Gjergji Gjika: Mbi 50 mijë persona nga biznesi fason pritet të dalin të papunë brenda këtij muaji
Në biznesin fason janë të punësuar rreth 70 mijë persona, ndërsa brenda këtij muaji rreth 85% e tyre pritet të dalin të papunë. Deklarata u bë nga Gjergj Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve në një intervistë për Ora News.
Gjergj Gjika: Kemi një shifër rreth 70 mijë të punësuar në këtë sektor, të organizuar në mbi 720-730 ndërmarrje dhe kjo krizë pritet të godasë mbi 80-85% të këtij sektori. Që do të thotë mbi 50 mijë vetë brenda këtij muaji do të dalin të papunë.
Në kushtet kur të gjitha dyqanet në Evropë janë mbyllur, Gjika thotë se ky sektor duhet të ndihmohet sepse nuk është industri që prodhon reçel, por prodhon veshje dhe këpucë.
Gjergj Gjika: Nuk dimë dhe nuk jemi të përgatitur të bëjmë punë tjetër. Ne nuk mundet që këtë lloj industrie, pra industrinë e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve të kthehet në industri për të bërë reçel apo komposto. Kjo industri i përgjigjet vetëm këtij sektori, prodhimit industrial të veshjeve dhe këpucëve, e cila deri dje ka qenë e destinuar për tregun evropian. Përderisa të gjitha dyqanet janë të mbyllura në Evropë, atëherë nuk ka shitje. Në këtë kuadër ne nuk kemi prodhim.