Studentët vazhdojne protestat, sot para ambasadës amerikane
Studentët e universiteteve publike rifilluan dje protestat me kërkesat e tyre ekonomike dhe akademike, duke mbushur plot një muaj bojkot të auditoreve.Ata kërkojnë uljen e tarifave universitare, rritjen e buxhetit për arsimin dhe pjesëmarrje në institucionet vendim-marrëse të universiteteve.
Qeveria mori një seri vendimesh për studentët në mbledhjen e fundit, por studentët pohojnë se ato nuk i plotësojnë kërkesat e tyre.Në mbledhjen e fundit të dhjetorit qeveria mori 11 vendime për studentët e rezultateve të larta dhe ata në nevojë, që do të përfitojnë arsim falas dhe bursa mujore. Për studentët e programeve master me rezultate të larta tarifa ulet 50%.
Studentët nga familje në ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikë e tetraplegjikë financohen tani nga shteti 100% në tarifën e regjistrimit. Po ashtu edhe studentët me nota të larta në çdo program studimi.
Studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me kusht që gjatë studimeve të mbajnë një mesatare mbi 6 të notave.Tarifat e studimeve master paguhen 50 për qind nga qeveria për studentët me nota të larta, ata nga familje në ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë.Vendimet e tjera parashikojnë përfitime të ndryshme në jetën konviktore dhe në atë të auditoreve, transparencën buxhetore dhe atë akademike në lidhje me pedagogët.Por studentët rifilluan protestat, sepse, siç thonë, kërkesat e tyre kanë të bëjnë me të drejtat e tyre universale njerëzore për shkollim dhe jo një sistem shpërblimesh për më të mirët, siç e sheh qeveria çëshjten.Ata kërkojnë uljen e tarifave në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë studentët.
Media e Tiranes sot jep kete njoftim: Në një lëvizje surprizë, studentët e kanë zhvendosur protestën mesditën e sotme (8 janar 2019) drejt Ambasadës amerikane.Qëndrimi tyre zgjati vetëm pak minuta dhe protesta ishte e karakterit simbolik. Ajo u monitorua nga forca të shumta policie.
Ndryshe nga ditët e tjera, kjo e martë e protestës së studentëve solli një zhvillim tjetër. Disa studentë të Universitetit të Politeknikut kanë hyrë në mësim në orën e parë së bashku me pedagogët, por mësimi është ndërprerë për shkak të pjesmarrjes së pakët të studentëve.
Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë, në disa auditore ishte duke u zhvilluar mësim.
Mësim kanë zhvilluar edhe fakulteti i Juridikut. Por, vetë studentët thonë se kanë marrë kërcënime dhe presione për rikthimin në auditore.
Këtë të martë protesta para Kryeministrisë nisi më vonë se ditët e tjera. Edhe pse në temperatura të ulëta, studentët u grumbulluan për qëllimin e tyre të përbashkët, plotësimin e pikave të tyre me miratim në Parlament.
Më tej studentët nisin marshimin nga Kryeministria drejt Ambasadës amerikane, Presidencës dhe Rektoratit.
Studenti: “I kërkojmë mbështetje Ambasadës amerikane që të gjithë këta studentë të jenë të sigurtë dhe pas protestës. Kanë filluar dhe po bëhen kërcënime, kërkojmë nga Ambasada të monitorojnë protestën. Presim përgjigje, sepse edhe brenda Ambasadës amerikane ka njerëz që nuk e duan këtë protestë. Do të jetë një qëndresë simbolike. Më pas do marshojmë sërish te Politekniku, Kryeministria”.
Studenti: “Ne duam ligj, duam pozitë dhe opozitë të mblidhen atje në Parlament në seancë të jashtëzakonshme ta kalojnë me 3/5 kërkesat tona dhe ngërçi të zgjidhet. Pasi shteti nuk po na jep zgjidhje kërkojmë ndihmën e shtetit më të fuqishëm, aleatit më të madh të shqiptarëve. Kush më shumë se Ambasada amerikane mund ti tërheqë veshin atij që tallet me studentët, të ardhmen e kombit”.