Haris Vongli: Kur ti s’je…
Kur ti s’je
Ajri rëndohet
Plumb mbi mishin tim,
Varur qull qelizat –
Një qerpik i rënë që ti s’e kap
Një fije floku më pak
Një rrudhë e re poshtë syve,
Sy që çmenden duke të kërkuar ty
Mes milonash,
E nëpër pyje dhe yje.
E sa të ndiej unë ty kur afër je
E sa të pres unë ty kur larg më je.
Kur duart dot s’t’i prek
Hapat e mi humbasin tërë busullat
E rrugët kundërmojnë si pusetat e Parisit të pas shiut.
E damarët më rrinë bosh si trenat e Londrës së vonë.
Ti je gjithë format e trupit tim
Gjithë lindjet e diellit e çdo perëndim.
Je gjithë jetët e mëparshme –
Mes dritash dhe në errësirë.
Ta dish se të kam dashur në plot jetë,
Marrëzisht.
Të kam dashur unë e pa dyshim tërë fustanët e mi.
Please follow and like us: