Albspirit

Media/News/Publishing

Shtyhet vlefshmëria e kartave ID që skadonin në 2020

Kartat e identitetit që do të skadonin në vitin 2020 do të jenë të vlefshme deri në përfundim të gjendjes së epidemisë. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave i cili miratoi aktin normativ që shtyn skadencat e kartave të identitetit derisa të përfundojë gjendja e epidemisë nga COVID-19. Para këtij akti qeveria kishte miratuar vendimin për bërjen të vlefshme të çdo pasaporte shqiptare që skadonte, deri në dhjetor të këtij viti. Akti i miratuar sot vlen për kartat e identitetit që vlefshmëria u mbaron brenda 2020.

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi:

Neni 1

Pas nenit 9/1, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Please follow and like us: