Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Politika që vret përditë jetët tona…dhe ca të rinj idealistë

 

Politika është një çështje dite, por edhe punë shumë specifike që, mbi të gjitha, kërkon guxim, virtuozitet dhe për t’u bërë pjesë e saj sigurisht që kërkohet një nivel i lartë inteligjence, ndërgjegjie dhe mbi të gjitha ndershmëri që populli pastaj të të besojë, të të dojë e të të votojë…

Logjikisht, vetëm një individ i pjekur, që arrin një fazë të diferencimit të së mirës nga e keqja mund të jetë kandidati i përkryer për jetën politike profesionale të elitës së një kombi. Po kush mund të jetë një kandidatë i përkryer dhe i denjë për të merituar një karrige në poltronin e parlamentit të vendit tënd, ku përpos ngritjes se kartonit dhe votimit për vendimarrje e miratime ligjesh kërkohet edhe një aftësi për të artikuluar mirë nëse merr guximin të flasësh para kolegëve parlamentarë apo popullit që të zgjodhi nën një sigël të caktuar partie?!…

A ka një formulë ‘magjike’ për t’i dalluar apo përzgjedhur ata? Apo duhet një listë e gjatë me kritere ekselente?
E të supozojmë se kandidatët e përkryer janë gjithmonë ata që merren me politikë – po nëse ata janë ekselentë të rinj në moshë, do të përjashtohen nga kjo listë?
Historia ka treguar se nuk ka një formulë të duhur për të arritur zgjedhjen e elitës më të mirë, jo vetëm në qeverisje, por edhe në fusha të tjera të rëndësishme si shkenca e teknologjia, që ka pushtuar jetët e botës së sotme.
Kudo është vënë re një trend i ri i politikës – ai i përfshirjes së të rinjve në organizmat më të lartë të qeverisjes – dhe po ky trend ka treguar se nuk ka qenë zgjedhje e keqe. Përkundrazi, adaptimi i tij dhe pranueshmëria nga vendet me demokraci e ekonomi më të zhvilluar është në nivele aq të larta, saqë është përfshirë në politika e praktika pozitive të qeverisjes dhe perfeksionimit të demokracisë.

Edhe vendi ynë, duke aspiruar të jetë pjesë e demokracisë së madhe botërore (veçanërisht pjesë e familjes europiane), përpiqet t’i huazojë këto praktika e politika pozitive, por që, për habi, në shumë raste hasin në mospranim fillimisht nga një pjesë e “të përkryerve” të politikës, le më nga masat.
Në zgjedhjet e fundit, aq të diskutueshme, vihen re shumë individë relativisht në moshë të re, në listat e PS, PD dhe LSI si kandidatët për një post deputeti dhe po hasin në kontestime të pafundme të aftësisë apo “legjitimitetit” të tyre për të qenë pjesë e ligjvënësve tanë të rinj dhe madje duke bërë gafa nga më të ndryshmet pa e shkelur mirë derën e parlamentit të Shqipërisë. Atëherë lind pyetja: Nuk ka të rinj të kualifikuar apo mungon dëshira e politikës së mbrapshtë në Shqipëri për përfshirjen e të rinjve të aftë dhe të elitave intelektuale?

Para se të themi nëse janë apo jo të aftë për të qenë pjesë e saj, le të kujtojmë se sot ne kemi një parti të madhe politike, e jo vetëm, që mburret me faktin se solli demokracinë në vend nëpërmjet lëvizjes studentore – logjikisht të shkon mendja te studentët e moshës 18–30 vjeçare dhe të tillë ishin ata që u rebeluan kundër sistemit komunist, edhe pse “dekadencat” që kuptuan fundin e pashmangshëm të atij sistemi dhe iu dolën në krye gjoja për t’i “mbrojtur” por në fakt aty ishin për të zënë ndonjë post të lartë drejtues…
Brezat e vjetër të një shoqërie përfshijnë udhëheqësit e regjimeve jodemokratike ku shumë prej tyre i mbështetën, ose të paktën i toleruan ato regjime me gjasa se menduan jetëgjatësinë e tyre ose sepse nuk panë asnjë mënyrë për t’i kundërshtuar. Kjo vërtetohet më së miri në Shqipëri, në këto vite tranzicion të zgjatur, ku brezat e vjetër janë po aty faktor i politikës dhe japin mendime e vulosin ide për shumçka e ndërkohë kjo ka sjellë një demokraci të keqe, të papërsosur dhe të paplotë prej gati 30 vitesh në vendin tonë.

Teorikisht, nëse një demokraci e re (dhe kjo e jona është e tillë) demonstron dobësi të vazhdueshme, të rinjtë idealistë mund të bëhen indiferentë ose cinikë në reagim, lëpirës të kryetarëve sa për të siguruar një post të rehtshëm dhe aty mbetet aktiviteti i një të riu.

Nëse idealizmi bie, atëherë presioni popullor për një qeverisje më të mirë do të zvogëlohet dhe për pasojë, demokracia do të bëjë regres.
Vendi ynë, fatkeqësisht, e faktoi këtë gjë që edhe zgjedhja e të rinjve nuk ishte ajo e duhura; u vërtetua që jo domosdo një student ekselent është një politikan idealist i denjë për ministër apo deputet, por shpresa vdes e fundit dhe mbase një ditë do dalin një grup idealistësh të udhëheqin me parime të larta e ndershmëri sublime, element i cili është me rëndësi jetike për këtë vend.
Më të mëdhenjtë në moshë ose më mirë e thënë ndryshe, politikanët që kanë shijuar përfitimet e politikës jo lehtë do lejojnë të rinjtë idealistë të katapultohen dhe të formatohet një brez i ri politikanësh të papërlyer, ndërkohë që të rinjtë e kanë të gjithë jetën e tyre në lëvizje, duke u vërtitur nga njëra anë në tjetrën, në përpjekje për të stabilizuar arsimin e tyre apo siguruar një punë të denjë, përpos të gjitha pengesave të tjera që iu vë nën rrogoz shoqëria jonë me idealet e saj disi arkaike dhe kjo doli në pah nga protesta e studenteve këtë fundëvit e cila nuk u kthye dot në lëvizje mirëfilli politike dhe të mund të fitonte mbi politikanët plang prishës edhe pse masa e gjerë popullore i mbështeti shumë.

Ky vend duket se nuk prodhon më idealiste e njerëz që të dalin në krye e t’i bëjnë ballë së keqes që ka mbirë në çdo qelizë të pushtetit; shpresa vdes e fundit e mbase një ditë edhe mundet një grup idealistësh të udhëheqin një revolucion të madh për të rrëzuar diktaturat në Shqipëri, por këta individë duhet të triumfojnë mbi të keqen, me parime të larta e ndershmëri sublime, element i cili është me rëndësi jetike për ta shpëtuar shoqërinë tonë nga rrënimi përfundimisht.

Post Scriptum: Të dielë të mirë…më lexoni nëse keni kohë e dëshirë se sot është ditë pushimi, sepse unë shkrime të plota mund të shkruaj vetëm kur jam pushim, pasi në punë nuk kam përqendrimin e duhur dhe këpus ashtu ndonjë status kot së koti, sa për të qënë koherentë me ju, veten, e kohrat që jetojmë…

Please follow and like us: