Senati rrëzon ambasadoren amerikane në Shqipëri
Senati Amerikan i ka kthyer mbrapsht presidentit Donald Trump kandidaturën e Kathleen Ann Kavalec për të qenë ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Nominimi i Kavalec për të qenë ambasadore e SHBA në Tiranë mbërriti në Senat në 9 korrik 2018, ndërsa kanididatura i është kthyer presidentit Trump gjatë ditës së djeshme, pasi ka kaluar afati 30 ditor për rishqyrtim sipas dispozitave të Rregullores së Senatit Amerikan. Gjatë mbledhjes së komisionit të marrëdhënieve me jashtë i Senatit Amerikan, kandidatura e saj nuk u konfirmua por iu rikthye presidentit Trump, i cili do të vendosë më tej se çfarë do të ndodhë me kandidaturën e Kavalec. Kandidatura e saj mbeti në shqyrtim nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë dhe nuk kaloi në votim. Kathleen Ann Kavalec njihet si një diplomate karriere, me një përvojë rreth 30-vjeçare si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Kathleen Ann Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit. Më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Punëve Ruse, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-ve në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore për Ndihmë në Byronë Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtim dhe Stabilizim. Kavalec flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze.