Albspirit

Media/News/Publishing

Viron KONA: Trokitje në dyert e dijes

 

Trokitje në dyert e dijes - Bota Sot

Ese

 

Dikur ishin “gazetat” e murit që afishoheshin në klasa apo në holle të shkollave. Në to mësuesit e letërsisë vendosnin krijime të zgjedhura të nxënësve, poezi, prozë, hartimet më të realizuara, kurse mësuesit e shkencave natyrore probleme apo ushtrime të zgjidhura të një vështirësie disi të lartë. Afishoheshin edhe thënie, fabula, poezi, anekdota, vargje poetike nga njerëz të shquar, portrete, fotografi të ndryshme etj. Por, shpejt, ato zbardheshin dhe griseshin nga koha, apo, mbase ndonjë mësues i kujdesshëm edhe i ruante në dosje të veçantë.

Tashmë, që kohët kanë ndryshuar, sigurisht që edhe për nxënësit e mësuesit, mundësitë, mjetet dhe format për t`u shprehur janë shumë herë më të mëdha, madje të pakrahasueshme, ata shfaqin lirshëm idetë, mendimet dhe ndjenjat që u vlojnë deri në skutat më të thella të shpirtit. Për këtë bindesh shpejt, mjafton t`u hedhësh një sy punëve të tyre me shkrim, krijimeve në fusha të ndryshme të dijes, shoqërore dhe shkencore, në kulturë, në letërsi, pikturë, muzikë…

Nuk janë më “gazetat” e dikurshme të murit, por gazetat e vërteta, në shkolla, e deri edhe në klasa, sikurse, janë edhe shumëllojshmëria e botimeve nga mjaft nxënës, almanakët, albumet me punime në pikturë, tryezat e rrumbullakëta, bashkëbisedimet në “qeveritë e nxënësve”, shfaqja e ideve dhe mendimeve në facebook, në revista dhe gazeta, në radio e stacionet e shumta televizive, në faqet e internetit dhe në portale të ndryshme dhe të pafundme…

E, ndërkohë, shmangen dhe mënjanohen për herë e më shumë tabutë, inferioriteti, paternalizmi, mendimet e mykura, patriarkale e konservatore. Nxënësit dhe të rinjtë e sotëm jetojnë fare natyrshëm krahas me botën moderne, ata marrin nga bota dhe japin, madje disa herë spikatin shumë suksesshëm.

Nga përvoja ime, kur para disa vitesh kryeja detyrën drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali”, Tiranë, nga 11 klasa të vitit të parë, 8 klasa nisën të botonin gazetat e tyre. Sigurisht që dukej e tepruar, madje kjo dukuri u kthye deri në mahni dhe garë për të nxjerrë sa më shumë gazeta. Por, një gjë ishte fare e qartë, madje e bukur: nxënësit dëshironin, kërkonin vetveten, kërkonin forma dhe mënyra të ndryshme për t`i shprehur idetë, ambiciet dhe mendimet ashtu siç i ndjenin, ashtu siç e kuptonin jetën.

Ata dëshironin të hidhnin në letër dhe të botonin pjesë në prozë apo vargjet e tyre poetike, por edhe donin të provonin, të konkurronin se, edhe ata mund të bëheshin gazetarë, të zbulonin lajmin, të jepnin informacionin, të debatonin dhe të hidhnin në tavolinë ide dhe alternativa, ta provonin veten “sa vlenin” si poetë, shkrimtarë, piktorë e skulptorë, si historianë e gjeografë, të thellonin dijet e tyre në kimi, biologji, fizikë… të dinin sa më shumë për kozmosin, të nxiteshin nga dëshira për aventura për të zbuluar enigmat dhe misteret e gjithësisë, pra, u pëlqente të shpreheshin me kurajë dhe pa komplekse inferioriteti, duke u dhënë krahë ëndrrave, fantazisë, imagjinatës, dëshirës për të formuar personalitetin, për t`u bërë edhe ata dikush në jetë, të tregonin prirjet e tyre progresive në rrugët e gjsra të dijes.

Mundësitë janë të jashtëzakonshme, ato vijnë sot duke u shtuar, sepse hapja me botën, kontaktet apo shkollimi deri dhe në shkollat dhe universitetet më të dëgjuara të Francës, Anglisë, Italisë, Skandinavisë, Amerikës… vijnë duke u bërë gjithnjë e më të natyrshme, teksa interneti, gjuhët e huaja dhe elektronika ua kanë afruar dhe sjellë nxënësve botën dhe zhvillimet e saj në tavolinat e tyre të punës, në celularët – internet, që ata i mbajnë në duar ngado që shkojnë.

Shkak për t`u shprehur sa thashë më sipër, u bë edhe një almanak i shkollës së mesme të bashkuar “Mehmet Bajraktari”, Shalës, Elbasan. Më ra në dorë fare rastësisht dhe nisa ta shfletojë. Më tërhoqi vëmendjen që në hyrje parathënia e mësuesit redaktor Rakip Zhguni, i cili duke u shprehur për krijimtarinë e përfshirë në almanak, vlerësonte shumë punën e kolegut të tij, mësuesit të talentuar Spiro Basha, i cili ishte kujdesur dhe ishte përkushtuar për përgatitjen e këtij almanaku së bashku me nxënësit e tij.

Spiroja  kishte ditur të nxiste dhe të organizonte dëshirën dhe mendimet poetike dhe ato në prozë të nxënësve, i kishte mbledhur së bashku me ta, siç mblidhen nga kopshti lulet e bukura dhe të freskëta në një buqetë dhe, së bashku me ndihmesën e nxënësve dhe të z. Ali Lleshi, asokohe kryetar i shoqatës “Dumreja”, ishin kujdesur që ato të botoheshin në një libër të veçantë.

Deri këtu mbase këto që them janë mëse të zakonshme, sa raste të tilla ka shumë nëpër shkollat tona. Por, mua më duhet të pohoj se krijimet në poezi e prozë të atij botimi, shpërndajnë në ajër freski dhe aromë të këndshme edhe sot pas kaq shumë vitesh. Nga faqja në faqe, në to gjen shpërthime ndjenjash dhe emocionesh poetike për jetën, për të ardhmen, për shkencat, për atdheun, për demokracinë, për gjithçka që ata, fëmijë dhe adoleshentë, mendojnë se janë në natyrën, në shpirtin e tyre krijues, që i entuziazmon, apo i mundon e i turbullon, ndonjëherë mbase edhe i shqetëson. Ata e duan jetën dhe kujdesen që ajo të bëhet për herë e më e mirë, më e bukur, sepse tashmë ata e dinë se jeta jepet vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar, ky shans nuk duhet humbur. Prandaj, në krijimet poetike apo në prozë, ata shfaqin dëshirën të marrin mbi supet e tyre të njomë detyra dhe përgjegjësi.

Ato krijime nuk janë thjesht ide të çastit që vijnë nga frymëzime spontane, por ato janë rreze që projektojnë të ardhmen, që ngrejnë përpara tyre rrugë me shumë korsi, por edhe shtigje të panjohura, të pa aksploruara. Ata shpalosin në krijimet e tyre gjëra të mëdha e të rëndësishme, që nuk i thonë dhe nuk i shprehin dot në monotoninë e zakonshme, shfaqin figurativisht ato gjëra që i kanë mbajtur të mbyllura dhe, kësisoj i nxjerrin me ngazëllim dhe bukuri artistike. E, si të tilla, ato bashkohen në vërshimin pranveror të jetës, e pasurojnë atë me llojshmëri dhe freski, me origjinalitet, duke u bërë edhe shembull e nxitje edhe për mijëra nxënës dhe adoleshentë të tjerë.

Askush nuk ka dhe s`mund të ketë monopolin e diçkaje. Edhe në krijimet e adoleshentëve mund të zbulosh talente, mund të gjesh mendime të mëdha e të mençura. Mjafton të shfletosh almanakun në fjalë dhe nxitesh nga dëshira për t`i lexuar krijimet e botuara atje gjer në fund, madje, pse jo edhe për të mbajtur edhe ndonjë shënim. Në krijime, shprehet dëshira se ata nxënës duan diçka ndryshe, duan të dinë se ku shkojnë, të njohin botën dhe karakteret e njerëzore, veçoritë, prirjet dhe cilësitë e shoqërisë, ata kërkojnë të futen me zell e trimërisht në detin e madh të dijeve, të përballin dhe të kapërcejnë me krahët e tyre të njomë dallgët, lartësitë dhe sfidat e jetës.

Ata u bien kambanave të alarmit poetik, kundër përdorimit të drogës nga të rinjtë, kundër dhunës në shkollë, në mjediset publike, në familje. Krijimet e tyre tronditin shfaqjet e pesimizmit, ato dukuri që shfaqjen tek disa adoleshentë, që herë – herë humbasin besimin në të ardhmen, që ditët, vitet dhe e gjithë jeta u duket monotone, e mërzitshme, e trishtueshme: “Oh, prapë e njëjta gjë, përsëri detyra, mësime, çohu në tabelë, ik, ulu, katër, sill prindin, je i paralajmëruar, je i përjashtuar…uf”!

Natyrisht që edhe këto janë pjesë të jetës shkollore, por, problemi është se këta fëmijë e adoleshentë ndjejnë nevojën të përfshihen gjithnjë e pa sforco në natyrshmërinë e jetës, të nxiten të notojnë në valët e saj, edhe kur ato janë të trazuara apo dallgëzojnë fortë; ata duan ta motivojnë jetën e tyre dhe t`i japin asaj bukuri, vlerë, origjinalitet dhe kuptim në hapësira të gjera dhe pa kufizime.

Dhe, këto hapësira dhe mundësi, këta çelësa të dyerve të jetës dhe të dijeve, ua japin fëmijëve dhe nxënësve adoleshentë mësuesit e tyre, më të mirët, më të dashurit për ta, që i duan dhe i ndihmojnë, sesi t`ua bëjnë më të lehta gjërat më të vështira, se si ata të motivojnë sa më mirë vetveten, sesi t`u ngjallen shpresat dhe besimin se jeta është e bukur, por për ta jetuar atë, duhet punuar e luftuar vazhdimisht, duhet guxuar.

Në dorë mbaj almanakun dhe vijoj ta shfletojë. Buqeta poetike pasurohet nga faqja në faqe me emra krijuesish adoleshentë: E. Sollaku, E. Sallja, S. Meçja, G. Mukja, S. Meta, E. Liçi, E. Liçi, E. Xhika, F. Kurti, K. Çala, E. Sallja, Xh. Sadushi…Dhe, të kapur fortë për dore, së bashku me mësuesin e tyre Spiro Basha, ata vijojnë të shprehen me pjekuri dhe bukuri poetike. Mund të ndalesh në shumë nga këto krijime poetike, por zgjodha të citoj vargje nga E. Meçja: “Në s`çan malin, hap një tunel,/Nëse anija t`u përmbys nga dallga,/Ec, se udha e nisur diku del,/Mos e kthe më kokën prapa!”

Dhe më tej, vargje të D. Allkjas për nënën: “Çdo fjalë që më thoshe/Të lehtë ma bënte jetën”. Teksa, S. Kuqi, hedh me një frymë, siluetën e një peizazhi: “Heshtja mbretëron në natyrën e qetë/Hëna lozonjare më fshihet te retë./Ëndrrat nëpër gjumë, shpirtin ma ndezin,/E gëzuar pres, si lulja mëngjesin”.

Kurse në pjesën “Stuhia”, G. Mukja përshkruan: “Qielli i mbushur me yje të shndritshëm, në një çast u duk fare i shkretë. I kishin humbur yjet. Pikat e para të shiut u ndjenë sikur të ishin gurë. Më pas një erë e tmerrshme…Dukej sikur nga toka ishte ngritur një përbindësh dhe donte të shkatërronte gjithçka”.

Shfletoj dhe lexoj krijimet e almanakut dhe trazoj hirin e kujtesës. Sjell ndërmend mësuesin tim të matematikës në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë Avdurahman Meçaj, i cili me talentin e tij na bënte që ta donim shumë matematikën, jo vetëm sepse ai zgjidhte mjeshtërisht ushtrimet dhe problemet, por dinte të na tregonte sekretin, bukurinë e zgjidhjes, befasinë, por ai dinte edhe të kujdesej që ne të vizitonin edhe një muze, edhe rrënojat arkeologjike të qytetit tonë, por dinte edhe të shprehej mjaft bukur dhe në mënyrë poetike për Evarist Galuanë, që jetoi vetëm 21 vjeç, por që i la njerëzimit monumente të mëdha matematikore.

Sjell ndërmend mësuesin e letërsisë Harrilla Koçuli, që recitonte si një aktor i rrallë Homerin, Gëten, Bajronin, Pushkinin… dhe, më tej ai ia arrinte mjaft bukur që të fuste në bisedë letrare jetën dhe veprën e madhe shkencore të Anshtajnit, duke krijuar një ndërthurje midis lëndëve dhe fushave të dijes. Sjell ndërmend Gani Mezinin, mësuesin që na jepte lëndën e historisë, kaq bukur, saqë ne harroheshim teksa, ai, me mënyrën e qetë shpjeguese, na sillte përpara syve si në një film episode,ngjarje, njerëz të thjeshtë e personalitete të kohërave, beteja luftarake dhe zhvillime social-kulturore dhe shkencore, duke na tërhequr mjeshtërisht në thellësitë e kohëve dhe të historisë, ndërsa kuptonim se jeta nuk kishte filluar kur kishim lindur ne, por shumë shekuj e mijëvjeçarë përpara nesh.

Ngazëlleheshim me bukurinë e fjalës së bukur dhe tërheqëse të mësues Ganiut dhe ndjenim një respekt e simpati edhe më të madhe për të kur merrnim vesh se ai ishte dhe një nga gjimnastët më të shkëlqyer të vendit, që përfaqësonte Shqipërinë në olimpiada dhe kampionate ndërkombëtare. Kurse, mësuesi i muzikës, Pirro Cakrani, një kompozitor dhe këngëtar i rrallë, na i bënte të këndshme orën e mësimit sidomos kur këndonte arje, finale apo pjesë të zgjedhura nga operat më të bukura të Moxartit, Verdit, Rosinit, Jakovës…

Por, edhe në vitet e tanishme sjellë në kujtesë  mësuesen e pasionuar të fizikës Liljana Dhima e shkollës “Ismail Qemali”, që i bënte nxënësit ta donin aq shumë fizikën dhe astronominë, të zbulonin të fshehtat e natyrës dhe të kozmosit, të ishin vëzhgues dhe interpret, të diskutonin e debatonin shkencërisht si të ishin shkencëtarë të vërtetë, e, bashkë me nxënësit ajo botoi edhe një libër mjaft interesant për fizikanët më të mëdhenj të kohërave; mësues Xhezair Abazin, që ndonëse me kulturë shumë të gjerë, i kushtonte vëmendje dhe rëndësi të madhe përgatitjes së tij për orën e mësimit, pasi, siç thoshte: “Nxënësit e sotëm, janë shumë të zhvilluar, sepse edhe mundësitë ata i kanë shumë herë më të mëdha. Shfrytëzimi i internetit dhe i literaturës në gjuhë të huaj, u krijon kushte që të jenë shumë të përgatitur. Kur unë u jap atyre një shembull nga historia e artit dhe e letërsisë botërore, ata më japin edhe dy apo tre shembuj të tjerë”.

Raste të tilla janë të panumërta në shkolla dhe tek mësues të pasionuar. Ata dinë mirë sekretin se si t`i tërheqin nxënësit në fushat e dijes, t`u ngjallin atyre shpresën dhe besimin në të ardhmen shkencore, shoqërore, kulturore, letrare, artistike, sportive, por ata dinë edhe t`u besojnë talentit dhe aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve.

“- Organizimin e ceremonisë së diplomave, do t`jua besoj juve, -iu drejtova atëherë “Qeverisë së nxënësve”. Dhe, duke parë fantazinë dhe bukurinë e organizimit të asaj ceremonie, besoja akoma më shumë në talentin dhe aftësitë e tyre. “-Hë, si thoni, do ta merrni përsipër edhe organizimin e konkurrimit artistik, folklorik, teatral midis shkollave, apo edhe atë të gjimnastikës dhe të ndeshjeve sportive…? Por, ne mund të marrim edhe nismën kundër pirjes së duhanit, ta bëjmë shkollën tonë institucionin e parë në Shqipëri pa duhan”. Dhe, ia dolëm. Një mëngjes, tiranasit panë një kortezh prej 1500 nxënësish gjimnazistë, që ecnin heshturazi njëri pas tjetrit, nga gjimnazi “Ismail Qemali” tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ku do të kryeshin rritet e “funeralit” të shkatërrimit të një cigareje 7 metra të gjatë. Ajo nismë, u bë shkak që Parlamenti i Shqipërisë të nxirrte atëherë ligje të forta për të ndaluar pirjen e duhanit në mjedise publike.

Të gjithë e dimë se, aty, në bankat e shkollës, në ato orë mësimi të fushave të dijes, në veprimtaritë që zhvillohen, aty, në stenda dhe gazeta të vogla të shkollave, në ato konkurse dhe olimpiada, nisin dhe projektohen gjëra të mëdha, ku përfshihen gjithnjë e më shumë nxënës, fëmijë adoleshentë. Ata nuk e kanë hallin që të mburren se bëjnë një gazetë, se botojnë një cikël vjershash, apo libër të veçantë, që fitojnë një konkurs apo olimpiadë, por ata kërkojnë fushën, prirjen, drejtimin për të shprehur e shpalosur ndjenjat, mendimet, ëndrrat, ambiciet dhe pasionet e tyre. Dhe, për të gjitha këto, fëmijët dhe nxënësit adoleshentë duhen nxitur e ndihmuar.

Mjeshtërisht e zhvillon Stavri Llambiri idenë e “braktisjes së fshehtë” në njërin prej librave të tij, kur krahas të tjerave, shkruan për ata mësues që, gjatë orës së mësimit merren vetëm me disa nxënës që janë më aktivë dhe, lënë në gjendje përgjumje dhe ndonjëherë në harresë të plotë mjaft të tjerë, që potencialisht mund të jenë shumë të zotë, madje ndonjëri edhe më i aftë se ata që flasin çdo orë dhe çdo çast, por që kanë nevojën e një nxitje, të një tronditje që të zgjohen dhe të marrin pjesë aktive në temat mësimore, në ushtrimet dhe problemat, të nxiten në sprovat vetjake të krijimtarisë dhe të inteligjencies së tyre.

Është mësuesi që zbulon tek ata mendimin e fshehtë, misterioz dhe të pashprehur. Ai, duke trokitur thyen heshtjen dhe druajtjen e tyre, u zgjon ëndrra, dëshira dhe pasione, vë në lëvizje inteligjencien e tyre, u nxit më tej fantazinë dhe imagjinatën. Por, e kundërta ndodh kur ai tregohet indiferent dhe moskokëçarës. Nëse do të bënim një krahasim, (krahasimet asnjëherë nuk janë të përkryera) puna e mësuesit ngjason me punën atij bujku, i cili kur është punëtor dhe i ditur, e shndërron një tokë djerrë në një tokë pjellore dhe të begatë, kurse, kur është dembel dhe i paditur, edhe tokën më pjellore e shndërron në tokë djerrë, në tokë shterpë, ku rriten vetëm hithra dhe barëra të këqija.

Potencialisht mund të themi se tek shumica e njerëzve ekzistojnë prirje të veçanta, ndonjëherë ato janë të jashtëzakonshme dhe gjeniale, çështja është që ato të zbulohen, të nxiten dhe të vihen në lëvizje. Le të sjellim ndërmend se Homeri krijoi “Iliadën” duke qenë i verbër, dhe, madje, duke qenë i atillë, ai arriti të shohë më shumë se askush tjetër; Bethoveni krijoi sinfoninë e tij më të bukur kur nuk dëgjonte; Ciceroni, oratori më i madh i kohërave, kur ishte fëmijë, belbëzonte; Galuaji, matematicieni, më i riu ndër më të mëdhenjtë, “mbeti” në klasë në vitin dytë të shkollës së mesme dhe pikërisht në… matematikë; Komisioni e pranoi me vështirësi Edisonin që të hynte në klasën e parë të shkollës fillore, sepse e konsideronin me zhvillim të vonuar, teksa Aleksandri i Madh mund të themi se u bë i tillë, edhe sepse pati si mësues, mësuesin dhe filozofin më të madh të botës, Aristotelin.

Nuk e di pse në këto çaste më vjen ndërmend thënia e një njeriu të mençur se “ në botë, kanë kaluar pa u ndjerë dhe pa mundur të tregojnë talentin e tyre miliona njerëz”, që do të thotë se shumë prej tyre mund të ishin bërë si Fidia dhe Mikelanxhelo, si Sokrati dhe Platoni, si Bethoveni dhe Moxarti, si Arkimedi dhe Gausi, si Kolombi dhe Magelani, si Galileo dhe Koperniku, si Njutoni dhe Ajnshtajni, si Mendelejevi dhe Pjer e Mari Kyri, si Darvini dhe Linne, si Hipokrati dhe Flemingu, si Skoti dhe Amundseni, si Shekspiri dhe Verni, si Rembrandti dhe Pikaso, si Shlimani dhe Evansi, si Mecena dhe Nobeli, si Hillari dhe Norgej, si Gagarini dhe Armstrongu… por, edhe si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, si Naimi dhe Ismail Qemali, të cilët, si dhe qindra dhe mijëra të tjerë përkrah tyre, i kanë qëndruar historisë, e kanë ndihmuar dukshëm shoqërinë njerëzore apo kombet me kontributet e tyre të vyera.

Dhe, në kontekst të përmbajtjes së këtij shkrimi, e dimë të gjithë se edhe ata,  kishin qenë dikur në bankat e shkollës, se mjaft prej tyre si çdo fëmijë e adoleshentë, ishin mbase çapkën apo të druajtur, mbase shembullor që vinin çdo ditë me detyra apo problematikë, duke u hapur edhe ca telashe shkollës, mësuesve apo prindërve të tyre, por, që u bënë të mëdhenj, jo vetëm në saj të talentit, por edhe sepse patën kujdesin, vëmendjen e duhur nga mësuesit e tyre, të cilët, u hapën horizonte të reja, i mësuan dhe i nxitën që ata të trokisnin me këmbëngulje në dyert e dijes, të shpërthenin dhe të shfaqnin talentin dhe gjenialitetin e tyre.

Dhe, në mbyllje të këtij shkrimi, i rikthehem edhe një herë almanakut të thjeshtë të shkollës së mesme të Shalësit në Elbasan dhe, pikërisht mbylljes që i bënë mësues Spiroja, duke paraqitur në mënyrë figurative shprehjet e syve të nxënësve të tij të dashur: “E shikon mësues? Lexo në sytë tanë dëshirën dhe pasionin e madh për poezinë, merr me vete shpirtin tonë poetik…”. Dhe, mësuesi vijon: “Kaq mjafton për mua, që të vazhdoj të punoj me pasionin e mësuesit…, të shoqëroj me sy fluturimin e tyre”.

 

 

 

Please follow and like us: