Albspirit

Media/News/Publishing

Blandi Bitri: Ndodhi në pranverë (fragment romani)

Image result for blandi bitri

Fragment nga libri “Ndodhi në Pranverë” nga Blandi Bitri

 

Kapitulli i dytë: Tragjedia

Familjes po i kthehej qetësia pas aksidentit që bëri babi i tyre dhe ai vendosi të heqi dorë nga vesi i të pirit alkool. Aty në spital ai kuptoi familjen e vërtetë. Tre javë bashkëshortja dhe dy fëmijët i qëndruan tek koka. Ai qëndronte i heshtur në shtrat, por sytë e tij të shndritshëm e kishin marrë një vendim… Bashkimi pasi doli nga spitali  vazhdon  punën  si peshkatar. Futej në liqen, ende pa dalë dielli dhe dilte prej andej kur binte muzgu. Ai, dikur kishte punuar minator, por kur ishin mbyllur minierat prej më shumë se 10 vitesh ai kishte blerë një varkë me motor dhe peshkonte çdo ditë në liqen. Shiste peshkun dhe mbante familjen e tij. Edhe atë mëngjes ende pazbardhur dita ai u përgatit për peshkim…

Ermali, si asnjëherë tjetër, kërkoi që ta përcillte të atin deri tek bregu i liqenit. Vendosën motorin e varkës tek biçikleta dhe u nisën tek moli atje ku ishte ankoruar varka.

Dielli sapo doli mbi Malin e Thatë duke përflakur sipërfaqen e liqenit. Liqeni shtrihet tejendanë me ngjyra të buta dhe nuanca më të forta të së kaltrës që ngjante me një qilim ujor. Babai i Ermalit, Bashkimi montoi motorin në varkë dhe e nisi papritur. Çuditërisht atë ditë e puthi Ermalin në ballë dhe i premtoi që ditën e dielë do të peshkonin së bashku…

Befas, varka u shty përpara dhe motori gjëmoi në ujë duke lënë pas shkumën e bardhë që ngjante me brazdat e një ugari që lë pas traktori kur lëron tokën.  Bashkimi, babai i Ermalit, ishte një burrë i gjatë me sy bojëqielli dhe flokë të verdha. Ai e njihte liqenin me pëllëmbë dhe e dinte se ku kishte më shumë peshk. Varka e babait të Ermalit mori drejtimin drejt fshatit Lin. Në krahë të liqenit ngriheshin male të larta, të lëmuara me ngjyrë hekuri si të pikuara në ngjyrën vjollcë. Reflekset e tyre pasqyroheshin mbi ujrat e kaltëra të liqenit.

Një tufë pulëbardhash shoqëron varkën, klithja e tyre ngjante me një kor vajtojcash. Ajo lloj klithje e fortë e pulëbardhave nuk i pëlqeu Ermalit. Asnjëherë nuk kishte dëgjuar prej pulëbardhave klithje të tilla. Parandjeu një diçka të keqe. Ndërkohë, deshi t’i thërriste të atit të kthehej, por ai ishte larguar shumë larg dhe silueta e tij dhe e varkës në liqen zvogëlohej në distancë dhe dukej si varkë lodre në thellësi.

I menduar, Ermali shkoi në shtëpi, me një parandjenjë të keqe, por nuk ia tregoi nënës.

U nis për në shkollë. Ishte në vitin e dytë gjimnaz me të gjitha notat dhjeta. Si asnjëherë tjetër qëndronte në bankë i menduar. Sytë e tij ngjyrë gri, të strukur poshtë kaçurrelave mbi ballë, ngelën tek dritarja e klasës, e cila kishte pamje nga liqeni.

Papritur filloi të fryjë një erë e marrë dhe pika të mëdha shiu u përplasën në xhamin e dritares. Një shi i vrullshëm që ngjante me një stuhi…

Nuk kishin kaluar as dy orë që babai i tij ishte futur në liqen. Liqeni u nxi i tëri dhe dallgë të larta me kreshta të bardha ngriheshin si kuçedra mbi sipërfaqen e liqenit dhe shfrynin në breg…  Ermalit i sëmboi gjoksi. Një shqetësim i madh në formën e një ankthi iu krijua. Familja u shqetësua, kaluan orët e pasdites dhe babai nuk po vinte…

Kaloi një ditë, dy ditë të tmerrshme …

Kishin shpresë mbase era e kishte nxjerrë në anën tjetër të liqenit në Ohër apo në Strugë. Në ditën e tretë u gjend vetëm varka pa babain e tyre. Edhe pse erdhën palumbarët dhe filluan ta kërkojnë në thellësi të liqenit ata nuk e gjetën dot trupin. Vetëm pas 10 ditësh, kur në liqen filloi një veri i fortë me dallgë të mëdha doli trupi i tij në breg. Ishte një nga netët më të gjata dhe më të vështira të familjes kur erdhi arkivoli me trupin pa jetë të babait në shtëpi. Të nesërmen familja me miq, shokë dhe bashkëqytetarë e përcollën për në banesën e fundit…

Familja kishte marrë një goditje të rëndë…

 

Kapitulli i trete: Llotaria amerikane

Një fqinji i tyre kishte një restorant buzë liqenit dhe babai i tyre peshkun që kapte në atje ia çonte këtij restoranti. Ai kishte krijuar një raport miqësie më këtë familje. Duke i parë hallet e familjes që po shtoheshin edhe me tepër, edhe Ermali, ndonëse ishte 17 vjeç, i pjekur para kohe nga hallet, ishte i detyruar të punonte. Ai e punëson në lokal nga ora dy pasdite deri në orën 10 të natës. Ermali  punonte si kamarier dhe mundohej ta justifikonte besimin e pronarit. Ai shkonte në shtëpi i këputur fare, nuk kishte fuqi të hante darkë, shpesh flinte pa ngrënë. I dhimbte i gjithe trupi nga lodhja e madhe. Në orën 6 të mëngjesit ai çohej nga nëna e tij, bënte detyrat e shtëpisë dhe përgatitej për mësime.

Kështu rrodhën vitet e gjimnazit dhe Ermali ishte nxënësi më i mirë i shkollës, me të gjitha notat dhjeta. Por fatit të njeriut nuk i dihet pasi çfarë sjell minuta nuk sjell shekulli,  thotë një shprehje popullore. Në një moment, kur ishte duke punuar në lokal, e thërret pronari i lokalit, Agimi, i cili e donte Ermalin si djalin e tij.

– Ermal t`i duhet të provosh  fatin.

-Si ta provoj,  tha ai, fati im dihet, derisa humba babain. Kam kaq vite që i kam kaluar pa fëmijëri. Nuk di të luaj me shokët apo të shkoj në një shfaqje.

– Eja, eja, të shkojmë bashkë tek një qendër interneti ku plotësohen lloto për në Amerikë.  Ti tani je mbi 18 vjeç, për një muaj mbaron gjimnazin.

Ai plotësoi lloton, por pa shpresë… Iu duk sikur hodhi kot një gur në liqen…

Problemin e llotos amerikane, Ermali e kishte harruar. Vjen pronari mbasdite në restorant dhe i thotë Ermalit:

– Mrekullia ndodhi, të ka dalë llotua për në Amerikë. Ai sa nuk u çmend nga gëzimi.

Atje në Amerikë ai do të studionte dhe njëherazi do të punonte. E kishte të qartë një gjë: Gjithçka do të realizohej me forcat e veta. Madje, ai duhej të mbante edhe familjen në Shqipëri, pasi ata me lekët që merrte nëna e tyre Liria, e cila punonte në një guzhinë, mund të paguanin vetëm korentin dhe ujin dhe pak lekë që mbeteshin duke bërë një jetë të mjerueshme.

Nëna e tij, sapo mori vesh lajmin se djali i saj do të shkonte në Amerikë, filloi të qajë. Nuk kuptohej se ishin lotë gëzimi apo hidhërimi. Ermali e qetësoi nënën e tij se ai këtë fat duhet ta provonte, ky ishte një shans që ia krijoj Zoti.

Ermali kishte mbledhur ca të holla nga bakshishet që i jepnin në local, të cilat i mjaftonin për të prerë biletën e avionit.

Pa i thënë nënës, një dite para se të nisej për në Amerikë shkon tek  varrezat e qytetit pranë varrit të babait tek kodrat me gështenja.

“Baba, belbëzoi ai me ngashërim, unë do të iki larg, matanë oqeanit në Amerikë. Ti prehu i qetë se unë do të kujdesem për familjen, madje kur të vij do të rregulloj varrin tënd. Ti nuk je midis nesh të gëzohesh për djalin tënd, as nuk e përcjell dot në aeroport, emrin tënd e mori kjo pllakë varri”.

Ai po vështronte varrin e babait, asnjë ndryshim që nga dita që e varrosën, vetëm niveli i dheut ishte ulur. Tek koka ishte vendosur një pllakë çimentoje ku ishte shënuar vetëm emri. E vështroi varrin me vëmendie, babai i tij ishte atje poshtë. Mbase kishte filluar të kalbej. Çfarë tmerri!  Ermali filloi të qajë me dënesë.

“Baba i gjorë, nuk e harroj kurrë atë që ke bërë për ne në këtë jetë, na ke rritur me sakrifica të mëdha”, mërmëriti ai.

Ermali i ndezi një qiri tek pllaka e varrit.

“Tani bisedo me yjet e shelgun lotues që ke këtu mbi kokë. Mirupafshim së shpejti baba, unë do të kujtoj gjithmonë me respekt dhe dashuri. Do të më mungosh shumë baba…”.

U largua duke qarë.

Në shtëpinë e tyre atë natë u organizua një darkë e thjeshtë. Një  shishe  verë , një fanta, një  pulë e pjekur, dy pjata me patate të thekura dhe një tortë e vogël. Nëna ishte munduar t`i plotësonte dëshirën Ermalit, pasi ai i pëlqente shumë pulat e pjekura.

Darka ishte e heshtur. Mundohej Ermali të krijonte pak atmosferë të gëzueshme, por dukej që kjo gjë ishte e sforcuar.

Natën e fundit ata fjetën të përqafuar në krevatin e madh sëbashku me nënën, Ermalin dhe Çeljetën e vogël. Të tre, ashtu të përqafuar, duke lagur me lot fytyrën e njëri-tjetrit.  Ndarja që do të vinte pas pak orësh iu duk Ermalit një tmerr. Ajo nënë dhe motra e tij e vogël për të ishin gjithçka. Ermali iu lut familjes që të mos e përcillte deri në aeroport. Kjo do të ishte më e rëndë  për të. Ndarjet gjithmonë të vrasin shpirtërisht.

Please follow and like us: