Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Turp e faqja zezë, shoqëri shqiptare!

Basha: Mbyllja e kufirit për shqiptarët nga Rama, akt kriminal dhe papërgjegjshmëri

Sinqerisht është e neveritshme kur televizionet a web-et shqiptare hapen me lajme rreth Amerikës, apo mbi gjoja konfliktin federal që është Trumpi dhe shtetet e tjera. Nga ana tjetër kur marrin si model të keq një rast varrimi në Shkodër si e si për të justifikuar qejfet perverse partiake. Kurse ata që përtypen përpara televizorit pohojnë se ne jemi popull që vetëm druri na bën esëll. Akoma më keq kur themi se jemi në luftë dhe bëjmë sehir faktin se si akoma vazhdojnë e grumbullohen qytetarë të tjerë në trojet neutrale të Kapshticës, Kakavijës a Muriqanit.

Lajmi i grumbullimit të qytetarëve shqiptarë në zonën neutrale të Kapshticës ishte edhe sot, por i fundit nga radha. Thjesht një kronikë lajmesh dhe kaq. Shkruajta edhe para disa ditëve për këtë problem. Dhe e di që shteti i babait as që do t’ia di, por mua më shqetëson regresi social intelektual që ka ndalur në dy fronte, atë të Edi Ramës dhe opozitarizmit që bën politikë në kohën e murtajës. Madje është e turpshme të transmetohen kalkulime me sondazhe se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme.

Ndërgjegjes a inteligjencës shqiptare dua t’i drejtohem. Ndërgjegjes profesionale qoftë edhe të atyre gazetarëve të rretheve kur transmetojnë lehtësisht se si një grup shqiptarësh, emigrantë kanë mbetur të izoluar në Kapshticë për shkak të urdhëresave qeveritare të izolimit. Mos u mjaftoni vetëm tek lajmi se puna quhet e kryer kur përfundon në të mirë të qytetarit dhe të drejtave civile si shtetar, si votues. Ndërgjegjes a inteligjencës për të demonstruar vitalitet ashtu siç tregoni duke bërë bravo Edi kur ai demonstron foto e mburret se dërgoi 30 mjekë në Itali. Kur shet Lasgushin për të transportuar 10 qytetarë amerikan deri në Romë a Stamboll, se nga aty i merr vet Amerika, si kujdes të tijin.

Dhe me që ra fjala, Amerika i merr shtetasit e saj, sepse e ka detyrim kushtetues. Kurse ju aty dëgjoni disa gazetarë që dalin me vrap dhe thonë se Trump nuk mbyll qarkullimin etj., nuk u përgjigjet amerikanëve. Mbylja apo mos qarkullimi i shteteve të Amerikës nuk funksionin këtu si në Tiranën e Edit apo Teheranin e Hassan Rouhanit. Janë tjetër gjë ligjet federale dhe ato që ka në dorë një guvernator shteti.
Ashtu sikur është sublim angazhimi qytetar. Të paktën merrni mundimin e informohuni, se ngaqë u flisni njerëzve aty për gjendje të jashtëzakonshme, por duket sheshit që nuk e dini se çfarë përmbajtje ka një vendim i tillë në një vend si Amerika. Por qëndrojini modelit të paktën tek inisiativat mbi individin. Eshtë e shëmtuar të dëgjosh nga vendi amë se përse kthehen emigrantët? Shqipëria është e mbyllur, të rrinë në Greqi. Atëherë lëri të vdesin aty, pastaj solidarizohuni me meme fejsbuku siç bëni me emigrantët sirianë që humbin jetën në brigjet e Egjeut.

E fundit fare, jemi vend anëtar i NATO-s sa festuam përvjetorin e 11-të, nxorrëm makinat e ushtrisë nëpër rrugët e Tiranës. A nuk kemi forca të tilla që t’u vinë në ndihmë shqiptarëve tanë aty. Keni frikë se mos janë të infektuar? E çfarë domethënie ka kjo, lërini të vdesin. Absurditet! Nuk paskemi ne vendi anëtar i NATO-s t’u ngrejmë disa çadra fushimi, një staf ushtarak mjekësor, në fund të fundit ta bëjnë karantinën në çadër.

Eshtë çnjerëzore t’i lësh në qiell të hapur. Apo është traditë shqiptare? Unë nuk e besoj. Megjithëse më trishton pa masë që një grup shqiptarësh teren në një tokë që s’është e askujt. Turp e faqja zezë shoqëri shqiptare.

Please follow and like us: