Bardhyl Berberi: Korça dhe Pogradeci në kujtimet e nobelistit grek, Jorgos Seferis
Bardhyl Berberi
Fare pranë qendrës së Korçës së vjetër, me rrugicat karakteristike me kalldrëm, ndodhet një shtëpi dy katëshe karakteristike me gurë të gëdhendur dhe një ballkon të nxjerrë. Eshte shtëpia e Jorgo Seferit, i cili ka qenë konsull për dy vjet në Korçë dhe më pas ka fituar çmimin Nobel në 1963. Të vjen keq që midis Korçës dhe Pogradecit kanë jetuar dy magjistarët e poezisë Jorgos Seferis në Korçë me detyrën e konsullit grek dhe buzë liqenit të Ohrit, mjeshtri i lirikave Lasgush Poradeci.
Kadare për Seferis
Gjeniu i letrave Ismail Kadare tek “Ftesë në studio” do të shprehet: Ende sot ndjej një keqardhje që dy poetët e mëdhenj ballkanas, ashtu si dy botë paralele të pakapshme për njëri – tjetrin, nuk janë takuar ndonëse kanë jetuar vetëm 40 km larg njëri tjetrit! Më poshtë Kadareja thekson: “Përndritjet e tyre kryqëzoheshin, thyeshin mbi faqet e ujrave të liqenit të Ohrit, shumfishoheshin në kristalet e ngricës, ngrinin si shigjeta të shkreta në qiellin plot pikëllim atje ku kufiri midis dy shteteve nuk qe aq i saktë si në tokë…”.
Gjejmë një letër shumë domethënase që Jorgos Seferis i dërgon nga Korça të dashurës së tij në Greqi. “Dimri në Korçë nuk do të na pengojë verën e kemi përpara…”.
Më pas ai duke hedhur vështrimin mbi ndërtesën që ka përpara dhe rrugicën e shtëpisë së tij në Korçë do të shkruajë: “Në strehet kërcënojnë stalagmitet e akullt. Puhiza rrëmben grimcat e dëborës dhe një vel i hollë rrotullohet, ndehet mbi portat e mbylluar, griste sokakëve e derdhet në fund të rrugës, ku pëlhura nis të mbulojë pllajën e kodrës. Të gjitha faqet e çative me vështrim nga veriu, nisin fjollat e bardha. Mori cipëzash enden e vrapojnë të veshin pamjen përballë.Vallzimet mbi çati daravitën trishtimin, buruar nga malli për të dashurën…”.
Kështu është përshkuar dimri i Korçës kur Jorgo Seferis ka qënë konsull nga viti 1936 deri në vitin 1937 në këtë qytet.
Stina e ftohtë e Korçës shkretëtira e fushave në dhjetor ,vajzat me pelixhe që iu pëlqente të imitonin gratë e Parisit ashtu si Korça tundohej nga ëndrra për t`u quajtur Parisi i vogël. Të gjitha këto do të linin mbresa tek Jorgos Seferis.
Padyshim Korça në formën e zemrës ku kitara netëve përcillte poshtë ballkoneve të Korçës serenat e bukura ku qyteti dremiste dhe zgjohej mbi supin e një mali dhe në zemër mbante kristale…
Kujtimet për Korçën
Më poshtë në kujtimet e Jorgos Seferis gjejmë kujtime të ndryshme “E ndalova shoferin në një majë. Para meje hapej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar në atë masë uji një barkë apo anije të vockël. Do të thosha mu duk si një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit …I bukur me ujëra të kaltra …magjik”.
Më poshtë në kujtimet e tij Jorgos Seferis thotë: “Pardje vajta eskursion deri në Krujë që është në një shpat mali mbi Tiranë, një fole shqiponjash. Fshat i bukur dhe piktoresk, placdarmi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kushdo e kupton këtu për mrekulli se si coptonte mijra armiq, duke zbritur lart nga malet”.
Kush ishte Jorgos Seferis?
Nobelisti i parë grek Jorgos Seferis ka lindur më 13 mars 1900 në Izmir të Turqisë. Jorgos ishte djali i madh i Stelios dhe i Dhespinës. Në moshën 14 vjeçare fillon të thuri vargjet e tija. Lufta I Botërore do të ndikonte në frenimin e tij madje ai ndërron disa vende për të shpëtuar luftës. Në vitin 1917 përfundon me sukses gjimnazin klasik të Athinës. Më 4 qershor 1917 e ëma e tij sëbashku me tre fëmijët e saj shkon në Paris aty ku gjendej i ati i Seferis, i cili ushtronte profesionin e avokatit. Kështu një pjesë të rinisë Jorgos Seferis e kalon në Paris. Pas diplomimit të tij për letërsi e drejtësi ai shkon në Londër për studime të thelluara në gjuhën angleze. Në vitin 1925 Jorgos Seferis kthehet në Athinë dhe angazhohet në politikë. Në vitin 1931 boton librin e parë dhe në vitin 1936 emërohet konsull i qeverisë greke në Korçë ku do të qëndrojë deri në vitin 1938. Në 1941 martohet me të dashurën e tij Maria Zanu. Jorgos Seferias njihet si admirues udhëtimesh të cilat siç thoshte vetë ishin burim i frymëzimit për shumë nga veprat e tij. Jorgos Seferis ka qenë më shumë europian se grek, por ishte adhurues i letërsisë së lashtë greke. Siç shkruan vetë në kujtimet në krijimtarinë e tij kanë ndikuar Ezra Pound, T.S Elliot, Robert Vallery. Jorgos Seferis shkruante një poezi melankolike me nota të dhimbshme. Në përgjithësi në poezinë e tij nuk kishte nota të gëzueshme, por mesazhi ishte pozitiv dhe kishte në çdo poezi një shpresë për të ardhmen.Vëllimet më të spikatura janë “Strofë”, “Kthimi i të dëbuarve”, etj. Seferis shkroj 9 vëllime me poezi. Në vitin 1963 Jorgos Seferis pati kulminacionin më të madh të jetës së tij. Reputacioni i tij i madh shkëlqeu me poezinë bashkohore duke tejkaluar kufijtë e Greqisë dhe u hap në mbarë botën. Çmimi Nobel i marrë në 1963 vulosi talentin e tij duke çuar në Greqi Nobelin e parë për letërsi. Vdes në 20 shator 1971 në Athinë.
Më vonë në 1979 çmimin Nobel në Greqi vjen nga Odisea Elitis, i cili në biografinë e tij do të shprehej se dy vende kishin luajtur rol në formimin e tij: Shqipëria kur ai kishte ardhur për të luftuar gjatë dimrit të vitit 1940 dhe Franca ku ai kishte studiuar letërsinë bashkohore. Ja si e kujton Kadareja këtë moment: “Rrugët e Gjirokastrës në vitin 1940 ishin plot me ushtarë grekë të gjithë vinin nga Tepelena ose bëheshin gati të shkonin atje. Ashtu si fëmijët e tjerë të qytetit të Gjirokastrës shikonim nga dritaret uniformat kaki të ushtarëve e oficerëve grekë. Mundësi ka, thotë Kadareja, që të kem parë Elitisin, me kureshtje dhe tmerr… Dhe ajo që nuk ndodhi me Jorgos Seferis dhe Lasgush Poradecit që ishin aq pranë dhe nuk u takuan ndodhi me Kadarenë i cili shkon në Greqi në 1987 dhe takon Odise Elitisin nobelistin e dytë grek që e kishte marrë Nobelin në 1980.
Please follow and like us: