Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Sharlatanizmi i të ashtuquajturve historianë

Image result for reshat kripa

Reshat Kripa

 

 

 

Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmonë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e  përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë. Flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të Kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni,  kryetar i një partie, që ka gati njëzetepesë vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka vetëm një kryetar dhe asnjë anëtar. Medet që nuk na u ndanë këta kryetarët e përjetshëm që nuk i luan as topi nga postet e tyre. Megjithatë ky individ vazhdon ta quaj veten, madje kështu e quan edhe media shqiptare , “historian”.  Më falni, por a keni dëgjuar në ndonjë vend të botës, që një kryetar partie të jetë edhe historian i pavarur. Cilën histori do të studiojë dhe do të shkruaj ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Më falni që nuk po ia përmend emrin sepse është bërë fare qesharak por  besoj se ju e kuptoni se për kë e kam fjalën. Përkrah tij janë edhe një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941.

Ky xhongler nuk rresht së foluri dhe së shkruari për krimin që na paska kryer kryetari i qeverisë duke i hequr stadiumit te ri që po ndërtohet emrin e Qemal Stafës apo duke sjellë në atdhe eshtrat e dishepullit të shqiptarizmës, Mid-hat bej Frashërit.

Lexojmë shpesh mendimet e mykura të këtyre hienave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që,  në të vërtetë,  i gryen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Hasan Dostit, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë  të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam  kujtimet e mia të rinisë kur ata burra të shquar, të cilët u bënë mësuesit e mi në konditat e ferrit komunist, më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah

Nje shembull që provon se kush ishte ngritur kundër pushtimit fashist e tregojnë emrat e të internuarve nga Italia fashiste në kampin e Ventotenes. Kush u internuan atje? Ishin pikërisht krerët e Ballit Kombëtar Safet Butka, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, ishin Abdurrahman Kreshpa, Myzafer Pipa, Stavro Skëndi, Fazlli Frashëri, Selman Riza që nuk duronin dot zgjedhën fashiste,  ishin luftëtarët e Kosovës kreshnike Gani, Hasan dhe Seit Kryeziu. Ishin pikërisht këta që e kundërshtuan më shumë se kushdo pushtimin fashist. Po komunistët  ku ishin? Nga këta dallohen vetëm emrat e atyre që ishin idealista dhe që më vonë do të pushkatoheshin apo dënoheshin me burgime të rënda nga vetë krerët e tyre si Llazar Fundo, Sinan Gjoni, Zef Mala.  Po ata që urdhëruan vrasjen apo burgosjen e tyre ku ishin?  Ku ishte kreu i tyre, diktatori Enver Hoxha? Ai rrinte fshehur në shtëpinë e të kunatit të cilit, pak vite më vonë, do t’i dhuronte plumbin ballit dhe do ta etiketonte si “kolaboracionist”, si shpërblim të mikpritjes. pasi e tillë ishte ujdia me padronin e tyre jugosllav.

A ju kujtohet kënga që këndonin komunistët gjatë periudhës së luftës për çlirim?

Bijt’e Stalinit jemi ne,

Që derdhim gjakun an’e mbanë

Sa të valojë përmbi dhe,

Flamuri drapër e çekan!

 

Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që  synonte të pushtonte të gjithë botën.

Kjo gjë solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese. Nuk kishte më luftë çlirimtare. Nuk kishte më luftë kundër okupatorit. Lufta ishte e shqiptarit kundër shqiptarit, një luftë e egër për pushtet.

Një faqe tjetër e historisë së nacionalizmit shqiptar do të shkruhej pas vendosjes së pushtetit të regjimit komunist në vendin tonë.  Një histori e paparë në asnjë vend tjetër të Europës Lindore, do të jetë ajo e rezistencës shqiptare kundër këtij regjimi. Krahina të tëra si Postriba, Malsia e Madhe, Zhabokika e të tjera do të ngriheshin në këmbë për liri e demokraci. Grupe të tëra luftëtarësh të lirisë do të pranonim më mirë plumbat në gjokset e tyre apo prangat e rënda të burgjeve në vend të lirisë së mohuar. Të tjerë do të braktisnin lehtësirat që mund t’u jepte bota e lirë dhe do të ktheheshin në atdheun e tyre, në kuadrin e batalionit 4000 të Nato-s për t’u sakrifikuar për të. Dhe ishin pikërisht këta, që propaganda komuniste vazhdonte t’i quante “kolaboracionistë dhe bashkëpuntotë të pushtuesve“, në një kohë kur vetë bota e lirë i kishte strehuar në gjirin e saj. Çuditërisht, idetë e këtyre martirëve rezistuan për 46 vjet, megjithë shtypjen e egër që ushtronte regjimi. Ata i treguan atij regjimi se do të vinte dita e përmbysjes së tij dhe fitores së idealeve demokratike. Dhe, me të vërtetë, në saj të kësaj rezistence dhe goditjes që i dha së fundi lëvizja studentore e viteve 90-të, sistemi komunist u përmbys dhe u vendos sistemi demokratik. Për të gjitha këto, historianët sharlatanë heshtin. Përse?

Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë nismëtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më tepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi dolën të humbur nga beteja. Jo, mor zotërinj! Historia na mëson se Spartanët e mundën Athinën, por fitimtarët e vërtetë ishin Athinasit pasi janë ata që hynë në histori dhe vazhdojnë të kujtohen dhe të nderohen edhe në ditët tona. Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi hunbën vetëmn një betejë dhe këtë e humbën sepse nuk ishin vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishin të prapaskenave të pështira si ju. Ata ishin për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të  botës së lirë. Ata nuk donin të derdhnin gjak shqiptari si ju. Nuk donin të ngjallnin ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donin bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira. A nuk ishit ju që dërguat brigadat partizane në Kosovë për të ndihmuar armatën jugosllave ta ripushtonte atë vend? A nuk ishin Ramiz Alija dhe Rahman Perllaku që përcillnin nacionalistët kosovarë, nëpërmjet tokës shqiptare,  drejt Tivarit ku i priste një masakër e pashembullt? Madje “Apostulli i Shqiptarizmës”, Mithat Frashëri, edhe në çastet e largimit nga atdheu, deklaronte:

Ne   po   largohemi   nga  Shqipëria  jo  për   tëshpëtuar kokën,  por  për  të  vazhduar  luften  për çlirimin e saj nga thundra komuniste dhe për të vendosur sistemin demokratik”.

 

Unë  meditoj dhe pyes:

– A kemi vrasës midis nesh?

Përgjigjen e jap po vetë: Po, janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit, janë punonjësit e ish-Sigurimit  të  Shtetit  dhe organeve të tjera të dhunës komuniste që sot  janë  në  krye  të  skakierës  shtetërore. Ata janë në krye të  një kori të përbashkët me pseudodemokratët, pseudohistorianët dhe korbat e tjerë të zinj.

Atëherë, kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi  vendi   ynë?  Mos vallë qenkemi  ne  që e paguam me jetët tona? Mos vallë tani, pas njëzetenëntë vitesh që komunizmi është përmbysur, duhet të drejtohemi pikërisht prej atyre që ishin ithtarët e atij sistemi? Mos vallë nuk paska Shqipëria djem dhe vajza të reja, që kanë mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe nuk janë të infektuar nga ideologjia komuniste, pavarësisht cilit krahu i përkasin,  për t’i vendosur në postet e ishve të kompromentuar?

Jam i bindur, megjithëse unë, për moshën që kam, nuk besoj t’ia arrij asaj dite por mendoj se këto hiena më në fund  do të shembetn. Jam i bindur se do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të  hidhen  në  koshin  e  plehrave, ndërsa  emrat  e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i  pret vetëm një gjë, ndëshkimi i drejtësisë njerëzore, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.

Kjo ditë do të vij!

 

Please follow and like us: