Nexhat Halimi: Shtatë sonete për Fedorën
Sonet për ty
Vjen hapësirës së bardhë kalorësi blu
Me shallin e të dashurës blu nën fyt
Kalon pranë kafkës së ndezur var` në hu
E ty të dhemb fort dhe malli të mbyt.
Kroi i akullt ndërmjet rrjedh me furi
Të pëlcet gjak nga goja e hundët curril
Dëgjon zërin humbur të vetes tebdil
E ritmi i këputur i zemrës zgjon stuhi.
Koha vjen e ik kafkës e fryn era e bie shi
Mos u jep në këtë hapësirë Fedorë
Hija në fund të ëndrrës vjen me borë.
Ja variacione mitike unë shkruaj për ty
Kaq i vdekur të ngjallet gurit etja e gjirit
E yje e flutura rikthen flakës të qiririt.
Soneti tjetër
Të mos jepesh Fedorë mbi trupin e vrarë
Njëjtë vjen e ik pamja tashmë natë derdhë
Vetmia vjen e ik e vjen kurmit tërë varrë
Veç kujtimi prek gjakun kafkës së verdhë.
Ti vjen dhiares me lule në dorë e lot në sy
Shkel në gurë afër rrapit vdekur ku të pres
Aty të më zgjojë drita e artë për çdo mëngjes
Të flas poezi për sytë tu dy yje lart në gjithësi.
Ndërmjet afshit të trazuar pikin lot apo shi
Lulet i lëshon në dheun e varrit mbushur bar
Zbret e venitur kujtimit të shfaqur në vetmi.
Të mos jepesh Fedorë kurrë në ylberin mbi varr
Ndërsa gjithësia ndjek fluturën e shpirtit te ti
Të mbetur me sytë e dashurinë me vjet në ty.
Soneti i tretë
Tashmë vjen çdo të diele me lule në dorë
Ec fushën me mjegull e arrin e përlotur
Çdo gjë ka ndryshuar është venitur fedorë
Vetëm ti nuk jepesh mbi hijen e kotur.
Në kodër ç` psherëtin pa zë zotIm për mua
I afrohesh pemës me degë varur mbi varr
Shikon mes gemash qiellin në shi mbi qarr
E në vetmi zbret prapë pikëllimit në krua.
Pi ujë aty merr frymë thellë e më rikujton
Zemra trokon ashpër trazuar në çdo stacion
Kthen prapë në qytet me mallin e vjetër.
Dëgjon lajmet e ditës lojën me tradhti tjetër
Për dritare bie hëna dhe e përgjakur nata
Në tarracë vetëtojnë hije me hapa të gjata.
Sonet i ri për ty
Qelqit të dritares rrëshqet gjarpër i zjarrtë
`i degëzim i jashtëm e tjetri brenda Fedorë
Kujtimit pandërprerë unë ta bëj me dorë
Ti nxjerr nga arka letrat fyellin frymë artë.
Ja këtu jemi një me detin në pushim dimëror
E këtu pastaj në udhëtim të gjatë me tren
Lëvizim mes dy stacionesh e diçka më brenë
T`i ecë trojet mitike me kalë atdheut Arbëror.
Gjithë jetën e ke në çaste e në data e ngjarje
E unë e ti të vetmuar me dashuri në zemër
Pa ndonjë gjë tjetër veç me ëndrra e sharje.
E koha vjen e ik udhëtimin befas e lë pa emër
Bie prapë vetëtimë dritares apo hija më vret
Ja kaq vjet s` jam Fedorë e ti ende kot më pret.
Prapë sonet
Ja prapë e diela agon nën rrebesh të egër e shi
Ngjitesh kodrës me ombrellë të zezë sipër kokës
Në shpirt ke ligësi apo të zë sëmundja e tokës
Në zemër përtypë pagjendje apo vetëm vetmi.
Varri tashmë është rrafshuar veç ka mbirë barë
Shpërthen dhembje e re a vjen dikush me bujë
Fusha poshtë shkëlqen zjarrtë nën mjegull e ujë
Të merr lemza kraharorit të ik thellë një e çarë.
Përkulesh në lutje për shpirtin e këngën të vrarë
E zbret dhiares me kokë të mbrojtur me ombrellë
E ndjek gjëmën kroit të vjetër nga vjellë e vjellë.
Ndërmjet dëgjohet oshtimë e thellë e paparë
Unë provoj skema e variacione të shkrimit për ty
Bëj përpjekje në njëmbëdhjetë rrokësh përsëri.
Sonet për dashurinë
Tingëllimat e zgjimit vijnë me zogj të përhirë
Ja nga flatrojnë tarracës përbri hijes së vet
Hëna nga e derdh mungesën time ka vjet e vjet
E dashuria nuk vdes kurrë në asnjë mënyrë.
Në asnjë mënyrë Fedorë s` vdes dashuria në ty
Kot e vrasin zemrën kot e mbysin etjen flutur
Çdo gjë imja është aty gjallë në pupël të këputur
Të lidh ndjenjat e mrekullisë me yjet në gjithësi.
Kot bën përpjekje për gjumë të ëndërrosh kot
Nata ka mbyllur rrugët sheshet ndrit vetëtimë
Ti vjen e ik dhomës korridorit tarracës në lot.
Përhitet gjithçka fjala dhe gjaku me pështymë
Vë bërrylat në parmakë me dy faqet në shuplaka
Ndërsa ik e rrëmbyer nga etja e zgjuar nga flaka.
Soneti i shtatë
Ti mësynë kodrën nën degët e gjata të rrapit plak
Unë përpëlitem shkrimit për ty humbur në natë
Ti e ecë kodrën me varrin mes dy gurësh të pa fat
E mbytesh kujtimit e mbushur vetmi e gjak në lak.
Ecë nën hënë e të përhitet litari ashpër lidh` në fyt
Papritur më vëren nga zbres dhiares për në krua
Vjen dhe ti me shtambë në dorë të shihesh me mua
Të njëjtës udhë ja vjen e ik dhe zjarri i im e i yt.
Më shikon në sy dridhesh të bie shtamba nga dora
Ah Fedora dashuria s` vdes kurrë në asnjë mënyrë
Qiellit krrokatin për krismë të pushkës zogjtë e mirë.
Çfarë ngjau kështu moj e bukura për vdekje Fedora
Tashmë çdo gjë mbeti vetëm dhembje dhe kujtim
Vetëm ëndërr e etje dhe gjithësi me dy yje në zgjim.