Rama: PD po përpiqet të pengojë negociatat, soji më i degraduar politik
Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Edi Rama ka sulmuar Partinë Demokratike, e cila sipas tij po i bën jehonë vendimeve anti-shqiptare në Europë. Rama tha se me sjelljen e saj, PD po dëmton imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve dhe se po përpiqet me çdo kusht të pengojë hapjen e negociatave. Në lidhje me zgjedhjet, Rama deklaroi se është hera e parë që nga mbi 5 mijë qendra zgjedhore nuk ka asnjë ankesë dhe hera e parë në histori, që zgjedhjet kontestohen pas një viti e gjysmë. “Ata mendojnë se me këtë lloj xhiroje, do rrëzohet qeveria, do bëhen zgjedhje të parakohshme dhe tani qenkan edhe shumicë. Ajo shumicë që rezulton të jetë 170 mijë vetë në bulevard, sipas tyre, do çliroka Shqipërinë e do merka pushtetin. Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta lësh mendjen pushim e të shkosh verbërisht pas dikujt që të pranosh çmendurira të tilla. Ne jemi në këtë hall, që duhet të përballemi me sojin më të degraduar politik. PD ka qenë gjithmonë kundërshtari jonë, ka një histori të gjatë problematike me institucionet, por kjo që ndodh, refuzimi me firmë i mandatit për të përfaqësuar atë që të ka besuar ty që të shkosh në Parlament, është diçka që nuk e pranon askush. Nuk ka shans që të gjenden në këtë rruzull një demokrat i vetëm i një force demokratike, që të pranojë se kjo është diçka për të cilën ia vlen të bisedojmë. Jelekët e verdhë dalin nga shtëpia në rrugë për të djegur, diçka e rëndë por jo e re. Por parlamentarët të dalin në rrugë për të veshur jelekun e verdhë, është shembulli një partie pa kokë”, është shprehur Rama.