Albspirit

Media/News/Publishing

‘LA PRUDENCE’, (Guxim i matur a rrenë e mefshtë)

 

Sigurisht që lajmi i shkruar, si letër, mbërriti disi me vonesë, atje, pasi dielli tashmë i lodhur, mbi gjilpëra shiu, nisej të flinte, ndërsa këtu, sapo kish lëshuar flokët e praruara, mbi supe. Dy javë, dy, kish mbijetuar, e lënë mënjanë dhe mbas bujës së djeshme, ishin po ata “të paktët” e mbetur, që prisnin t’u sillnin diçka për të ngrënë a diç të ngroheshin. Të lagur s’guxonin t’iknin të thaheshin diku, me frikë se do ua rrëmbenin nga duart. Ndjeheshin mirë, vetëm atje midis shokësh.

Letra si ferman kish ardhur në kohë!
“Të dashur studentë,
I përkrah kërkesat tuaja,
E përkrah protestën tuaj…
…Ju ftoj të pranoni dialogun me Shtetin, që shumë e shumë më gjatë do të jetë Shteti i brezit Tuaj…për tri arsye:
E para, për arsye se Qeveria në krye me Kryeministrin Edi Rama i ka pranuar kërkesat tuaja.(Cilat ato për Kartë Identiteti apo Doktoratura të paguara? Ku vajti rryshfeti, papunësia, shfrytëzimi i rinisë. Ku vajti tarifa, ligji i arsimit, që ngriti kokën sot?)
E dyta, për arsye se duke e pranuar dialogun ju do të dëshmoheni ata që duhet të jeni… Mbroni kërkesat tuaja para shtetit në mënyrë demokratike! (Pse protesta paqësore s’është demokratike, apo vetëm kur pranohet dialogu për një plehrë-peticion? Ku ish shteti dhe Edi para revoltës, s’kishin sy ta shihnin gjendjen? Atëherë, pse s’ikin, s’ishin dhe s’janë të aftë!)
E treta, për arsye se kërkesat tuaja duhet të fillojnë të sendërtohen prej çastit kur do të bëhet dialogu… ta kryejë e ta institucionalizojë Shteti:(Cili shtet, ai i partive pengesë, mashtrim qysh në fillim, me opozitë, si vetja, që vuri dhjamë për vete dhe harroi se kish Shqipëri? Thuamëni ku është?)*
Dhe ajo që duket qartë, mban erë, preket e ashpër, shpuese si gjuhë maceje:
“Mos e prisni tërheqjen e kryeministrit Edi Rama prej kërkesës së stërzgjatur për dialog: mos ia jepni këtë dhuratë të demokracisë, po merreni Ju, lartësojeni humanizmin tuaj, kulturën tuaj demokratike me të”.*
Pa fjalë, edhe pse kam respektuar kaherë mjekrën e thinjur të Qoses, nuk mund të bashkohem me të, në këtë thirrje, kur nuk gjej arsye të tjera veç këtyre të shkruara me kaq urti. Nuk dua as t’ia vë përpara zonjën Merkel, po do them mendimin tim, për çka ndoshta ka harruar, i ka dalë nga mendja apo s’i erdhën dot fjalët e duhura:
Lëvizja studentore, e pranojmë apo s’e pranojmë, lidhur me mijëra fije me të gjitha degët dhe gjethet e shoqërisë, nuk është tetëpikëshi idiot, por korrupsioni, që nga ligjvënësi tek portëruajtësi, apo nëpunësi i thjeshtë që kërkon “tarifën” e tij.
Sistemi, i parinovuar për 28 vjet, pa një opozitë të vërtetë dhe pa një sistem ligjor demokratik (shih Merkel për kushtet e pranimit të Shqipërisë në BE).
Është varfërimi, vyshkja e popullsisë, plakja, migrimi i pafre i mendjes dhe krahut të punës, aq sa Zonja Merkel u detyrua ta shpallë zyrtarisht “nuk iu mbajmë dot më!”
Është Shqipëria, baca im, jo ajo e fasadave në Tiranë, por e lënë djerrë dhe e braktisur!
E ardhmja që kurrë s’u ngjiz!

Ndërkohë, mosbindja zgjerohet në radhët e vetë studentëve. Ka përpjekje për t’u organizuar, krijimi i një shtabi, por më e rëndësishmja, mospjesëmarrja në këtë komedi të inskenuar zgjidhjeje dhe ftesë për pazarllëqe (negociata), madje dhe disa emërtime rrufe pedagogësh apo ndërrim ministrash kokëturku, nuk mjaftojnë. Kamarja e Turpit pret të rejat!
Ku janë mendimtarët intelektualë? U bashkuan ca dje, pas 14 ditësh, disa, më mirë se asnjë! Cilët! Kush tha q’ishin të pacenuar? Ku ishin për tetë vjet para tetëshit? Ku ndodhen akademikët apo këshilltarët e ditur në emisione zhurmëshumëpërasgjë, po presin ta tradhtojnë tre herë, prapë e prapë, dhe tani, dhe në këtë pikë kthese? Ku janë poetët me bllogjet plot ndjenjë të Muzgjeve të trishtë të Stepave pa mbarim.
“Çështja s’është, nëse do ishte e mundur apo jo të përfshish çdonjërin që ka dëshire të marrë pjesë në lëvizje. As nëse të gjithë pjesëmarrësit e një organizate opo rrjeti shoqëror mund të bëjnë pjesë në të. Por, nëse ka një mekanizëm që lidh mjaft njerëz, të cilët kanë interesa dhe burimet e duhura, me të cilat mund të veprohet”.**
Do të thoja: pse jo të gjithë, (kanë përfitim), cilido, kush mund dhe do (të japë), të bëhen dhe bëjnë së bashku.

Jo nuk dua t’i vë emër, jo se kam frikë, por thjesht nuk i shërben askujt, aq më tepër që secili ka të drejtë të gjykojë sipas mendjes së vet, as t’ua vë përpara mbi tryezë si ëmbëlsirë, gatuar sipas gjithë standardeve të letrave profesionale, librin e francezit Julien Bende, “Tradhtia e Intelektualëve”***, shkruar më 1927, sepse gjithsesi nuk jam me të, por me Kadarenë tim, që beson ndryshe, fare ndryshe nga ai. Se do të ishte thjesht, jo vetëm një mefshtësi burracake, por dhe një kthim pas në lagjen e brekëve, siç bëjnë shpesh nga frika fëmijët, se nëse:
Do të uleshim në sofrën e bisedimeve për të plotësuar kaq “të paplotësueshmin” tetëpikësh,(Gënjeshtër!), do të fitonim fare pak, do blenim ‘sapunin për djathë’.
Jo s’mjafton, as ndërrimi i disa të korruptuarve partiakë të vënë aty “gabimisht” nga padija a verbëria e qëllimtë sipas direktivës. As fillim i asaj që duhet nuk do të quhej, pa krijuar sistemin e duhur demokratik, që të mos riprodhohej më natyrshëm nepotisëm.
Cekët, as një petë lakrori, kur kanceri është shtrirë, shtresë pas shtrese, nga lëkura në palcë. Ku humbi Vetingu?
Dhe si gjithmonë bashkëfajtore, thikë mbas shpine, e pa fshehur në mospërfillje është vlla heshtja. Ma zi Apatia!

“Juve, dhe vetëm Juve, jua lëmë Vendin, Shtetin, Kulturën, Historinë tonë.
Të gjitha këto, Ju do t’i bëni më të mira, më të çmuara, më të dinjitetshme se ç’kemi arritur t’i bëjmë ne.
Ju ftoj të jeni të vetëdijshëm, të ndërgjegjshëm dhe nderues për përkushtimet tona”.
Cilin vend? Në atë ende të pandërtuar, rrënojat e shpitrave ku shpresa nuk gjen ku të mbahet? Me cilat institucione, ato ku vjedhësit janë në pushtet apo njeriun “e pastër”, me vetëdije dhe personalitet qytetar të fismë, që gënjehet dhe blihet me thërrmija mëshire, korrupsionin që zhvat dhe sythe lind të kalbë?

Sillet endet ndër bedena hija e mbretit, që e pushkatuan shpejt e shpejt, me të shoqen bushtër t’egër të pashpirt, duarlidhur me një copë tel në një karrige. Ç’kërkon Fshattha (Hamletë), a ndoshta si shokët, me të cilëti pret ta ndajë fatin dhe dëshpërimin… a të fshehta plot mister t’u tregojë si të shpëtojnë!

Shënimet ne () janë të autorit të shkrimit,EA

EA 12/17/2018 all the rights and copyrights are protected

*Rexhep Qosja Letër Studentëve 16 Dhjetor 2018
**THE CRITICAL MASS IN COLLECTIVE ACTION/ A Micro-Social Theory nga Gerald Marwell and Pamela Oliver. Cambridge UNIVERSITY PRESS/1993.
*** THE TREASON OF THE INTELECTUALS nga Julien Benda. Transaction Publishers, 2014.

Please follow and like us: