Albspirit

Media/News/Publishing

Ndihma pa kushte e Marianë Graff për Shqipërinë

 

Dr. Xhoi Jakaj

Marianë Graff, konsulle e nderit në Shqipëri dhe presidente e organizatës humanitare unike “Partneriteti Shqipëri-Austri”.

Profesioni saj si pedagoge, veprimtaria e saj në fushat e metodologjisë dhe didaktikës së arsimit për të rritur dhe për studentë, udhëtimet e shumta studimore kudo nëpër  botë si dhe dy specializime universitare në degët e politikave të zhvillimit dhe të ekonomisë botërore, përbëjnë formimin e saj vderi në vitin 1992, kur rastësisht erdha për herë të parë në Shqipëri, shprehet ajo. Ishte vendi që kishte përjetuar diktaturën më të përgjakshme dhe më të çmendur në të gjithë ish Bllokun Lindor, e cila e kishte izoluar vendin plotësisht nga bota e jashtme për pothuajse 50 vjet duke e kthyer Shqipërinë në të parin dhe të vetmin vend ateist në botë. Mosbesimi, frika, apatia, mungesa e orientimit dhe e shpresës, përveç urisë dhe mungesës së plotë të burimeve të të ardhurave, karakterizonin jetët e njerëzve, sidomos në zonat larg kryeqytetit. E prekur nga kushtet e tmerrshme të jetesës dhe nga rrënimi psikologjik i këtij populli, mu në gjirin e Europës, themelova bashkë me bashkëshortin tim, dipl. inxh. Wilhelm Graf, organizatën humanitare unike “Partneriteti Shqipëri-Austri”.

Si mësuese e përkushtuar, fillimisht besoja se duke rinovuar një shkollë të shkatërruar, unë e kisha dhënë tashmë ndihmesën time. Deri ditën kur u përballa me dimrin e egër dhe mjerimin e pabesueshëm të maleve shqiptare. Nuk mund të rrija duarlidhur. Duhet të zgjidhja: të ndihmoja, kur të kisha mundësi e dëshirë, si të bëhej fjalë për një aventurë, apo të angazhohesha pa kushte, për t‘u dalë krah shtresave në nevojë të lëna në harresë, duke marrë parasysh gjithë mundimet dhe vuajtjet që më prisnin.

Vendosa për këtë të fundit. Vendosa t‘u dal krah të pashpresëve, atyre që nuk u dëgjohet zëri; vendosa të kundërshtoj padrejtësitë shoqërore duke forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin e arsimit, duke ngritur projekte për kapërcimin e mungesave materiale dhe shpirtërore. Është e rëndësishme për mua që t‘u vij në ndihmë njerëzve, me qëllim që të gjejnë mundësi për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre, për të mos përfunduar në rrethinat e varfra të qyteteve të mëdha. Motot e mëposhtme ishin dhe mbeten udhërrëfyese:

Ndihma u vjen shtresave në nevojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa hallka ndërmjetëse, duke u shoqëruar me takime intensive me njerëzit dhe bashkëpunim të bazuar në vlerësimin për ta.

Çdo donacion shkon pa përjashtim për realizimin e projekteve, pasi të gjitha shpenzimet administrative, ato të udhëtimeve si edhe për materialet informuese mbulohen financiarisht nga bashkëshorti im dhe unë.

Qëndrueshmëria e sukseseve të projekteve mund të sigurohet duke përfshirë ngushtë në to banorët e zonës, në bazë të bashkëpunimit me koordinatorin shqiptar, Skënder Thaçi. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë, komunat dhe autoritetet lokale synon në dhënien e ndihmës pa marrë parasysh përkatësinë partiake, fetare apo mendësinë personale. Ky ka qenë një parim bazë për mua qysh prej fillimit. Punimet ndërtimore kryhen pa përjashtim me fuqinë punëtore shqiptare; pajisjet sigurohen sa më shumë të jetë e mundur nga kompanitë private shqiptare.

Të kultivojmë vlerat në vendin partner!

Të luftojmë papunësinë në mënyrë efikase!

Popullsia e zonës të identifikohet me projektet e zhvillimit!

Deri më sot janë ngritur nga organizata ime private, pa ndihmë shtetërore, mbi 130 objekte ndërtimore – shkolla, stacione të ndihmës mjekësore, kopshte fëmijësh, streha sociale, qendra arsimore, qendra rinore dhe sportive, ura, ujësjellës, projekte kanalizimi, pyllëzimi e shumë të tjera duke përfshirë edhe shumë projekte pilote. Përveç këtyre janë furnizuar rreth 30.000 familje në 54 komuna me paketa të mëdha me veshje e ushqime.

Puna e jashtëzakonshme u mirëprit. Angazhimi im i palodhur u nderua me çmimet nga më të lartat kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre:

  • Urdhëri Nënë Tereza.
  • Kandidate e Europës për “HUMANITARIAN AWARD” në San Diego/SHBA krahas Paul Newman dhe mbretit të Tajlandës.
  • “Humanity Award” i dorëzuar nga Mikhail Gorbaçov dhe Helmut Kohl.
  • Kandidate në vitin 2007 për Çmimin Nobel të Paqes – e propozuar nga një platformë me 100 emra nga Shqipëria dhe Kosova (2 presidentë, kryeministra, parlamentarë, përfaqësues të të gjitha partive, disa rektorë dhe intelektualë me emër).
  • Doktoratë nderi nga Universiteti i Shkodrës.
  • Titulli më i lartë i Vatikanit, çmimi “DAME e Urdhrit të Shenjtit Silvester”.
  • Qytetare nderi 11-herë në Shqipëri. Sheshi kryesor dhe rruga kryesore në Rubik mbajnë emrin Marianne Graf.
  • Konsulle nderi e Republikës së Shqipërisë.
  • Çmimi Felix Ermacora për të Drejtat e Njeriut – Parlamenti i Vjenës.
  • Titulli më i lartë shtetëror “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.

Falënderimi më prekës për mua ishte një fjali, e shkruar nga komiteti propozues për Çmimin Nobel të Paqes:  “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e saj humanitare të pashembullt në Europë, por edhe në mbarë botën.

——————————

Xhoi Jakaj, doktore shkencash, pedagoge, ka bërë dhjetra aktivitete bamirësie ndër vite dhe ka ndihmuar persona me pamundësi ekonomike. Autore e disa librave për adoleshentë dhe paraadoleshentë. Ka qenë disa vite drejtuese e burgut të grave dhe i ka ndihmuar ato të rehabilitohen pas lirimit, sot është Administratore e Përgjithshme e Tv Ora News dhe i dorëzoi mbrëmë Çmimin e Albanian Excellence në Mak Albania, në mbrëmjen gala të zonjave që bëjnë Shqipërinë.

Please follow and like us: