Albspirit

Media/News/Publishing

Kush ia nxori sytë prej ballit vëllait tim Tom Ndoja e shokut të tij Sokol Sokoli?!

Shkruan motra e Tom Ndojës, i pushkatuar në revoltën e Qafë-Barit në maj të vitit 1984

 


 

Nga Bardhe Ndoja

Përshendetje! Jam Bardhe Ndoja, motra e Tom Ndojes i  pushkatuar në revoltën e Qafës Barit. Me besimin tek kujto.al,  kërkojmë të botohet kjo letër, me qëllim që të bëhet e njohur kjo thirrje në isntitucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Thirrja ime si motër e një djali të vrarë nga diktatura, ka për qëllim vetëm zbardhjen e të vërtetës rreth masakrës së xhelatëve të Qafë-Barit. Kërkoj nga të gjitha institucionet që të kenë vëmëndjen e duhur për të pranuar të vërtetën e masakrës ndaj vëllait tim Tom Ndoja dhe shokut të tij Sokol Sokoli por edhe të burgosurve të tjerë të burgut të Qafë Barit. Vendosa ta shkruaj këtë letër pas deklaratave të kohëve të fundit të xhelatëve të vëllait tim. Një prej tyre është Edmond Caja, shefi i policisë së atij burgu i cili shtypi revoltën, masakroi vëllane tim e shokët e tij dhe më pas propozoi denimin me pushkatim bashkë me bashkëpunëtorët e tij që sot jetojnë të lirë në Gjermani, SHBA e vende të tjera të perëndimit. Ja urdhri i Edmond Cajes e më pas xhelatët e tjerë e miratuan, nje shkresë që e ka botuar studiuesi Kastriot Dervishi:

Ata e jetojnë sot lirinë, të pashqetësuar nga e shkuara e tyre e përgjakshme dhe kanë guximin e pafytyrësinë të dalin në media e të flasin për pafajësi e më keq akoma të akuzojnë viktimat e tyre. Është e papranueshmë për ne si familjarë të viktimës së xhelatit Edmond Caja, që të pranojmë heshtjen e institucioneve e të shoqërisë shqiptare për deklarata të tilla ku xhelatët tentojnë t’i cilësojnë viktimat e tyre, Tom Ndojën e Sokol Sokolin edhe terroristë.

Kanë kaluar 35 vjet prej kohës kur u pushkatua vëllai im. E kemi kërkuar varrin e tij për 27 vjet deri sa e gjetëm, vetëm me përpjekjet tona pa asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore. Nuk jemi ankuar kurrë, nuk kemi kërkuar kurrë hakmarrje, por kjo nuk do të thotë të pranojmë baltën mbi eshtrat e tij, baltë që e hedh pikërisht xhelati i tij e të tjerë xhelatë që e mbështesin.

Tom Ndoja e Sokol Sokoli por edhe të tjerë të vrarë e të ridënuar pas revoltës së Qafë Barit, janë dekoruar nga presidenti i republikës së Shqipërisë, me titullin “Nderi i Kombit” dhe vetëm kaq.  Asnjëherë nuk u kërkuan vrarësit e tyre që i pushkatuan në mënyrën më makabre, që iu hoqën edhe sytë prej ballit…..ndërkohë që ata jetojne të lirë madje shkruajnë nëpër gazeta si të pafajshëm. Ne duruam vrasjen e tij në atë regjim gjakatar komunist, duruam persekutimin e tmerrshëm gjatë burgosjes e pas vrasjes së tij, nuk kërkuam shpagim kur regjimi ra por kjo nuk do të thotë që të durojmë ende nën thundrën e xhelatëve komuniste, nuk do të durojmë asnjë pikë balte mbi varrin e tij.

Ne si familjarë jemi ende të persekutuar sepse shtetin Shqiptare e drejtojnë prapë komunistët dhe nuk gjejmë mbështetje në shtetin tonë. Por ne nuk do të ndalemi sepse do të kërkojmë drejtësi në isntitucionet më të larta ndërkombëtare./kujto.al/

 

Please follow and like us: