Xhoi Jakaj: Koha për një kryeministre grua
Gratë japin shumë nga vetja, nëse janë të lira nga presioni që iu bëjnë burrat e pushtetshëm, një numër i madh prej grave dhe vajzave politikane, të folurën në publik e kanë të diktuar nga kryetarët e partive respektive e nëse guxojnë të ndërtojnë një identitet individual dhe të mbajnë fjalim duke u mbështetur tek dijet e fituara ndër vite dhe inteligjenca e tyre, me forma të sofistikuara kryetarët i largojnë nga radhët e partisë dhe militantët partiakë i sulmojnë shpesh edhe në rrjetet sociale dhe portale, formë e përsosur e luftës populiste partiake…
Një vend si Shqipëria, ndoshta edhe për disa vite të tjera nuk do të donte të diskutohet nëse një grua do të ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar një institucion si Kryeministria, pasi aty ka pasur vazhdimisht burra pedantë dhe të pushtetshëm pafundësisht…
Me keqardhje e them që në këto 29 vite demokraci nuk kemi një bilanc realisht pozitiv, përsa i përket barazisë gjinore; ka gra në politikë, por në të shumtën e rasteve dalin dhe lexojnë pa i ndarë sytë nga fleta që u është dorëzuar nga kryetari me urdhër dhe realisht lexohet rrjedhshëm, me pikë e presje, fiks si qëmoti, me direktivat e partisë-shtet, sa të lë një shije shumë të hidhur, zonja deputete ose ministre, që mban fjalime të tilla e shndërrohet në zëdhënëse partie, ndërkohë që një ministre duhet të ketë autoritetin e duhur dhe jo të lexojë dokrra e dogma partie…
Është e vërtetë që sot kabineti ynë qeveritar ka numrin më të madh të zonjave që drejtojnë ministri të ndryshme, sikurse është e vërtetë edhe se përfaqësimi i tyre në parlament është rritur ndjeshëm, por ky është një tjetër diskutim që lidhet me disa kuota gjinore apo kërkesa në kuadër të integrimit europian, pra më shumë se liri zgjedhje nga gratë, ka qenë kërkesë nga BE për integrimin e vendit dhe plotësimin e kushteve të barabarta që në fakt janë fasadë…
Më tepër do ta lidhja këtë ngurrim për të menduar se një grua është e denjë për të qenë Kryeministre me zhvillimin social – kulturor të shoqërisë sonë, e cila mesa duket e ka të pamundur të shkëputet nga kjo gjendje tranzicioni dhe mentaliteti i një lideri-burrë që uluret fort, ku i frikësohen të gjithë dhe në fund nuk zgjidh asgjë, por përvetëson të gjitha liritë e të drejtat e grave që vetë ka përzgjedhur…
Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore pse unë mendoj se është momenti i duhur për të patur edhe vendi ynë një grua në krye të Qeverisë shqiptare, një zonjë që mendon me trurin e saj, jo e varuar nga kryetari i partisë, një zonjë të pakorruptuar, të aftë e të mirë, që e trajton Shqipërinë më butësinë e rritjes së një fëmije. A ka zonja të tilla, po, po, ka padiskutim, por ne u mësuam të pranojmë në drejtim vetëm meshkuj e të formatojmë burra cinikë e të pushtetshëm, deri në dhunues të të gjithë shoqërisë…
Dua të sjell në vëmendje disa gra të fuqishme në botë që i kanë dhënë zhvillim të madh drejtimit të vendit në kohën kur ato kanë drejtuar. Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore sepse Mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë; Mbretëreshë Viktoria, një epokë e tërë e artë mban emrin e saj; Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, nga e cila kemi trashëgimi deklaratën e famshme për të drejtat e njeriut; ndikimi i Margaret Thatcher në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm; Benazir Bhutto – kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci.
Le të kthehemi tek Shqipëria – pse edhe ne na duhet aq shumë të ndjekim shembujt e këtyre vendeve të mëdha në histori?
Së pari: Demokracia jonë do të forcohej më shumë e do kthehej në një demokraci më funksionale e paqësore,qeverisja është më e mirë kur përfaqësohet nga shumica me gra; shifrat tregojnë se ka shumë më tepër idealizëm dhe profesionalizëm në ato institucione që drejtohen nga gratë.
Së dyti: Gratë janë lidere më të mira – jo vetëm nga çfarë përmenda më sipër, por studimet tregojnë se kompanitë që kanë numër të madh femrash në lidership performojnë edhe më mirë ekonomikisht. Po ashtu besohet te fakti që cilësohen si më me ndershmëri përsa i përket barazisë dhe kompromisit në punë e kjo iu jep përparësi në role drejtuese.
Së treti: Ndikon në nxitjen e barazisë gjinore sepse duke parë një femër në një post të lartë drejtues nxit dhe motivon femrat e tjera të përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës. Vendi ynë edhe pse ka përjetuar ndryshime mbetet ende shoqëri patriarkale. Një grua lufton për të drejtat e grave. Shprehja feministe “politika është personale” është e vërtetë akoma dhe një Kryeministre grua në Shqipëri padiskutim ka eksperiencën personale në luftën për të qënë e drejte dhe e paanshmenë vendimet e saj…
Së katërti: Pavarësisht gjithçkaje, gratë punojnë së bashku. Ndoshta nuk do të kishim këtë ngërç politik nëse do të kishim një grua në këtë post kyç drejtues.
Së pesti: Shoqëria jonë fatkeqësisht ka harruar disa nga vlerat bazë dhe modelet aktuale nuk kanë shumë për të dhënë. U provuan burrat e fortë në dukje dhe të pushtetshëm që u kthyen në diktatorë, aq sa fjala tyre është para ligjit dhe në mënyrën më absolute dikton gjithë veprimtarinë e shtetit duke zgjeruar territoret e pushteteve dhe duke reduktuar edhe kopetencat e Presidentit,e pushteteve të tjera në Shqipëri si psh duke uzurpuar gjyqësorin dhe blerë median…
Ne si shqiptarë, e kemi në brendi që nomat e vlerat t’i mësojmë nga nënat apo motrat tona. Po ku ka më mirë!
Së fundja: Gratë nuk prodhojnë tirani. Një grua ka qetësinë e të drejtuarit dhe mençurinë e zgjidhjes se problemeve pa instaluar presionin; sot ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë nje grua kryeministre apo presidente dhe mbase politika e vrazhdë mashkullore ndryshon më në fund modelin e dhunës që më së shumti prej shumë vitesh është bërë pjesë e krejt shoqërisë sonë…
Por nëse ne gratë nuk lobojme fortë e të kërkojmë me këmbëngulje të na dëgjohet zëri dhe te jemi zonja fisnike në krah të burrave, nuk do bëhemi faktor me rëndësi politike, por do mbetemi në pozicione dytësore drejtimi.
E në rastin më të keq të perfaqësuara nga gra që nuk ngrenë zerin për të drejta e liri themelore të grave e vajzave, por mbajnë iso kryetarit të partisë….
Liri, pushtet, autoritet, nuk ti dhuron askush, ato fitohen dhe lufta për këtë fitore nuk është e lehtë, as e shpejtë
Por shpresoj që këtë vend ta drejtojnë sa më parë grate dhe ju siguroj që do e bënin më mire se te gjithë burrat politikanë në këto 30 vite demokraci..
Post Scriptum: Shkrimi im mori shkas nga një intervistë e znj. Arta Dade mbrëmë në ‘Tempora’ në TV Oranews nga gazetarja Marjana Legisi; filloni e mendoni se në Shqipëri ka gra të zonjat për të udhëhequr vendin, në atë moment po ju them që vendi ynë do bëhet më e mirë e më qetë për të siguruar një jetë normale si mbarë bota e qytetëruar…