Vetëvendosje: KGB-UDB mori në kontroll Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë
Pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia delegoi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme Gent Cakajt, kanë ardhur reagime edhe nga Lëvizja Vetëvendosje e cila e pati kundërshtuar që nga fillimi Cakajn në këtë post, për siç kanë thënë ata mbështetjen që Cakaj i ka dhënë idesë për ndarjen e Kosovës. Reagimi i Zaimit:
Simpatizantët e Partisë Socialiste duhet të mos jenë të verbër. Le të lexojnë në internet shkrimet e Batonit kundër Ramës dhe kundër PS, para vitit 2013. Baton Haxhiu është mik i të gjithëve dhe siç tregon vetë ka patur miqësi edhe me Berishën edhe me Metën, por siç dallohet qartësisht, ai është mik më i ngushtë me pushtetin, cilido që e mban atë pushtet. Tash e ka Rama pushtetin, ndaj Baton Haxhiu është bërë konfidanti më i madh i Ramës, shkon në takimet e nivelit të lartë bashkë me Ramën, i sugjeron dhe i përcakton këshilltarë, ministra e zv.ministra dhe sigurisht e ndikon për qëndrime politike. Përse Baton Haxhiu kështu? Përse kaq lart dhe me ndikim? Se është i mençur? Se është i pasur? Se ka një media? Jo, ka dhe më të pasur, dhe më të mençur, dhe pronarë mediash e gazetarë me më shumë ndikim. Baton Haxhiu nuk ka hezituar ta shajë Erion Braçen kur ky i fundit ka kërkuar të merren masa ndaj miellit të dëmshëm që oligarkët e korporatës Devolli e sillnin prej Serbisë në Shqipëri. E pikërisht ky Baton, që ka pranuar vetë lidhjet e tij me shefin e inteligjencës serbe gjatë luftës, Jovica Stanišiç-in, si dhe me drejtuesin e UDB-së për Kosovën, Zoran Stijoviç-it (i cili e përmend shërbimin e Batonit në librin e vet), ky Baton që gjatë luftës e shpalli veten të vrarë për të shpëtuar, ky Baton të cilit Veton Surroi i ka kushtuar librin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, për të ekspozuar tre breza spiunësh në familjen e Batonit, ky Baton që kundërshtonte Ramën kur Berisha ishte në pushtet, dhe kundërshtonte Braçen kur ky kritikonte importin e miellit helmues nga Serbia, pra ky Baton i qartë e krejtësisht i lexueshëm, sot e përcakton politikën e jashtme të Shqipërisë me ndihmën këmbëngulëse të Ramës.
Edhe kur? Sot kur kufijtë në Ballkan janë më të paqëndrueshëm se kurrë.