Dr. Drita Avdyli: Mësimi online, metodë alternative efikase
Dr. Drita Avdyli, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Ndër prioritetet më të mëdha të çdo shteti është procesi i arsimimit, edhe në situata të vështira siç janë këto që po kalojmë këto ditë. Arsimi është tepër i nevojshëm në të gjitha kushtet në të cilat mund të kaloj një vend, si rrjedhojë dhe vazhdimësia e tij është domosdoshmëri. Sot arsimi online po diskutohet në të gjitha komunikimet akademike, televizive, studentore.
Edhe ne në Universitetin Mesdhetar vazhdojmë mësimin online, si një dritare e favorshme për të mos humbur rrjedhën normale akademike. Mësimi online, si një zgjidhje e menjëhershme nga institucionet arsimore, u jep mundësi stafit akademik dhe studentëve të mos ndërpresin mësimin. Komoditeti me mësimin online normalisht nuk mund të themi se është si në auditor, por duhet theksuar fakti se komunikimi me video është mjaft produktiv, duke zbutur sadopak diferencimin e komunikimit edhe fizik në kushte të zakonshme.
Jemi në situatë të vështirë dhe normalisht duhet kuptuar që roli ynë duhet të jetë sa akademik aq edhe social. Ne nuk jemi vetëm në rolin e pedagogut, por duhet të krijojmë klimë të mirë bashkëpunimi mes palëve. Izolimet nuk janë të lehta, por kushtet dhe teknologjike na mundësojnë të gjitha rrugët e komunikimit me studentët.
Universiteti Mesdhetar përcjell gjithë gadishmërinë për t’u ardhur në ndihmë studentëve duke dëshmuar një raport të ri mjaft efikas në këto javë mësimore. Ne si staf akademik e njohim formatin online dhe kjo na ndihmon ta çojmë dhe tek studentët në lehtësinë dhe familjaritetin universitar. Si pedagoge mendoj që ne si universitet kemi ruajtur një marrëdhënie tepër produktive me studentët pasi atyre në kohë iu është dhënë literatura online, mësimi online dhe çdo paqartësi është kthyer në mundësi përmisimi. Kjo teknikë e re komunikimi ka sjellë një frymë tjetër në çdo universitet duhet ta pranojmë, angazhimi vazhdon të jetë korrekt nga të dy anët. Vlerësoj faktin që studentët shfaqin tepër interes dhe impjenjim, kjo është e mira e ruajtjes së ekuilibrave mes nesh si në aspektin akademik ashtu edhe në atë human.
Mësimdhënia është art dhe si i tillë duhet parë në dimensione të komunikimit të gjërë dhe në shërbim të së ardhmes. Vlen të përmendim përgatitjen e menjëhershme të stafit tonë akademik dhe administrativ për ta kaluar këtë situatë delikate. Në asnjë moment nuk mungon vëmendja dhe përgjegjesia jonë për të qenë në kontakt me procesin e marrjes dhe përfitimit të plotë të njohurive.
Këtë vit, për shkak të kushteve të karantinës, panairi i ideve VI do zhvillohet online, duke mos humbur asgjë të ndërtuar nga ky institucion dhe që u jep mundësi të gjithë studentëve tanë si dhe të universiteteve të tjera që ata të shpalosin idetë e tyre në shumë fusha të rëndësishme. Ky model i ri në të cilin ne jemi përfshirë zotëron fuqinë e komunikimit të ri, i cili për ne të gjithë do shërbejë si një praktikë thelbësore për të arritur qëllimet dhe rezultatet në çdo situatë.
Universiteti Mesdhetar ripret studentët të kthehen sa më shpejt në auditore, që godina të zhurmojë sërish nga bisedat studentore, hapat e shpejtë nëpër shkallë, portat që vetëm lëvizin nga prania e tyre, deri atë ditë ne shpresojmë që të vijnë të gjithë dhe të gjithë njëzëri të themi se ‘ia dolëm’.