Milionat e rektorëve dhe Bordi i Administrimit në Universitetin e Tiranës
Protesta e studentëve është kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri prej 10 ditësh. Studentët janë ngritur në protestë duke kërkuar plotësimin e tetë kushteve, të cilat kryeministri Rama i ka pranuar, por fillimisht kërkon dialog. Ndërkohë që ditën e sotme Rama u bëri një ‘dush të ftohtë’ rektorëve dhe dekanëve. Rama u shpreh se ndoshta duket rishikuar autonomia që i është dhënë universiteteve nga ligji i ri i arsimit dhe se pasi protesta të mbarojë për sa kohë ai do të jetë në pushtet, do të jetë protestues për universitetin. Por cila është pasuria e rektorëve? “Open Data Albania” siguroi deklarimet e pasurisë së rektorëve. Drejtuesit e universiteteve kanë deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive të ardhurat e tyre të majme, si dhe depozitat bankare, pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat e familjes në 2016.
Pranë ILDKP kanë deklaruar të ardhurat Mynyr Koni, rektor i Universitetit të Tiranës, Adem Bekteshi, rektor i Universitetit të Shkodrës, Agron Cuka, Rektor i Universitetit të Sporteve, Ali Jashari, rektor i Universitetit të Korçës, Andrea Maliqari, rektor i universitetit Politeknik të Tiranës. Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Bari Musabelliu, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Bektash Mema, rektor i Universitetit të Gjirokastrës, Kastriot Caushi, rektor i Universitetit të Arteve, Roland Zisi, rektor i Universitetit të Vlorës.
Ajo që bie në sy nga të ardhurat e rektorëve është fakti se pjesa më e madhe e tyre zotërojnë pasuri të paluajtshme, më shumë se një banesë. Ndërkohë që disponojnë dhe shumë llogari bankare. Edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, rezulton të jetë pronar i 5 apartamenteve, pronar toke dhe dyqanesh. Edhe rektorja e Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski, rezulton të jetë me të ardhura të konsiderueshme. Ajo ka deklaruar 13 llogari bankare dhe depozita të ardhurash në emrin e saj dhe të bashkëshortit.
Mynyr Koni, në pronësi 6 apartamente dhe një dyqan
Mynyr Koni, rektor i Universitetit të Tiranës, rezulton të jetë një ndër rektorët më të pasur në Shqipëri. Koni ka deklaruar se është pronar i 6 banesave dhe një dyqani, 5 prej të cilave i zotëron 100 për qind në emrin e tij, ndërsa një banesë ka dhe sipërfaqe toke dhe një dyqan, rezultojnë në emrin e bashkëshortes. Familja Koni, në vitin 2016, rezulton të ketë blerë një apartament me vlerë 160 mijë euro dhe sipërfaqe 219 metra katrorë. Ndërsa 2 banesat e tjera, secila me sipërfaqe rreth 90 metra katrorë, kanë deklaruar një total prej 146 mijë eurosh. Familja Koni disponon 10 llogari bankare, të cilat 5 në emër të rektorit, 3 në emër të bashkëshortes dhe 3 llogari në emër të vajzës, secila me shuma të konsiderueshme parash dhe eurosh.
Nga deklarimi i pasurisë pranë ILDKP-së, rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë rezulton të ketë përfituar të ardhura me shifra të majme nga trashëgimia. Gjata ka përfituar nga testamenti i nënës 7 prona, kryesisht truall me vlerë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, rektorja e Universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski, ka deklaruar me bashkëshortin zotërimin 13 llogarive dhe depozitave bankare. Llogaritë në emrin e bashkëshortit të rektores së universitetit “Aleksandër Moisiu” arrijnë shuma të konsiderueshme parash.
Nga një krahasim të ardhurash, rektori i Universitetit të Korçës, Ali Jashari, rezulton të jetë më “i varfri” krahasuar me kolegët e tij. Jashari, përveç banesës së blerë me kredi nga shitja e një apartamenti të mëparshëm, ka deklaruar një kredi për arredim shtëpie me vlerë 1 milion lekë. Po ashtu disponon një kartë krediti me limit 2 mijë euro, limit overdrafti prej 300 mijë lekësh, si dhe pronar i një fondi librash prej 600 kopjesh, me vlerë 600 mijë lekë, shkruan panorama. Nga kontrolli i pasurive, rektori i Universitetit të Shkodrës, Adem Bekteshi, rezulton të jetë i vetmi që ka marrë para hua te familjarët. Bekteshi ka deklaruar vetëm dy banesa në pronësinë e tij, me një vlerë rreth 6.2 milionë lekë, dhe dy makina, njëra prej të cilave ka kushtuar 16 mijë euro. Ndërkohë që ka deklaruar se nuk disponon llogari bankare, Bekteshi ka deklaruar se ka marrë një hua prej 3.8 milionë lekësh të rinj tek i vëllai./raport.tv/
Bordi i Administrimit në Universitetin e Tiranës
- Znj. Adela Karapici, Kryetare, personel akademik në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
- Prof. Dr. Ferdinand Bego, Anëtar, personel akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.
- Prof. Dr. Nada Dollani, Anëtar, personel akademik në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
- Prof. Dr. Iris Pojani, Anëtar, personel akademik në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
- Z. Arjan Xhelaj, Drejtor i Përgjithshëm i Rrjetit Akademik Shqiptar.
- Z. Arbjan Mazniku, N/Kryetar i Bashkisë Tiranë.
- Z. Erzen Tola, Drejtor Juridik në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.