është folur dhe artikuluar procesi i pajisjes me Pasaporta Shqiptare të të gjithë Shqiptarëve që janë dhe ndjehen të tillë, por fatkeqësisht për shumë arsye pak është bërë në këtë drejtim.

Pajisja me pasaporta shqiptare do të sillte lehtësime me karakter identitar dhe ekonomik, benefitet e të cilave do të fillonim ti shihnim shumë shpejt dhe askush nuk duhet të frikësohet nga kjo e drejtë legjitime e çdo shqiptari.

Me kënaqësi, kam vënë re se ju personalisht keni bërë diçka më shumë në këtë drejtim duke pajisur me pasaporta të Shqipërisë, personalitete të artit apo sportit por besoj fort se kjo duhet shtyrë më tej. Të gjithë shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë në Kosovë, Mal të Zi, Iliridë apo në Diasporë duhet të pajisen me pasaporta të Shqipërisë nëse e dëshriojnë një gjë të tillë. Publikisht e kam artikuluar këtë ide në median shqiptare por e shoh të domosdoshme t’ju drejtohem drejtpërsëdrejti duke e ngritur çështjen në nivel institucional.

Republikanët e Kosovës, REK si një forcë progresiste në skenën politike të Kosovës dhe unë personalisht si Kryetar i saj, e shohim si të domosdoshme pajisjen me nënshtetësi shqiptare të gjithë shqiptarëve të trojeve.

Është një e drejtë legjitime që do ti hapte rrugën Ribashkimit Kombëtar.

Të gjithë Shqiptarët, kudo që ata të jetojnë dhe veprojnë të pajisen me një Pasaportë Shqiptare siç e parasheh edhe vetë Ligji për marrjen e shtetësisë së Shqipërisë.

Thuajse të gjitha shtetet Europiane, ofrojnë nënshtetësinë e shteteve të tyre për ata të cilët e sjellin një dokument me të cilën mund të verifikohet prejardhja e tyre kombëtare edhe nëse kjo i përket disa gjeneratave më parë.
Marrim rastin e Gjermanisë, iniciuar nga ish kancelari Helmut Kohl, pas bashkimit të dy Gjermanive propozoi pajisjen me pasaporta gjermane për të gjithë ata që verifikonin prejardhjen edhe të largët të origjinës gjermane.

Askush nuk u dëmtua nga ky projekt gjerman në mes të Europës, përkundrazi bashkimi i Gjermanisë u kthye në bazament për një Europë më të bashkuar, më solide dhe më të zhvilluar.
Shqiptarët e Kosovës, Iliridës, Luginës së Preshevës, Sanxhakut, Malit të Zi, Çamërisë e deri në Turqi kanë dokumentacion që vërteton prejardhjen dhe gjakun e tyre shqiptar me gjenerata me radhë ndërkohë që kjo përkatësi legjitime, nga ana e shtetit amë/shqiptar, kjo e drejtë deri më tani ju është mohuar pa asnjë lloj arsyetimi!

Në kushtet kur ekuilibrat e aleancave dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kanë ndryshuar ne shqiptarët duhet të jemi në sintoni dhe të përgatitur për këto zhvillime. Vonesat do të ishin vetëm në disfavorin tonë si shtete dhe si komb, e në rast vonese me të drejtë do të thuhej “ai që vjen vonë, atë e dënon jeta”.

Prof. Faton Kurti
Kryetar i Republikanët e Kosovës, REK

Please follow and like us: