Sonila Meço: ATA hanë, NE rrimë!
Anullime konçesionesh për parregullsi e shkelje ligjore, që i kanë dhënë vetë, fajësime konçesionarësh për vjedhje kolosale, që i kanë lobuar me zell të madh vetë, dështime konçesionesh për të cilat zunë bè vetë se janë shpëtim, dëme ekonomike e financiare nga konçesione që i arsyetuan se duke mos qënë të aftë t’i bëjnë vetë, i qan cilësisht e më ekonomikisht privati.
Po bien një e nga një të tëra, po t’u llogarisësh faturën e dëmit të zënë ethet e gushtit për brezat që do t’i shlyejnë. Sikur të mos mjaftojë një numër i madh koncesionesh kanë krijuar monopole në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, monopole që nuk raportohen si kosto në buxhet. E për më tepër ato shfrytëzojnë burimet natyrore të vendit. Të vetmet që do kishin mjaftuar të notonim në mirëqënie. Një Zot e di këto të tjerat që ende rezistojnë në ç’kushte mbahen. Kur të na bien kokës atëherë do kujtohemi për to.
Kontratat koncesionare të qeverisë së majtë janë politika të ekstremit të djathtë, që njohin privatizimin si zgjidhje për ekonominë, por që kanë krijuar monopole dhe fitime kolosale për privatin në dëm të përfitimeve publike. Po të shtojmë edhe borxhin publik, ne si taksapagues dëmtohemi shumfish.
10 milionë u vodhën në mes të pistës së aeroportit, i pamë me sytë tanë, i numëruan bankat nga dolën për ne. Por nuk janë asgjë përballë dëmit me miliarda që nuk ndodh në mes pistash, ditën për diell e s’kemi si ta llogarisim, por që buron nga konçesionet e dhëna nga qeveria. Pra sapo provuam një aperitiv para një tryeze të bollshme ku ATA hanë e NE i shohim me qesëndi.