Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: A duhet të ndjehemi keq ne të ardhurit?

 

Të ardhurit jemi ne që vijmë nga fshatrat e jo prej Tiranës. Ne që vijmë nga çdo qytet i mundshëm që s’ka lidhje me Tiranën (nga Vermoshi në Konispol).

Sa herë që diçka nuk shkon mirë, fajin e kanë të ardhurit. Po pse të ardhurit?

Unë jam një e ardhur nga një fshat i Dibrës. Ai fshat, ku linda, më rriti me ajër të pastër, më ushqeu trurin me oksigjen. Më ushqeu trupin me ushqime bio. Më tregoi peripecitë e jetën në një praktikë të minimizuar. Rrugët e shkatëruara, ku duhej të ecje me aq kujdes, ishin fiks si vetë jeta, një gabim dhe përfundoje në baltë. A nuk është edhe jeta e tillë? Një gabim të bësh dhe e gjithë jeta të ndryshon, merr të tatëpjetën. Këto na i mësoi fshati ne të ardhurve. Na mësoi edhe të duam njëri- tjetrin, sepse çdo pasdarke dimri, ne të ardhurit, mblidhemi tek shtëpitë e njëri- tjetrit duke u dëfryer, duke bërë ndonjë lojë domino, apo duke bërë edhe ndonjë thashethem, pa i prish punë njeriu. Plus ne kemi një gjë shumë interesante, sepse ne nuk do vinim kurrë, nëse nuk do e ndjenim veten gati. Po të bësh një studim, secili nga ne është këtu, ose për studime, ose punë. Ne ju duam, ju shohim njëlloj si ne. Madje edhe në shtëpi po të na vini, do hani copën më të madhe të mishit, nëse nuk do kemi ndonjë qinngj, apo gjel për ta gatuar për ju.

E keqja nuk jemi ne, e keqja është politika e cila mundohet të fusë një frymë negative mes nesh. Po po, kjo politikë do që sot të na vërë përballë, ju, vëllezërit dhe motrat tona në Tiranë e ne vëllezërit dhe motrat tuaja të ardhur nga zonat e tjera.

Të dashur, unë erdha nga një fshat verior, por nuk e ndjej veten fare të ardhur, jo këtu, por edhe sikur të shkoj në fund të botës. Sepse kjo botë nuk i përket askujt, as mua, as ty, as atij që jeton në Las Vegas, as atij që jeton ne Antarktidë e Australi, askujt. Në këtë botë jemi të gjithë të ardhur, që do të largohemi një ditë, sapo të plotësojmë ciklin tonë duke i lënë vend ca të ardhurve të tjerë. Kjo sofër e madhe është për të gjithë ne. Le ta mbushim me dashuri!

Please follow and like us: