Albspirit

Media/News/Publishing

166 vota pro dhe 8 kundër/Asambleja Parlamantare e KE miraton raportin e Dik Martit

Dick Marty: "The Hague hid all the evidence of the yellow house ...

Me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër, me 9 të përmbajtur, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar më 25 janar 2011 rezolutën, me të cilën kërkon hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dik Marti. Ky i fundit ka marrë mbështetje të madhe për raportin e tij, në të cilin akuzon edhe disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi.

Rezoluta në fjalë kërkon që EULEX-i të ketë edhe mandat, edhe mbështetje të nevojshme politike e financiare për t’i bërë hetimet. Miratimit të këtij raporti i parapriu një debat në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që kishte filluar që në mengjes, për të përfunduar pasdite vonë.

Në fillim të seancës ka folur së pari vetë autori, i cili shpesh ka përmendur librin e ish-kryeporkurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, duke thënë se shqetësimet që përmend ajo në librin e saj, nuk kanë mundur të mbeten të pahetuara. Marti ka përsëritur akuzat se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bashkëpunuar sa duhet, ndërsa ka akuzuar edhe Tribunalin e Hagës për shkatërrimin e provave të mbledhura në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë“. Duke folur për ato që e kanë shtyrë ta bëjë këtë raport, Dik Marti ka thënë:

“Kërkimi i së vërtetës dhe denoncimi i padrejtësisë shpesh është i dhimbshëm, shqetësues dhe gërsheton strategjitë politke me interesat politike. Ne në këtë Asamble kemi thënë gjithmonë se të drejtat e njeriut asnjëherë nuk mund të sakrifikohen”. “Ato nuk janë dhe nuk mund të bëhen kurrë të negociueshme“, ka thënë Marti në fjalën e tij hyrëse.
Raportuesi nga Zvicra, në këtë fjalim, është arsyetuar disa herë se nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës dhe se ky raport nuk ka të bëjë fare as me statusin e Kosovës e as me raportet e Kosovës me Serbinë. “Ky raport nuk është raport kundër popullit të Kosovës, e as kundër popullit shqiptar. Ai nuk paraqet thirrje mbrojtëse për Serbinë“, ka thënë Marti, duke shtuar se ai nuk i vë në dyshim krimet e tmerrshme të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit.

Më tej në fjalimin e tij, Dik Marti ka pohuar se ka dëshmi për dyshimet që përmend në raport dhe se ka dëshmitarë me emra dhe mbiemra, të cilët nuk kanë lidhje as me Rusinë e as me Serbinë. “Po, këta dëshmitarë e duan shtetin e tyre, Kosovën. Por, ata janë shumë të frikësuar. Ata nuk i besojnë drejtësisë kombëtare apo ndërkombëtare, e cila nuk ka qenë në gjendje dhe ende nuk është në gjendje t’i mbrojë dëshmitarët. Si mund t’i fajësojmë ata për këtë“, ka thënë Marti.

Nga shumcia e folësve në seancë, përfshirë edhe përfaqësuesit e grupimeve kryesore partiake, raporti i Martit ka fituar mbështetje të fuqishme, që u pa edhe në rezultatin e votimeve.

Autori ka marrë edhe lëvdata për atë që folësit e kanë konsideruar si “punë të jashtëzakonshme“. Disa folës kanë fajësuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tyre, ka lejuar që krimet të kalojnë të padënuara, për shkak të interesave politike.

Ka qenë një deputet socialist nga Franca, i cili, megjithatë, ka thënë se ky raport duhet të merret me rezerva, sepse ka shumë pjesë ku duket sikur ai të jetë përmbledhje e thashethemeve dhjetëvjeçare në rajon. “Raportet pozitive për këtë raport nga ana e mediave nuk duhet të na ndalin që ta shohim me sy kritik këtë raport“, ka thënë Zhan Klod Frekon nga Franca.

Milenko Doriq nga Kroacia, me profesion mjek, ka shprehur dyshimet se transplantimi i organeve ka mundur të bëhet në ato kushte. Ai ka thënë se pak klinika në rajon mund të bëjnë transplantimin e organeve, sepse për këtë, sipas tij, kërkohet një operacion i komplikuar, me mjekë të kualifikuar dhe kushte të duhura.

Një deputet nga Monako ka konfirmuar se kërkesa për nxjerrjen e këtij raporti ishte iniciuar nga Kosaçev nga Duma ruse. Deputetët nga Rusia edhe në këtë seancë ishin aktivë në mbështetje të raportit të Martit, duke i quajtur pjesët e raportit si dëshmi, siç janë shprehur ata, “të politikës së dyfishtë të bashkësisë ndërkombëtare”.

Disa deputetë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që ky raport të mos keqpërdoret për të vënë në dyshim pavarësinë e Kosovës. Deputetët nga Shqipëria kanë paraqitur disa amandamente, në mënyrë që raporti të bëhej më pak politik. Por, të gjitha këto u hodhën poshtë në votim. U pranua edhe në pajtimin e vetë raportuesit, vetëm kërkesa që të ndryshohet titulli i raportit – në vend të “Raport për trafikim të organeve“ të thuhet “Hetim mbi trafikmimin e organeve”./rel, 25 janar 2011/

Please follow and like us: