Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam, Musine Kokalari

MAKENSEN BUNGO/Gazeta Dielli

Para një shekulli, me 10 Shkurt 1917, në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”. Kur ishte nxënëse emri i Musinesë u përmend si shkrimtare, pastaj si politikane, si atdhetare, si themeluese e Partisë Socialdemokrate, më vonë si antikomuniste, si e burgosur dhe, së fundi, si e internuar. Gjatë diktaturës veprimtaria e saj u dënua dhe emrit të saj iu hodh baltë. Mbas shkërmoqjes së komunizmit veprimtaria e saj u hymnizua dhe emri i saj u përmend me nderim dhe respekt.

PORTRETI

Musine Kokalari ka një jetë të shkurtër, por me një veprimtari të madhe atdhetare, të larmishme dhe të guximshëme. Ajo është një lule në fushën e letrave shqipe, një flamur i përgjakur në luftën kundër komunizmit, një lapidar madhështor i demokracisë. Tek kjo vajzë u bashkua talenti dhe guximi. Talentin e përdori për të shkruar veprat, që na la, guximi i saj u duk në përleshjen e egër me diktaturën. Ajo kishte një etje të madhe për dije dhe kulturë. U rrit me libra të ndryshëm ndër duar dhe vdiq me ato në gjoks, Ato qenë shokët e saj të pandarë. Shkroi libra për popullin, se e deshi ate të mësuar dhe pjesë për fëmijë, që ata të rriteshin të kulturuar. Ajo mblodhi shumë këngë të popullit, por vetë nuk këndoi asnjë herë. Mblodhi zakonet e dasmës, por vetë nuk u bë kurrë nuse. Në mendjet dhe zemrat e popullit ajo mbeti nuse e pa nusëruar. Hyri në botën kulturore të vendit me dinjitet, duke u respektuar nga personalitetet e kulturës shqiptare si Koliqi, Xhuvani, Kolea, Pogradeci etj. E urrreu fashizmin e nazizmin dhe komunizmin. Formoi tok me shokët e saj Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë si alternativë për çlirimin e Shqipërisë. Bëri pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist, që u themelua për t’i prerë rrugën diktaturës sllavokomuniste, që kishte lëshuar kthetrat e saj gjakatare drejt truallit arberor. Diktatura e luftoi egërsisht, i pushkatoi dy vëllezërit e saj pa gjyq, e arrestoi dy herë, e torturoi llahtarshëm, e mbajti nëpër burgje për afër dy dekada, e internoi gjithë jetën, por ajo qëndroi me stoicizëm kundrejt asaj dhe mbeti lapidar. Musine Kokalari ishte një femër e madhe në Shqipërinë tone. Lëshoi dritë në një vend pa dije. Punoi për bashkimin e popullit, kur ai ishte i përçarë. Sakrifikoi jetën e saj në luftë kundër komunizmit për lirinë dhe demkracinë e popullit. Diktatura e vdiq dhe u mundua ta zhduki. Populli e fuajti në zemrën e tij dhe sot ajo na mëson nga piedestali, ku e vendosi kombi shqiptar, si të luftojmë për bashkimin e popullit, për mbarësinë e truallit arbëror dhe për demokracinë tonë.

KRONIKË NGA JETA E SAJ

10 shkurt 1917: Lindi në qytetin Adana të Turqisë.

1921: Familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku kreu shkollën fillore.

1930: Familja e saj vendoset në Tiranë.

1937: Mbaron shkollën e mesme “Nana Mbretneshë” në Tiranë.

1939: Boton librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”.

1941: Përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare në Romë, në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe u laurua Doktoreshë në letërsi me temën “Litteratura albanese, Naim Frashëri”.

1943: Së bashku me Skënder Muçon, Isuf Luzajn dhe Abaz Omarin themeloi Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.

1944: Boton gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i Partisë Socialdemokrate.

1944: Boton librin e saj të dytë “Rreth vatrës”.

  1. 1944: U pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtaz e Vesim Kokalari.

16.11.1944: Arrestohet dhe mbahet në burg 17 ditë dhe lirohet.

Janar 1945: Boton librin e saj të tretë “Sa u tund jeta”.

23 janar 1946: Arrestohet për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit.

2 korrik 1946: U dënua me 20 vjet burg, me punë të detyrueshme dhe me konfiskimin e pasurisë.

1961: U internua në Rrëshen.

1973: Del në pension me gjysëm page.

1981: Sëmuret nga kanceri, por mjeku komunist, anëtar i një familje e diktatrurës, që e kuronte e zvarriti qëllimisht mjekimin e saj.

Gusht 1983: Vdes në Rrëshen.

28.04. 1993: Presedenti i Republikës së Shqipërisë (pas vdekjes) e dekoron me medaljen “Martir i Demokracisë”.

11.02.1997: Mbahet në Tiranë një përkujtimore nga Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë Demokratë, ku u fol mbi veprimtarinë poiliike dhe atë letrare të saj, u botua një album titulluar “Mesazh” dhe shkolla 9- vjeçare në Kombinat mori emrin e saj.

  1. 2017: 100-vjetori i lindjes së saj u përkujtua në Shqipëri, në Kosovë dhe në SHBA.

SHKRIMTARJA

Musine Kokalari së pari është përmendur si shkrimtare. Ajo ka filluar të shkruaj që në rininë e saj. Ishin vitet 1935 — 1937, kur në shtypin e saj kohe filluan të duken skicat e asaj të nënshkruara me pseudonimin ‘Muza’, disa nga të cilat janë të vendosur me titullin “Këngë varfërije” me nëntitujt ‘Rrugëve’, ‘Zjarri’, ‘Vallja e jetës’, ‘Këpucët’, dhe me titullin “Vatra e shkatërruar” me nëntitujt ‘Largesa’, ‘Me jetën’ dhe ‘Nënë e bir’. Përveç skicave të botuara, na ka lënë edhe disa të pa botuara. Ajo vajzë e edukuar në një familje përparimtare, me baba atdhetar dhe me vëllezër demokratë, duke u rritur, i bëri përshtypje të madhe gjendja e mjeruar e popullit tonë atëherë dhe në skicat e saj e përshkroi atë gjendje me përshkrime tronditës dhe me mendmin që duhej ndryshuar ajo gjendje e popullit tonë. Duhet të përmendim se në atë kohë te kjo vajzë po formoheshin idetë përparimtare. Atëherë në shtypin shqiptar po shiheshin edhe firma të tjera vajzash letrare, por këto dalë nga dalë më vonë u shuan dhe në fushën e letërsisë shqiptare mbeti e vazhdoi të ndriçojë gjatë gjithë jetës vetëm emri i kësaj vajze. Sikurse jemi shprehur shkrimtarja Musine Kokalari na ka lënë të botuara tri vepra të plota. Këto vepra bënë bujë jo vetëm se ishin shkruar nga një vajzë e re, por për vlerën e tyre letrare. Ato janë shkruar me një stil të rrjedhshëm, me përshkrime me ndjenjë, me një gjuhë të pastër të të folmes së Gjirokastrës, me figura letrare të bukura, duke pasë për bazë përshkrimin e zakoneve të qytetit të asaj dhe folklorin e atyre anëve. Në ato përshkruhet ajo botë shqiptare që kishte filluar të venitej dhe malli i autores për atë botë. Vlen të përmendim se me një mall të madh shkrimtarja ka përshkruar edhe qytetin e Gjirokastrës, mbas një largimi të gjatë. Për konkretizim, për të vërtetuar çfarë shprehëm më lart, po shënojmë një fragment nga vepra “Sa u tund jeta”: “Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në zemrat tona. E shkuara, ëndërr e bukur. Qyteti i vogël, botë e madhe që s’ka shoqe për të miturin që hedh këmbët e para në jetë. Kujtime të paharruara të moshës së parë që kalojnë përpara syve si ujët e kulluar të lumit që rrjedh gjithnjë, rrjedh e s’kthehet më”. Ndërsa për Gjirokastrën e saj, ajo është shprehur me një mall të madh: “Gjirokastra, bota e madhe, pa fund që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anë e mbanë me shkëmbinj e udhët plot gurë. Gjirokastra e të përpjetëlave dhe e tatëpjetëlave. Gjirokastra plakë e regjur në mjerime dhe varfëri. Gjirokastra e kujave dhe e këngëve”. A nuk e kemi kujtuar edhe ne, mbas një kohe që jemi larguar, vendin ku kemi lerë dhe qytetin ku kemi kaluar rininë, atë pjesë të artë të jetës? Shkrimtarja Musine Kokalari në artikullin e saj “Letërsia dhe shkrimtari” është shprehur se “Letërsia është mjeshtëria e të shkruarit në mënyrë artistike, duke pasqyruar jetën shoqërore në mënyrë objektive. Shkrimtari është ai mjeshtër, që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, me anën e pendës. Ai bën përgjithësime mbi botën, mbi njerëzit dhe mbi gjithshka, që është lidhur me njerëzit dhe gjithë popujt, për zgjimin e tyre, për lumturinë e tyre. Shkrimtari riprodhon jetën më anën e përgjithësimeve artistike, që quhen figura artistike”. Ato që thotë shkrimtarja Musine Kokalari në këtë artikull, i lexojmë në veprat e saj. Nga këto vepra kjo shkrimtare është quajtur edhe themeluese e letërsisë për fëmijë, është vendosur denjësisht në sofrën e lavdishme të shkrimtarëve tanë, emri i saj është përmendur edhe në një enciklopedi italiane dhe është vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare.

Po rendisim disa nga ato vlerësime:

Dr. Sabile Keçmezi: “Kritikët letrarë vlerësojnë se ajo, pa dyshim, është shkrimtarja femër më e talentuar shqiptare”.

Sotir Kolea: “Nuk kam parë më mirë nga ç’pashë në ‘Rreth vatrës’, prandaj dhe e kam dhënë si shembull për të rinj që rreken të mësojnë si duhet mbajtur pena”.

Sotir Kolea: “Pjesa që më çuat nga ‘Sa u tund jeta’ m’u rrëmbye duarsh që ditën që erdhi dhe mbeti arrakate nëpër duar të botës për më se një muaj. M’u kthye tashti vonë, të gjthë e prisnin si ujët e ftohtë; kush e këndoi dy herë, kush tri a katër herë, duke shtënë shkak se ua këndonte miqve e mikeshave”.

Lasgush Pogradeci: “Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Menjëherë ajo bashkëjeton me ato që na rrëfen”.

Ali Dërvalla: “Libri i parë ‘Siç më thotë nënua plakë’ dhe libri i ri ‘Rreth vatrës’ janë prova të një talenti të shëndoshë”.

Ndërvalla: “Musine Kokalari ka një talent që meriton të vihet në dukje. Libri ‘Siç më thotë nënua plakë’ është dëshmia e prodhimit letrar, që ka me të vërtetë një vlerë folkloristike. Në këtë vepër Musine Kokalari ka edhe nje vlerë artistike të një shkrimtareje që fillon të prodhojë me dashuri e pasion diçka të mirë, të vleftshme për letrat tona”.

Ziaudin Kodra: “Autorja e jonë me këtë vepër hap e para, në mynyrë origjinale, rrugën e asaj pjese të letërsisë që do ta quejshim Letërsi për fëmijë”

Petraq Risto: “Shkrimtarja e parë shqiptare, jargavan i freskët uji, nuse me vello qelqi. Gjuha jote kullon mjaltë e flori, ndenjat e tua burojnë e ne pimë e s’ngopemi”.

Angelo Leotti (italian): “Kam lexuar dhe rilexuar dhe vazhdoj të lexoj dhe të rilexoj librin tuaj të mrekullueshëm ‘Siç më thotë nënua plakë’. Është shkruar me të vërtetë mirë dhe ju paraqes përgëzimet e mija të gjalla”.

Carlo Taliavini (italian): “Mund t’iu them se jeni bërë e njohur prej kohësh si një zë krejt i veçantë në letërsinë shqipe”.

Duhet shtuar se Musineja, si na del nga shënimet e disa fragmenteve, që kemi lexuar, nga bisedat që janë realizuar me Musinenë dhe nga disa artikuj të botuar në shtypin e përditshëm, se përveç veprave që përnendëm më lart, ka shkruar edhe vepra të tjera e disa artikuj dhe ka mbledhur një material folklorik të madh gjatë kohës në burg dhe sidomos në internim, si është shprehur zonja Ildishane Kalo: “Kryetari i këshillit kishte urdhëruar që të mbyllej dera e dhomës së të vdekurës me çelës deri sa të vinin të nesërmen njerëzit e Degës, të kontrollonin dhe të merrnin ç’kishte mbetur. Musineja kishte mbi 1000 faqe pune të të gjithë atyre viteve nga folklori i Mirditës dhe nga ajo ç’kishte mbledhur burgjeve. Kur e hapën derën të nesërmen që erdhëm ne, nuk u gjend asnjë dorëshkrim. Edhe të vdekur e kishin grabitur hienat”.

Ku përfundoi, vallë, gjithë ai material shkencor që e mblodhi ajo grua e madhe në kohën e errët të burgjeve, ose gjatë kohës të lodhshme të internimit kur ajo punonte si punëtore ndërtimi? U gris? U dogj? U kthye në letër? U vendos në ndonjë arshivë? Ndodhet në dosjen e asaj gruaje? Apo u vodh? U botua në ndonjë revistë? Apo e paraqiti ndonjë njeri dhe mori ndonjë titull shkencor?

Do të ishte mirë që me nxitjen e Ministres së Kulturës, “Instituti i ish të Përndjekurve Politikë” dhe Shoqata “Musine Kokalari” të mblidhte të gjithë materialin e kësaj gruaje të madhe, dorëshkrimet, veprat e pa botuara, artikujt e botuar prej asaj, materialin folklorik prej 1000 faqesh, dorëshkrimet e ndryshëm letrarë e folklorikë që u dorëzoi të afërmëve të saj, shkrimet e botuara nga persona të ndryshëm mbi këtë heroinë dhe tok me veprat e botuara nga ajo vetë dhe të botohen në një vepër të plotë. Kjo punë do të ndihmonte për ta paraqitur sa më mirë e sa më të plotë personalitetin e kësaj heroine.

UNIVERSITARJA

Mbas përfundfimit të shkollës së mesme, ajo si mbas traditës së familjes Kokalari, si mbas shembulli të gjyshit, të babait dhe të vëllezërve, shkoi në Itali për të vazhduar studimet universitare dhe u vendos në Romë. U regjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe studjoi vreprat e shkrimtarëve të botës perëndimorë e mësoi jetën e tyre dhe përfundoi stdimet universitare shkëlqyeshëm. Në vitin 1941 u laurua “Doktoreshë në letërsi” me temën “Litteratura Albanese, Naim Frashëri”. Me që arriti përfundime të shkëlqyera gjatë gjiuthë kohës, mbas mbarimit të studimeve universitare, Musinesë i propozuan, që të qëndronte në universitet. Por ajo nuk pranoi. Ajo ishte nga një familje shqiptare, vetë ishte edukuar me dashuri për Atdheun dhe mendoi që të punonte për Shqipërinë e t’i shërbente popullit të vendit të saj. Kështu menduan dhe vepruan të rinjtë e asaj kohe: studjuan gjatë gjithë kohës me kujdes, përfunduan shkëlqyeshëm, u propozuan të qëndronin në universitetet ku studjuan, por nuk pranuan. U kthyen në Atdheun e tyre për t’i shërbyer Shqëpërisë së saporilindur. Dhe punuan për Shqipërinë pa ndonjë pretendim.

POLITIKANIA

Kur u kthye në Atdhe qëndroi në librarinë “Venus” që kishin hapur vëllezërit e saj dhe për pak kohë punoi si mësuese në shkollën e mesme, ku kishte qenë dikur studente.

Duke parë gjendjen e Shqipërisë në atë kohë lufte, ajo analizoi dy forcat politike, që vepronin në Shqipëri dhe për të forcuar luftën kundër pushtuesit, vendosi që bashkë me shokët e saj Skënder Muço, Abaz Omari dhe Isuf Luzaj në nëntor të vitit 1943, të formonin një parti, të cilën e emërtuan Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Musine Kokalari është e vetmja vajzë shqiptare që themelon bashkë me shokët e saj një parti politike dhe të punojë me vetmohim në krye të saj për të mirën e Shqiupërisë si atdhetare e vendosur.

Ja programi i kësaj partie:

Partia Socialdemokrate ka për qëllim kryesor të sigurojë ‘drejtësi shqërore’ dhe ‘liri politike’.

Partia Socialdemokrate është evolucioniste për sa i përket kolektivizmës ekonimike dhe siguron të drejtat e njeriut.

Partia ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhduki shfrytëzimin, spekullimin dhe parazitizmin. Gjith’ ashtu do t’i sigurojë proletarit bukën, besimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t’ja bërë jetën të këndëshme. Reforma agrare do të jetë etapa e parë e ndarjes së tokës. Partia do të përpiqet të vejë në zbatim një sistem sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore.

Lirija politike konsiton në sigurimin e të drejtës që jep çdo shtetasi të ketë lirinë e fjalës, të mendimit, të shtypit, të inisiativës private dhe të votës (opozita parlamentare). Partija do të mundohet, që të krijoijë premisa të tilla që të kontribujojë në edukimin e të gjitha klasave të poopullit shqiptar demokratisht dhe paragatitjen e tij për regjimin e ardhshëm ku do të mbretërojë drejtësia shoqërore dhe lirija politike.

Lirija politike në drejtësin shoqërore gjen shkakun e parë të kufizimit të saj .

Për sa i përket maradhënjevet me kombet e huaja, partia do të frymëzohet jo prej një nacionalizme të ngushtë egoistie, po prej një patriotizme të thjeshtë, që pajtohet me ndjenjat e respektit e të simpatisë për atdhetarët e kombeve të huaj dhe do të përkrahë zhvillimin e idesë për realizimin sa më parë të një konfederate ballkanike.

Partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për indipendencën e një Shqipërije të unjisuar brenda kufinjëve të saj etnikë.

Sikurse kuptohet programi i Partisë Social-demokrate ishte për një Shqipëri demokratike, ku të kishte çdo nënshtetas drejtësi shoqërore, liri politike, barazi shoqërore dhe jetë pa vuajtje, në qendër duke qenë bujku dhe proletari.

Programi i kësaj partie i hartuar në vitin 1943, tre çerek shekulli më parë, le mbrapa programet e shumë partive politike të vendit tonë të formuara tani, në këtë tranzicion të tejzgjatur.

Në një letër që më ka dërguar Isuf Luzaj në vitin 1997, Musineja ishte caktuar të drejtonte punën e partisë në Tiranë, Vlorë, Korçë, Berat dhe Shkodër. Politikanja Musine Kokalari pas formimit të partisë, së bashku me Skënder Muçon dhe me nacionalistin Osman Kazazi, i cili gjatë gjithë kohës së diktaturës ka qenë burgosur dhe internuar, nxorri organin e Partisë Social-Demokrate që titullohej “Zëri i Lirisë”. Numri i parë doli ditën e shtunë në 1 kallnuer 1944. Gjithësej kjo gazetë doli gjashtë numra. Në bibliotekën kombëtare ruhet vetëm numri i parë. Mbas themelimit të partisë Musineja mendoi që për të forcuar luftën kundër pushtuesit, të hynte në Frontin Nacional-Çlirimtar, por mbas një takimi të pa dobishëm me ata, ajo u tërhoq. Ja se si shprehet shkrimtari Eden Babani për këtë njoftim: “Njëherazi u përpoq të integronte socialdemokracinë e porsaformuar në Frontin Nacionalçlirimtar, por pa sukses, për shkak të qëndrimeve të udhëheqësve komunistë, të cilët pretendonin drejtimin e kësaj organizate të shpallur pluraliste, por të katandisur në vegël të P.K.Sh. tashmë të njohur mirë. Propozimit për të marrë pjesë individualisht në Front, iu përgigj negativisht, duke mos pranuar të jetë në udhëheqje të tij”. Më vonë, si deklaroi në gjyq, ajo bëri pjesë, po për këtë qëllim me Ballin Kombëtar: “Mbas mbledhjes së Mukjes kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate”, është shprehur ajo. Nga fundi i luftës Musineja mbeti e vetme në udhëheqjen e Partisë Socialdemokrate, sepse Skënder Muçon re vranë gjermanët e Abaz Omarin e vranë partizanët dhe Isuf Luzaj u largua nga Shqipëria, se e ndiqnin forcat partizane për ta eleminuar fizikisht si antikomunist. Megjithatë ajo e vazhdoi punën në emër të Partisë Socialdemokrate edhe pse ishte e vetme në drejtimin e asaj partie.

FAMILJA KOKALARI

Familja Kokalari ishte një familje atdhetare, e kulturuar dhe bamirëse. Qysh nga mbarimi i luftës ajo u vu në shënjeshtër të udhëhekjes së Partisë Komuniste dhe veçanërisht të udhëheqësit të saj Enver Hoxha. Kur familja Kokalari shkoi nga Gjirokastra në Tiranë, vëllezërit e Musinesë u muarrën me tregti, hapën një librari në kryeqytet, ku qëndronte Musineja dhe në vitin 1942 krijuan të parën shtëpi botuese, ku shërbenin vëllezërit e saj. Librarija quhej “Venus” dhe shpejt u bë vendi, ku intelekktualë të ndryshëm, jo vetëm që njiheshin me botimet e reja në gjuhën shqipe edhe në gjuhë rë huaja dhe blinin nga ato vepra, por edhe diskutonin mes tyre mbi ato botime dhe për probleme të ndryshme të kohës. Në vitin 1942 vellezërit Kokalari krijuan të parën shtëpi botuese në vendin tonë dhe botuan në gjuhën shqipe kryeveprat e letërsisë botërore. Duhet përmendur, se në atë kohë zoti Hamit Kokalari, vëllai i Musinesë, botoi veprën madhore “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, një vepër historike më e mira midis veprave të tjera të asaj natyre, që u botuan në atë kohë si “Raca shqiptare” me autor Dr Jakov Milaj, “Shqipnia e vërtetë” me autor Dr. Besim Qorri dhe “Lidhja e Prizrenit” me autor Xhaferr Belegun. Kjo vepër nuk u pëlqeu sllavokomunistëve që donin ta mbanin edhe mbas lufte nën robërinë e tyre Kosovën tonë martire. Rrjedhimisht nga kultura dhe talenti i Musinesë dhe si njëra nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, nga smira dhe urrejtja ndaj asaj, se ajo ishte mbi ata, nga botimi i librit “Kosova, djepi i shqiptarizmit” i vëllait të saj, nga veprimtaria kulturore e librarisë “Venus” dhe nga botimet e veprave letrare që botonin vllezërit Kokalari në shtëpinë e tyre botuese “Mezaxheritë Shqiptare”, familja Kokalari u bë e njohur në Tiranë dhe fitoi respekt. Por nga ana tjetër njëkohësisht edhe udhëheqja e Partisë Komuniste e Shqipërisë e shtoi qëndrimin e saj armiqësor ndaj asaj familje. Si rrjedhim i këtij qëndrimi armiqësor, gjatë luftës në Tiranë, natën e datës 12 nëntor 1944, kur forcat partizane bënë disa arrestime në Kryeqytet, shkuan edhe në shtëpinë e Kokalarëve me urdhër, që të arrestonin të tre vëllezërit e Musinesë: Vesimin, Mumtazin dhe Hamitin. Por njërin nga ata, Hamitin, nuk e arrestuan se ishte i sëmurë, rënë në shtrat me një temperaturë të lartë. Ishte një urdhër i llahtarshëm ky që të arrestonin të tre vëllezërit e një familje. Po atë natë ata i çuan në bodrumin e hotelit “Bristol”, dhe tok me disa të tjerë i pushkatuan pa i gjykuar. Mbas katër ditësh arrestuan edhe motrën e atyre, Musinenë. Në familjen e Kokalarëve ra hija e vdekjes. Për të mbyllur gojën e popullit, Musinenë mbas 16 ditëve në arrest e liruan nga burg.

PROCESI GJYQËSOR

Dalë nga dalë diktatura e proletaritit po vendosej në të gjithë Shqipërinë e varfër me një terror të madh. Qeveria komuniste po largohej gjithnjë e më shumë nga bota perëndimore dhe Shqipëria po afrohej çdo ditë e më shumë në ate sllavo-komuniste. Mareshalli Tito kishte hedhur kanxhat për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe Enver Hoxha shprehej se “Pa Jugosllavinë e mareshallit Tito, Shqipëria nuk rron dot asnjë ditë”. Enver Hoxha filloi të përgatiste zgjedhjet për të legalizuar fronin e tij. Njerëzit habiteshin, atdhetarët mendoheshin, ndërsa idealistët vendosën për të luftuar, si është shprehur Musineja në gjyq, jo për qëllimin e përfitimit të disa klasave, por për demokratizimin e vendit. Dhe u formua një koalicion për të shpëtuar Shqipërinë nga vendosja e një diktature. Ishin tri forca që e përbënin këtë koalicion: Partija Socialdemokrate e përfaqësuar nga Musine Kokalari, “Fronti i Rezistencës” i përfaqësuar nga Sami Qeribashi dhe “Grupi monarkist” i përfaqësuar nga Qenan Dibra. Ishte një veprim demokratik dhe ideal ky koalicion, si u mësua veprimtaria e atij grupimi, edhe pse veproi për një kohë të shkurtër. Ky koalicion nuk kishte për qëllim për të përmbys me forcë pushtetin. Ata i drejtuan një memrandum aleatëve, që të anulloheshin sgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 si antidemokratike. Për këtë problem Musine Kokalari takoi edhe kolonelin anglez Palmer për të ndihmuar koalicionin. Por as koloneli Palmer dhe asnjë anëtar tjetër i misionit anglez, që ishte në Tiranë, nuk bëri ndonjë ndërhyrje, vetëm se çdo ditë mbas mbarimit të seancave gjyqësore, njoftonin Londrën mbi zhvillimin e gjyqit. Në hartimin dhe dorëzimin e këtij memorandumi ka punuar shumë Musineja. Diktatura e mësoi formimin e këtij koalicioni dhe qëndrimin e misionit anglez dhe e quajti këtë veprim si tentativë për përmbysjen e pushtetit me forcë dhe filloi arrestimet. Të parët u arrestuan kryetarët e koalicionit dhe pastaj simpatizuesit. U arrestua edhe Musineja. Ajo u arrestua në 23 janar 1946. U përdorën torturat më të llahtarshme që mund të krijojë mendja e një krimneli, jo vetëm ndaj asaj, por ndaj të gjithë të arrestuarëve. Po shënojmë një nga torturat që i përdorën Musinesë, për të kuptuar tmerrin e atyre torturave. Musinesë i veshën një palë çitjane, i fytën mbrenda një mace dhe e qëllonin me një shkop. Duke u përpjekur për të dalë, macja e gërvishte dhe Musineja ndjente dhimbje të tmerrshme .Që torturuesit i kanë bërë Musinesë këtë torturë të tmerrshme, është më se sigurtë, se ia ka thënë vetë Musineja një kushurirës së saj. Mbas afër pesë muajësh torturash në 2 qershor të vitit 1946 filloi procesi gjyqësor kundër “armqëve të popullit”, që kishin dashur të përmbysnin Pushtetin Popullor me forcë. Gjyqi u bë në kinema. Ajo u mbush me njerëz të zgjedhur: anëtarë e kandidatë partie, të rinj komunistë, nëpunës besnikë të diktaturës dhe familjarë të këtyre. Trupi gjykues përbëhej nga persona të njohur për dënime drastike. Salla e gjyqit plot me parulla të ndryshme, ushtonte nga thirrjet e asistuesve për gjak e varje në litar. Jasht kinemasë kishin vendosur dy altoparlantë të fuqishëm që të mësonte populli jashtë “krimet e armiqëve të popullit , që kishin tentuar të rrëzonin me gjak qeverinë”. Do të gjykoheshin mbi 30 vetë. Të gjithë akuzoheshin kush më rëndë se tjetri. Musineja akuzohej, midis të tjerave, se kishte bashkëpunuar me krerët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit, kishte sabotuar Pushtetin Popullor, kishte marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta, që kishte bërë Grupi Socialdemokrat, Grupi i Rezistencës dhe ai Monarkist, kishte pasë lidhje me të arratisurit politikë për të përmbysur Pushtetin Popullor dhe se kishte hartuar nota drejtuar aleatëve për të kërkuar ndërhyrjen e tyre. Musineja në gjyq mbajti një qëndrim dinjitoz. Ajo e dinte se do të dënohej, madje edhe shumë rëndë, por megjithatë nuk e uli kokën, nuk shfaqi asnjë shenjë dëshpërimi e shqetësimi. Ajo u përplas me kryetarin e gjyqit, e kundërshtoi atë, tregoi me mburrje veprimtarinë e saj si shkrimtare dhe si politikane. Megjithëse gjatë debateve me kryetarin e gjyqit, njerëzit që ishin në sallë, ulurinin me të madhe kundër asaj, ajo nuk u shqetësua fare, por i përgjigjej atij me kurajo. Ajo nuk pranoi asnjë nga akuzat. Por edhe nuk mohoi asngjë nga veprimtaria e saj politike, për të ulur dënimin. Kështu ajo deklaroi se kishte bashkëpunuar me Ballin Kombëtar dhe se kishte drejtuar gazetën “Zëri i lirisë” që ishte organ i Partisë Socialdemokrate. “Mbas mbedhjes së Mukjes, deklaroi ajo, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës “Zëri i Lirisë”, në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atllantikut”. Të flitej atëherë se kishje bashëpunuar me Ballin Kombëtar ose të përmendje se kishe shkruar artikuj për Kosovën martire ishte një vetvrasje. Por Musineja i tha ato pa pikën e frikës. Vetëm nga kjo shprehje, kuptohet guximi dhe trimëria e asaj vajze në atë gjyq të të llahtarshëm. Kur kryetari i gjyqit e akuzoi se ishte fajtore, ajo iu përgjigj: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe kjo s’mund të quhet faj. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Me një mbrojtje të tillë ajo hodhi poshtë akuzat, që i bënin asaj. Ajo gjatë procesit gjyqësor shprehu edhe atdhedashurinë e saj: “Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni, se e keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi, që doni të shuani ata, që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar mua për idealet e mia”. Me këto fjalë ajo nga e akuzuar kthehet në akuzuese dhe akuzon sistemin e atëhershëm që e kishte arrestuar dhe nxjerrë në gjyq për ta dënuar. Në vazhdim të gjykimit Musineja kundërshton: “…Unë në burg s’duhet të jem. Unë s’jam fashiste. Unë kam kulturë demokrate”. Dhe me këtë qëndrim para trupit gjykues ajo me krenari i tregoi gjykatësve të kuq formimin e saj kulturor, për të cilën formim ata edhe po e gjykonin e do ta dënonin. Por pika më kulminante e guximit të kasaj vajze gjatë procesit gjyqësor, është kur ajo me kurajo të pa imagjinueshme i tregoi kryetarit të gjyqit fundin e karrierës së tyre si shërbëtor i diktaturës, që ai po mbronte me aq zell. Kur një grua uluriti me urrejtje nga përgjigjet e Musinesë dhe tha: “Me vdekje! Në litar” kryetari i gjyqit iu drejtua Musinesë me mburrje: “E akuzuar, e dëgjon se ç’thotë populli”? Ajo iu përgjigj qetë, qetë: “Nesër këtë do ta thonë edhe për ju”. Ishte një parashikim, që më vonë do të bëhej realitet, kur do të pushkatoheshin shokët e gjykatësit po nga ajo diktaturë që ai po dënonte të pandehurën Musine Kokalari. Kështu iu përgjigj “armikja a popullit” njeriut që po e gjykonte për të vendosur vdekjen e saj. Kush i akuzuar i është përgjigjur kështu atëherë një gjykatësi? Cili i akuzuar pati guximin të vepronte kështu, si veproi Musineja përpara gjykatësit, që do të vendoste për jetën e tij? Musineja nuk pranoi avokat, ajo e mbrojti vetë veten e saj si një politikane e aftë, si një demokrate e sprovuar e si antikomuniste e vendosur. Dhe duhet të kujtojmë, se ajo atëherë ishte 29 vjeçare. Kur kryetari i gjykatës ushtarake deklaroi dënimin e Musinesë, u shpreh edhe se “Kjo grua ka zhvilluar një aktivitet të gjërë kriminal e terrorist”

Kush është aktiviteti i gjërë kriminel dhe terrorist i asaj gruaje? Se kishte shkruar libra? Se kishte studjuar në një universitet të Italisë dhe ishte një grua e kulturuar? Se kishte formuar Partinë Socialdemokrate? Se kishte botuar një gazetë politike? Se kishte bërë pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokrat Shqiptar”? Se kishte formuluar memrandumin kundër zgjedhjeve antidemokratike? Se kishte biseduar me kolonelin anglez për të ndërhyrë që të anulloheshin zgjedhjet? Se kishte zhvilluar një veprimtari antikomuniste për ta shpëtuar popullin shqiptar nga vendosja e një diktature të egër? Këto i quante kryetari i gjykatës ushtarake aktivitet të gjërë kriminel e terrortist? Në fund të procesit gjyqësor kryetari i Gjykatës Ushtarake njoftoi dënimet për të akuzuarit: tre përfaqësuesit politik që kishin formuar grupimin opozitar u dënuan me vdekje dhe më vonë u pushkatuan, ndërsa Musineja, përfaqësuese e socialdemokrates, u dënua me 20 vjet burg. Pse ky ndryshim? U erdhi keq për këtë vajzë që ta pushkatonin?! Apo që ajo të vuante gjithë ato vite duke punuar si punëtore në ndërtim dhe në bujqësi deri sa t’i dilte shpirti? Diktaturat nuk e njohin mëshirën. Ato e skuqin vendin me gjakun e kundërshtarëve të saj për të zgjatur jetën e diktatorëve.

NË BURG

Për Musinenë filloi jeta e burgut, në burgun e grave. Nga një jetë e lirë, në një jetë pa liri mes grave të burgosura, sepse kishin dashur liri. Se lirinë ia vodhën njerëzit, që nuk e njihnin lirinë, ia grabitën ata njerëz, që nuk e dinin ç’ishte liria, ia rrëmbyen njerëzit, që nuk e dinin, se ç’ mund të bënte liria. Ata lirinë e kishin zëvendësuar me robërinë. Dhe mburreshin që e kishin bërë këtë zëvendësim. Se ata nuk ishin edukuar me dashurinë. Ata ishin edukuar me urrejtjen, vetëm me urrejtjen. Ata nuk e njifnin fare dashurinë, këtë ndjenjë të bukur, që e zbukuron njeriun. Ata njfnin vetëm urrejtjen, këtë ndjenjë të egër, dhe, pse ishin trasnsformuar në njerëz të tillë ata njerëz i torturonin ato të burgosura, i mërzitnin, i dëshpëronin, i bënin që të vuanin, i ofendonin, i provokonin dhe mburreshin me urrejtjen e tyre dhe krenoheshin me torturat e tyrë shtazarake, që u bënin atyre grave. Në atë vend ku ndodhnin gjthë ato krime me emrin burg, e futën Musinenë. Ajo pa ndërtesën e madhe të burgut me roje të armatosura lart në kabinat, por nuk u drodh, se e dinte që në atë ndërtesë diktatura masakronte lirinë. E futën në një kaush të qelbur, të errët e të frikshëm, ku iu zu fryma, pa atë ambjent të tmerrshëm, që të llahtariste, por nuk u trondit, se e dinte se çfarë do ta priste. Pa gratë e burgosura, të venitura, të dobësuara, të heshtura dhe iu dukën si fantaznma e i erdhi keq për vuajtjet e atyre grave, se e kishte mësuar nga veprat që kishte kexuar, se sa e egër është diktatura. Qëndroi e heshtur në mes të atij kaushi për disa çaste në një heshtje të hidhur. Kur dëgjoi që roja mbylli derën e hekurt të kaushit, Musineja ktheu kokën me neveri nga njeriu i diktaturës, që iu mbylli atyre grave derën e kaushit të atij burgu. Ato gra të burgosura në atë burg pa dritë, pa ajër të pastër, pa liri. Po, përse, vallë i kishin burgosur ato gra? Ç’kishin bërë ato të shkreta, që i kishin futur në atë vend, ku përleshej jeta me vdekjen mes psherëtinemave e mallkimeve të heshtur? Mbas pak Musinesë i buzëqeshi njëra nga ato gra dhe e ftoi me dorë t’i afrohej. Musineja e shikoi me kujdes dhe e njohu. Kishin qenë të dyja në një klasë në shkollën “Nana Mbretneshë”. Shkoi te ajo e u ul pranë asaj. Nuk u përqafuan. As nuk u puthën. As nuk i folën njëra-tjetrës. Por shikuan njëra-tjetrën në heshtje. Ishte një beshtje që bënte shumë pyetje. Pastaj filluan të bisedojnë tok, ngadalë, por lirshëm. Ajo i tregoi se e kishin dënuar si agjente, sepse kishte biseduar anglisht një ditë në Tiranë me një punonjës të misionit anglez. Edhe Musineja i foli mbi jetën e saj. Pastaj heshtën. Folën pak, por shprehën shumë. Ishte një heshtje që zëvendësonte fjalët. Një heshtje tmerresh, vuajtjesh, mjerimesh. Një heshtje e frikshme. Mbas asaj dite Musineja kaloi plot vite njëri mbas tjetrit nëpër burgje të ndryshëm, njëri më i vështirë se tjetri, i dyti më i llahtarshëm se i pari me trajtim antinjerzor dhe me vuajtje të tmerrshme. Por Musineja i luftoi vuajtjet e burgut me idealin e saj, i përbuzi rojet e diktaturës me qëndrimin heroik, i mëkoi gratë e burgosura me krenarinë e vet. Duke i mëshiruar në heshtje ato gratë e burgosura, të rriturat i quajti nëna dhe të rejat, motra. Dhe u shërbeu të githave, kur patën nevojë me kujdesin e një nëne dhe me dashurinë e një motre.  Ja çfarë thonë dy nga shoqet e saj për jetën e Musinesë nëpër ato burgje varr:

Drita KOSTURI: “Xhelatët tërboheshin, nuk e duronin qëndrimin shpirtror të Musinesë; e thërrisnin, e merrnin në pyetje, e provokonin, por ajo e qetë e papërfillshme, krenare e me kulturë nuk u jepte shkas për asgjë”.

Nurçe K0CULI: “Musineja kishte një shpirt human. Kush ishte sëmurë, ajo i vinte me një herë në ndihmë. Kush ishte e dëshpëruar, ajo ia hiqte vuajtjet dhe i ndihmonte qëndresën. Ajo ishte shembëlltyrë e virtytit”.

Qëndroi 16 vjet nëpër burgje dhe bëri jetën e egër të atyre të burgjeve të diktaturës. Por hyri Musine e doli prej andej prap Musine, Musine Kokalari.

INTERNIMI

Nga burgu u lirua në 8 tetor 1961. Por vuajtjet nuk iu mbaruan. Sa doli nga burgu, te dera e tij e priste një xhips i Degës. E futën në makinë dhe e internuan në Rrëshen. Rrësheni, qyteti mes maleve, me shumë dimër e me pranverë të vonë, me borë dhe me shi, me pak gjelbërim e me më pak lule. Vend burrash me kuvende pleqsh. Me shumë pushkë, se sa libra. Çerdhe bese e sofër bujarie. Në atë qytet e dërguan Musinenë, në atë qytet malor, të largët. Ndër këto male të lartë e ndër ato fusha moçalishte i dërgonte diktatura kundërshtarët e saj për të vuajtur mbas dënimeve nëpër burgje. Dënime pa burg, dënime pa pranga. Por me vuajtje të gjata, më të lodhshme, më therëse, më cfilitëse. Urrejtja e diktaturës është e tmerrshme, e egër, vdekjeprurëse. Ky ishte dënimi i dytë për kundërshtarët e dikaturës, që mbaronte me një vdekje të ngadalshme, të heshtur. Prandaj Musinenë nuk e dënuan me pushkatim, por e dënuan me njëzet vjet burg, që të vuante tmerrësisht gjithë ato vite deri në vdekje. E strehuan në një dhomë-haur të një shtëpije gjysëm e rrënuar. Përballë dhomës së saj banonte një psikopat, që vështronte se kush hynte e kush dilte nga dhoma e Musinesë dhe shpejt shkonte e raportonte. Dhe veç këtij njeriu, i vunë edhe dhjetë të tjerë, që të kontrollonin jetën e saj në çdo vend e në çdo kohë. Jetoi vetëm, në një vetmi të madhe në atë dhomë, ku në murin në ballë të saj më vonë, siç ka shkruar, vendosi disa fotografi: “Në odën time të vogël përballë kam vënë fotografinë e iluministit të njohur Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të Lëvizjes Kombëtare Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani…Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjer sa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”. Nga këto fjalë që ka shkruar Musineja, tregon respektin dhe dashurinë për njerëzit që kanë punuar për mëmëdheun dhe duke vështruar fooigrafitë e tyre, krenohej për veprimtarinë e tyre, harronte vetminë e përhershme në atë odë-haur dhe mburrej që ajo ishte nxënësja e atyre burrave që punuan për Shqipërinë deri sa mbyllë sytë. Një ish i përndjekur politik më ka treguar se si e ka njohur Musinenë ditët e para në internim.

Gjergj MARKU: “Musine Kokalarin e kam njohur kur isha nxënës në gjimnazin e Rrëshenit. Me njeri-tjetrin pyesnim se ç’kishte bërë që e kishin sjellë në Rrëshen, nga ishte, ku i kishte njerëzit. Kur mësuam se cila ishte, filluam të ndjenim dashuri e respekt për atë. Banonte në shtëpinë më të keqe të Rrëshenit. Jetonte fare vetëm. Nuk i afohej njeri, por edhe ajo nuk u afrohej të tjerëve, që të mos i dëmtonte. Ishte grua me kulturë. Ishte frekuentuese e rregullt e librarisë dhe e bibliotekës. Vishej thjeshtë, por pastër e bukur. Mbante një peliçe të zezë lëkure dhe një çantë në sup. Çdo ditë mbas punës dilte nga shtëpia e shkonte deri te Ura e Fanit dhe në klubin e atjeshëm pinte një kafe. Asnjëherë nuk e shikuam të dëshpëruar. Ecte ngadalë, e qetë dhe kurrë nuk e uli kokën. Që në paraqitje dukej fisnike. Populli fliste mirë për të”. Ndërsa zonja mirditore Prena Gjeçi, shoqe e saj, më ka folur shumë për të.

Prena GJEÇI: Unë jam shoqja e saj më e vjetër U njofta me ate që ditën e paë që filloi punën në Rrëshen dhe u ndava nga ajo dy ditë para se ajo të vdiste. Punuam tok në llaç, në transportimin e tullave e të gurëve, në ngritjen e mureve. Ishte e pamësuar në punë. Ditët e para duartë dhe këmbët e saj u përgjakën. Me gjithë ate ajo kurrë nuk u ankua. Në punë ishte shumë korrekte. Ishte guximtare dhe kurrë nuk përulej. Kishte shumë vullnet. Punonte si një punëtore e mësuar. Padrejtësitë që i bëheshin në punë nuk i duronte. Kundër atyre ankohej me guxim. Kishte një dashuri të madhe për njerëzit. Edhe ata që qëllonte ta ngacmonin duke i hedhur ndonjë fjalë, ajo nuk i urrente. “Nuk janë fajtorë këta, fajtorë janë ata që i kanë mësuar”, thoshte dhe qeshte. Ndiente një dashuri të madhe për të varfërit. Me aq sa kishte mundësi, i ndihmonte. Veçanërisht fëmijët i donte shumë. U fliste, i ledhatonte, i përqafonte dhe shpesh u jepte edhe këshilla. Vajzën time e donte shumë. Çdo të djelë e ftonte për drekë. Në dhomën e saj pranë krevatit mbante një kukull të madhe. Rrobat ia ndërronte herë pas here. E donte si fëmijë. E kisha shoqe shkuar shoqes. U bëmë motra nga puna plot vuajtje, nga jeta plot tmerre, nga fatkeqësitë që na ranë mbi kokë. Flisnim me njëra-tjetrën për çdo gjë, qanim hallet. Ajo na jepte zemër për çdo gjë. Dhe më është gjendur pranë gjithmonë, si fisnike që ishte. Më erdhi shumë keq që nuk mora pjesë në varrimin e saj”.

Këto dy biseda për Musinenë na tregojnë shumë mirë qëndrimin e saj gjatë kohës së internimit në Rrëshen. Kaloi shumë vite Musineja në Rrëshen, shumë vite me shumë halle dhe plot derte, halle dhe derte mes vuajtjeve të vazhdueshme. Këto halle dhe derte i krijojnë diktaturat ndaj kundërshtarëve të tyre, që të gëzojnë diktatorët dhe të sgjasin jetën e tyre të përgjakur. Por popujt nuk falin. Ata janë gjykatës të pa anëshëm dhe të pa kundërshtueshëm. Ata me guxim u vërsulen pastaj diktatorëve, i tërheqin zvarrë, i gjykojnë e i zhysin thellë në llumin e ndyrë të krimeve të tyre të përgjakur, ndërsa heronjtë i ngrejnë lart madhërishëm në qiellin e pastër të pavdekësisë. Kështu ndodhi me Musinenë. Ajo me qëndrimin e saj mposhti egërsinë e diktaturës dhe nderoi veten si antikomuniste e vendosur shqiptare.

SËMUNDJA

Mosndërhyrja e aleatëve për të shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha sllavokomuniste, arrestimi i saj nga diktatura, torturat në hetuesi, streset gjatë kohës së procesit gjyqësor, mohimi i lirisë për një kohë të gjatë nëpër burgjet e diktaturës, internimi i gjatë në Rrëshen, jeta e vetmuar dhe puna e rëndë gjatë burgimit dhe internimit, ndikuan në gjendjen shëndetësore të saj. Filloi të dobësohet, të ndjejë dhimbje, të shqetësohet dhe një ditë mbas analizave iu komunikua se ishte prekur nga sëmundja e pashërueshme e kancerit. E shtruar në spitalin onkologjik të Tiranës priti të operohej që të luftonte sëmundjen e saj. Por nuk po interesohej njeri. Mbas kësaj heshtje të qëllimshme që duhej të ndërhynin, ajo e kuptoi qëllimin antinjerëzor të mjekut komunist me banim në Bllokun e Udhëheqjes Qeveritare dhe shkruan: “Unë kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Çfarë do të ngjasë…”. Fjalët e kësaj gruaje demokrate tregojnë më së mirë luftën e klasës që përdori mjeku komunist i Bllokut për të varrosur këtë “armike të popullit”. Pse kjo ishte detyra humane e një mjeku? Të shëronte një të sëmurë, apo ta vdiste ate sa më shpejt?! U kthye në Rrëshen e sëmurë dhe e pa mjekuar, e dëshpëruar dhe shkroi në ditarin e saj: “Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pasur pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”. Në ato çaste të vështira të jetës së saj ajo pastaj bëri analizën e jetës së saj: “Nga një herë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta do të ishte më mirë të kisha mbyllur sytë një herë e për gjithëmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mire”. Këto mendoi Musineja e jonë në ato çaste të jetës së saj tërë vuajtje, me hidhërime, me tmerre, me tortura, me persekutime nga një diktaturë e tmerrshme, e llahtarshme, vetëm sepse deshi liri pa gjak, paqë për të gjithë dhe dashuri midis të gjithëve. Dhe e lodhur, e mërzitur, e sëmurë, ajo pa ndonjë shpresë shpëtimi na la të shkruar sintezën e jetës së saj: “Njoha kulturën demokratike. Njoha tragjedinë e përmbysjerve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special, njoha 16 vjet burg e përplasje sa andej këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive si bujqësinë e ndërtimin. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit”.

A ka analizë më plotë të jetës, se analiza që i bën kjo grua e madhe jetës së saj!?

Pastaj Musineja filloi të jetojë me vdekjen. La punën, doli në pension me gjysmë page, jetoi në varfëri me 200 lekë të vjetra në muaj, e vetmuar, pa i shkuar njeri që ta shikonte për të fundit herë, me një qetësi që të vret, pa njeri pranë që t’i japë një gotë me ujë, duke parafytyruar jetën e saj heroike dhe vuajtjet e tmerrshme që kishte kaluar nga diktatura. Dhe së fundi një ditë në pragun e vdekjes shkroi në ditarin e saj: “… në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet puna e krahut dhe të kuiturohet punëtori i thjeshtë”.

S’kishte gjë tjetër kjo Musine e Shqipërisë. Vetëm këto kishte në atë valixhen e vogël. Dhe këto i la për vendin e saj, për shtypin, për bujkun e për punëtorin, për të cilët kishte punuar gjithë jetën dhe ishte persekutuar nga diktatura e proletariatit. Ajo edhe në çastet e fundit të jetës mendoi për vendin e saj, për bujkun dhe punëtorin, për ato që kishte menduar dhe punuar gjatë gjithë jetën e saj dhe për të cilët kishte pësuar gjithë ato vuyajtje të llahtarëshme nga diktatura e proletariatit.

VDEKJA

Jetoi sa jetoi dhe një ditë vdiq. Ishte data 13 gusht 1983. S’pati njeri pranë që t’i mbyllte sytë. S’u gjind njeri që të lutej për shpirtin e saj. Pranë saj , në ato çaste pati pranë vetëm libra, shokët e saj. Libri që po lexonte ato çaste të fundit të jetës së saj i ra në gjoks i hapur dhe ajo mbaroi. Vdiq duke lexuar. U rrit me libra ndër duar, jetoi duke shkruar libra dhe vdiq në shoqëri me librat. E varrosën të nesërmen në mbrëmje, se nuk pranonte ndonjë shofer që të transportonte arkivolin me kufomën e saj. Diktatura lufton edhe të vdekurit. Zoti Agim Haruni, një ish i burgosur politik, më ka treguar: “Vdiq në vetmi. Ne jetonim në një shtëpi me atë. I vajta në dhomë dhe e gjeta të vdekur. Ishte shtrirë në krevatin e saj. Mbi gjoks i gjeta një libër të hapur. Kishte vdekur duke lexuar. Për varrimin e saj nuk u interesua njeri. E varrosëm të nesërmen”. Zonja Ildishane Kalo, një shoqe e saj, ka treguar:  “Musineja ishte e pa fat edhe ditën e vdekjes. Ne që i ndejtëm pranë gjithë jetën, nuk u ndodhëm aty. Musineja vdiq në 13 gusht 1983. Më mbeti peng që nuk e arrita të gjallë unë e Muzua. Një fqinjë hyri në dhomë pasi e lajmëroi i biri dhe i mbylli sytë. Ata shkuan nënë e bir dhe lajmëruan kryetarin e Këshillit, pastaj na telefonuan ne. Edhe ne i bëmë një telegram kushëririt të saj në Kavajë, por ai nuk erdhi. Erdhi vetëm pas dy-tre ditësh. Kurrë nuk do ta harroj që ajo u gdhi vetëm, krejt vetëm, natën e saj të fundit mbi tokë e mbyllur në kyç. Për Musinenë nuk u gjend as makinë për ta shpënë në varreza. Vetëm një shofer me një makinë riportabël që kishte ngarkuar zhavor gjithë ditën, pranoi të vijë me një qind të lutura. Vumë arkivolin mbi zhavor. E shoqëruam unë, Muzua, im shoq dhe djali i fqinjës, që e gjeti të vdekur. Kjo qe ceremonlja e varrimit, që u bë në Rrëshen në muzgun e 14 gushtit të vitit 1983”.

Marrë nga libri “Sonata e hënës” e shkrimtares Eglantina Mandija.

RIVARRIMI

Gatë diktaturës emrin e saj nuk e përmendi njeri. Mbas 13 vjetëve, në 17 janar 1990 eshtrat e saj u zhvarrosën dhe u vendosën në Tiranë. Ajo sot prehet në kryeqytet pranë prindërve dhe vëllëzërve të saj. Unë rivarrimin e saj e kam përkshruar në tregimin “Martirja”. Ja varrimi i saj sipas atij tregimi:

“Duke ecur me arkivolin ndër duar, iu afrua vendit ku ishte varri i babës dhe i nënës së saj dhe e vendosi arkivolin pranë atyre, në krye të varrit të porsahapur. Midis njerëzve, që kishin ardhur për të marrë pjesë në atë rivarrim, u ndie një mërmëritje e lehtë. Shumë nga ata psherëtinë të brengosur. Ndonjë nuk e mbajti veten dhe i rrëshqiti nëpër mollzat e faqeve ndonjë lot pikëllimi ngadalë. Njerëz të ndryshëm që qëlluan aty pranë atë natë Kadri, kur panë atë arkivol të vogël, pyetën se i kujt ishte. Kur mësuan emrin e saj, disa u habitën që ajo kishte vdekur, të tjerë që e dinin të vdekur u erdhi mirë që ia kishin sjellur eshtrat në qytetin e saj. Një burrë, kur ndëgjoi emrin e saj, u tha njerëzve aty pranë: ‘Kjo grua ka shkruar libra të bukur’. Një plak me sy nga arkivoli u tha shokëve me krenari: ‘Kjo grua luftoi kundër diktaturës si burr e shkuar burrave’. Shumë vetë vajtën e vunë dorën mbi arkivolin e vogël me një dhimbje të thellë. Një grua iu afra arkivolit, u ul, vuri duart mbi atë dhe e puthi. ‘Kemi qenë fqinj’ tha dhe tundi kokën. Pastaj shikoi njerëzit për rreth dhe shtoi: ‘E shkreta vajzë! Vuajti të zitë e ullirit. Toka do të dridhet dhe do të helmohet kur të fusë në gjirin e saj eshtrat e kësaj martirje’. U ngrit ngadalë, si plakë që ishte dhe u largua me lot ndër sy. Në të gjithë varret, kandilat dhe qirinjtë vazhdonin të ndriçonin vendin anë e kënd. Sikur kishin zbritur yjet poshtë atë mbasdite të vonë. Ai hodhi sytë nga njerzit dhe ndjeu një gëzim të thellë. Pastaj mori arkivolin e vogël dhe ngadalë e vendosi mbrenda në varr. Sapo kishin mbuluar varrin me dhe, një grua çau me vështirësi përmes njerëzve dhe iu afrua varrit. Ishte shumë plakë dhe eci duke marrë frymë me vështirësi. Në dorë mbante një zambak të bardhë. Si iu afrua varrit, qëndroi pak dhe tha: ‘Unë jam njeri pa njeri. Burri më vdiq në burgun e Burrelit, djalin e vetëm ma vranë në kufi. As varret nuk ua gjeta. Erdha këtu për të vënë këtë zambak të bardhë mbi varrin e kësaj martirje. Është vajza e jonë’. U ul ngadalë dhe e vendosi zambakun e bardhë mbi varr. Pastaj filloi të përkëdheli varrin me duart që i dridheshin. Dhe duke përkëdhelur varrin e asaj martirje, tha: ‘Më duket se përkëdhel varrin e tim biri’. Dhe me lot ndër sy e puthi varrin e asaj martirje disa herë.

RINGJALLJA

Që nga viti 1990 emri i kësaj vajze përmendet me nderim dhe respekt. Veprimtaria artistike dhe sidomos ajo politike vlerësohet në Shqipëri dhe në vende të tjera. Emri i saj përmendet në një enciklopedi italiane. Për nderin e saj janë bërë simpoziume e përkujtimore. Me emrin e saj janë emërtuar rrugë, qendra kulturore, blblioteka e shkolla. Janë botuar edhe vepra mbi veprimtarinë e saj. Figurën e Musine Kokalarit e kanë vlerësuar maksimalisht personalitete të shtetit dhe të kulturës shqiptare. Po përmendim:

Sali Berisha, President i Republikës së Shqipërisë: “E dalluar për bindje të thella patriotike e demokratike dhe e pa përkulur deri në fund të jetës së saj”.

Dr.Sabile Keçezi Basha: “Musineja ishte vërtet një martire e kauzës së demokracisë dhe e pluralizmit politik”

Uran Butka, historian dhe shkrimtar: “…në radhë të parë njeri. Ajo ishte e çiltër, e dashur, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, e talentuar, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të fortë, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore”.

Eglantina Mandija, shkrimtare, autore e veprës së parë mbi Musinenë: “Njeriu mund të jetë i lirë, edhe pse i burgosur. Njeriu mund të jetë i burgosur, edhe pse është i lirë. Ky është mësimi që kam nxjerrë nga jeta e jote, fli e shenjtë e qiellit shqiptar”.

Eugjen Merlika, analist: “Musine Kokalari, një nga femrat më të zgjuara në elitën intelektuale të Shqipërsë të asaj kohe, që simbolizonte më së miri të ardhmen evropiane të Adheut të saj”.

Ramadan Sokoli: “Sa hije i kishte asaj aurola e martires”.

Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare: “Kjo grua e hekurt shqiptare nuk u mposht, dhimbja e saj është dëshmi, sprovë, qëndrimi i saj çliron energji diellore, ripërtëritëse dhe njëkohësisht kuron njerëzit që vuajtën nga sistemet totalitare”.

Merita Shkupi: “…një nga luftëtaret më të shquara për liri, demokraci dhe emancipim shoqëror, publicistja, shkrimtarja, studjuesja, politikania dhe veprimtarja e radhëve të para kundër tiranisë së çdo lloji e ngjyre”.

“RILINDJA”: “Musine Kokalari, femra më e persekutuar dhe më e ndjekur”.

Ilir Levonja: “Në fakt Musineja është jo çështje shtetërore, por kombëtare”.

AMANETI I MUSINESË

Diktatura Musinenë e burgosi, e internoi, e masakroi egërsisht dhe së fundi e vdiq.

Por nuk e shoi dot.

Ajo nga heroizmi i saj, me talentin e vet, me dashurinë për atdheun, nga sakrificat që bëri për popullin gjatë gjthë jetës së saj, mbeti si një flakadan i përjetshëm i demokracisë dhe nga piedestali ku e vendosi kombi shqiptar na mëson:

“Besa, shpresa, dashuria/Ato pra na lartësojnë/Përçarja dhe marrëzija/Na poshtërojnë e na mjerojnë”.

Musineja na mëson forcën e atdhedashurisë dhe na tregon shembullin e heroizmit, por na la edhe një porosi, porosinë e saj, amanetin e vet. Në këtë amanet ajo na mëson se si duhet punuar për Shqipërinë. Dhe politikanë e qeveritarë të çdo ngjyre e të gjithë ne, shqiptarët, ku do që jemi, në Shqipëri dhe në mbarë rruzullin ku jemi shpërndarë, duhet të punojmë sipas porosisë të heroines Musine Kokakari. Atëherë Shqipëria do të bëhet lule, ashtu si e deshi Musineja Shqipërinë, lule përmbi lule.

PAVDEKËSI

Bashkia e Gjrokastrës, qyteti ku Musine Kokalari kaloi fëmijërinë e saj, po e riparon shtëpinë e Kokalarëve dhe do ta ktehjë në “Shtëpi muze, Musine Kokalari”. Është një vendim i drejtë, qyteti nderon të bijën. Po Këshilli Bashkiak i Tiranës a duhet ta zbukurojë kryeqytetin tonë me një shtatore të heroinës Musine Kokalari? Rinia e jonë, kur të shikojë shtatoren e kësaj heroine , do të krenohet nga heroizmi i saj dhe do të frymëzohet për veprimtari të lavdishme për Atdheun, ndërsa turistët do të tmerrohen nga egërsia e diktaturës së proletariatit në vendin tonë.

Le të shpresojmë.

Marrë nga vëllimi i pa botuar “Yje të përgjakur”.

Referenca

Musine Kokalari: “Sa u tunt jeta”.

Eglantina Mandia, “Sonata e Hënës”.

Uran Butka: “Ringjallje”.

Eugjen Merlika: “Përsiaitje”.

Dhe artikuj për Musine Kokalarin të botuara në gazetat “Balli i Kombit”,  “Rilindja”, “Liria”, “Dielli”, “Panorama”, etj.

* DIELLI-Arkiv- Makensen Bungo ndërroi jetë, më 15 shtator 2018 në New York në moshën 92 vjeç.

Please follow and like us: