Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Engjёlli me xhaketёn blu

 

Tregim

Ndёrsa shihte atё pikturё ndjeu njё fllad nostalgjie tё çuditshme. Ishte njё pikturё nё vaj, ku me ngjyra tё kursyera paraqitej njё ditё vere nё qytet. Qielli ishte krejt i kaltёr, rruga sё bashku me sheshin, shprehte falё ngjyrave, atё ndjesi tё pandryshueshme pёrjetёsie qё na ndjell njё mёngjes i qetё vere. Duke u nisur nga hijet e pallateve, dukej qartё qё flitej pёr njё orё fare herёt nё njё mёngjes qytetar. Orё kur njerёzit nuk kanё dalё ende. Ngjyrat, krejt tё kursyera, ndillnin atё ndjesi ngrohtёsie gati familjare qё qyteti tё fal. Gjithçka nё telajo, dukej gjithashtu si e filtruar me njё vel dashurie dhe melankolie. Melankoli e cila shprehej me tё verdhat e kursyera tё godinave, heshtjen e sheshit dhe rrugёn bosh, ku palёvizshmёria e gjelbёr e pishave nё tё djathtё tё telajos tё dёrgon aq larg nё kohё.

Vёrtetё, vite tё tёra kishin kaluar. Tani, ai shihte tё njёjtin shesh, tё njёjtёn rrugё, pemёt pёrreth shatёrvanit, por i shihte siç kishin qenё dikur. Kur ende adoleshent, ajo dashuri e pazakontё, e çuditshme, gati qesharake e kishte pushtuar krejt.

Atё verё tё stuhishme ndjenjash, sapo kishte mbaruar gjithashtu romanin: “Etja pёr jetё”! Librat nё diktaturё ishin si ujёt e bekuar. Gjendeshin me zor sepse diktatura nuk i lejonte. Kishte frikё se njerёzit mos zgjoheshin dhe ndёrgjegjësoheshin. Por ai e kishte blerё atё roman, tё njё piktori moderrn. Ndaj tё verdhat e rrugёve, ngjyrat e ndezura, i ngatёrroheshin nё ndёrgjegje, me forcёn e ngjyrave tё pikturave tё tij. Flitej pёr artistin hollandez, Van Gogh. Dielli e kishte atё forcёn djegёse tё dritёs sё tij.

Ndaj edhe pse, nё 35 vjetёt e fundit, ndryshimet urbane ia kishin tjetёrsuar krejt pamjen sheshit, prap ai ashtu e kishte ruajtur thellё nё zemёr. Siç kish qenё dikur.

Tek shihte pikturёn ai mbylli pak sytё. E pa veten fare tё ri, tek ecte përgjatë bulevardit tё heshtur dhe tё zbrazur. Ishte zakonisht ora 4 pa njёzet. Ato tё dyja do tё kalonin. Kjo ishte e sigurtё. Si ajo dhe motra e saj S.

Kjo ngjarje, ishte pёr tё sa banale, po aq edhe e madhёrishme pёr ndёrgjegjen e tij. Njё ndёrgjegje ende prej adoleshenti tё turpshёm dhe ёndёrrimtarё. Ishin bёrё pёr tё ato tё shtuna nё orёn katёr pa dhjetë mё tё rёndёsishme se gjithçka. Kishin rёndёsinё e njё finaleje botёrori, apo tё njё mega koncerti tё grupit mё tё dashur dhe tё adhururar. Ishin ato tё shtuna mbasdite himne perjetësie. Shpirti ishte si nё festё, ndёrsa ngazëllimi vetmitar shprehej me njё hov krejt naiv dhe tё papёrmbajtshёm.

Djaloshit tё ndrojtur dhe heshtak i mjaftonte qё t’i shihte nё ecje dy vajza. As nuk afrohej, as nuk largohej. Aq pra, i mjaftonte. S’kёrkonte mё shumё. Edhe pse e dinte qё tё kёrkonte mё shumё ishte krejt e pamundur.

Tё dyja motrat jetonin aq larg nga jeta e tij. E madhja, e cila ishte edhe krijesa qё e ngacmonte, vishej gjithmonё me njё xhaketё blu tё errёt. Vite mё vonё, kur u rrit dhe pak a shumё e kuptoi ç’dramё e madhe i kish ndodhur, ai, kuptonte gjithashtu se kish qenё njё kohё e madhe dashurije. Aq e madhe, me aq ndjenja tё forta. Ndaj ai, po tё kishte mundur, do t’ia kёrkonte atё xhaketё blu, sё bashku me xhinsat, pёr t’i vendosur nё ndonjё muzeum tё dashurisё. Nuk kishte tё tillё.

I kishte dashur aq shumё ato veshjet e saj tё atёhershme sa ai i kishte vizatuar gjithkund. Nё copa letrash, nё fletore vizatimi. Deri edhe mbi muret e lagjes me shkumёs. Atё muze imagjinar, do ta quante: “Muzeu i pёrjetshёm i zemrёs”.

Tek shihte pikturёn u kujtua se e mbante atё rrobё thjeshtё nё muzeun e zemrёs. Ishte i sigurtё. Ai ishte krijesa e vetme qё ruante njё kujtim aq tё dashur pёr njё veshje tё thjeshtё dimёrore.

“Kur njeriu dashuron, ai dashuron gjithçka. Deri edhe rrobat me tё cilat vishet e dashura e tij. Kishte shkuar edhe mё larg. Ai i donte edhe miqtё e saj, rrugёt, vendet qё e pёrvёluara e zemrёs frekuentonte.  Gjithçka”!

Vajza vishej me xhinsat blu tё gjera, pak mё tё hapura se ngjyra e xhaketёs. Hidhte nё qafё njё shall tё kuq pambuku dhe ecte ngjeshur me tё motrёn. Tjetra ishte pak mё e shkurtёr. Ashtu si edhe e motra, ajo kishte nё vёshtrim tё njёjtёn ёmbёlsi vrastare e cila vezullonte qё larg.

Veç se e madhja dukej mё e fortё, mё karizmatike, mё leader. Kjo vihej re menjёherё sapo e shihje tek ecte apo tek fliste me shokёt e saj nё plazh.

Kur djaloshi i pasigurtё, krejt i emocionuar i ndiqte tek kalonin me nxitim, kishte raste kur e motra i hidhte njё vёshtrim tё ёmbёl dhe i buzёqeshte çuditshёm. Kishte nё vёshtrimin e saj kuriozitet, falenderim dhe mirёkuptim. Shenja, tё cilat ia ndiznin akoma edhe mё keq zemrёn, djalit tё mjerё, i cili tashmё ishte nё grackё. Ç’ishte ajo buzёqeshje ashtu?! Ndillte lumturi, a mjerim? Djaloshit misterioz, ajo buzёqeshje dukej sikur i thonte: E shikon? Ndoshta ti i intereson sadopak asaj. Je njё tip kurjoz, por ç’e do? Nuk njihemi dot. Dhe as mos prit qё hapin e parё ta bёjmё ne. Bota sheh. Bota gjykon. Bota kёtu tё pёrgojon. Ne jemi vajza tё 1989-ёs. Jo tё 2026-ёs.

Ishte pranverё e po atij viti. Ende nuk kishte ardhur koha e madhёrishme e dashurisё. Stuhia e saj s’kish filluar akoma. Ende nё shpirtin e djaloshit frynin erёra tё qeta ёndrrash, lotёsh tё fshehtё, ёndёrrimesh djaloshare.

Sa e bukur, sa e veçantё kish qenё pёr tё ajo stinё e madhёrishme! Nё pranverё, mendonte, jo vetёm gjithçka rilind, por gjithashtu ajo ёshtё edhe stina e dashurisё. Gjaku vlon, ditёt zgjaten, sytё digjen pёr dashuri, natyra mbushet me lule, ngjyra, aroma, emocjone.

Djaloshi me atё mendjen e tij prej adoleshenti ende tё palexuar mendonte se qeniet njerёzore nuk ishin gjё tjetёr veç se botё, tё cilat pёrjetonin gjithçka thjeshtё falё ndёrgjegjeve tё tyre. Brenda botёve tё tyre imagjinare njerёzit krijonin, perceptonin, gjykonin. Aty pra ndodhte gjithçka. Djaloshi mendonte se njeriu brenda vetes mbante gjithashtu edhe metrin me tё cilin ai maste lumturinё e tij.

Sipas kёtij arsyetimi, njeriu mund tё ishte i lumtur veç falё botёs sё tij tё brendёshme. Ai mund tё ishte fare i varfёr me tё mira materiale, por i pasur brenda. “Fёmija ёshtё i lumtur kur loz me shokё, jo kur i ble gjёra tё shtrenjta por s’ka shokё”, mendonte.

Lumturia e tij atё pranverё lidhej me tё. Po ta shihte, prania e saj e bёnte tё lumtur.  

Pёr ta parё zinte vend gjithmonё cepave tё rrugёs, nё njё kёnd udhёkryqi, ose ulej tek stolat e parkut. Tashmё i njihte oraret e saj. Rrinte aty fare i heshtur, me njё durim tё pashoq, si njeriu i cili shkon nё kinema pёr tё parё njё film pa zё i cili ka sukses tё madh.

I studionte tё gjitha pikat kyçe nga ku ajo do tё kalonte me tё motrёn pёr tё rendur drejt kursit tё anglishtes. Nuk i mjaftonte qё ta shihte, mё e rёndёsishme pёr tё, ishte gjithashtu qё edhe ajo ta pikaste. Ta shihte nё ecje, ndёrsa ai e pёrpinte me sy. Kohё kishte sa tё duash. Sapo kishte mbaruar shkollёn e mesme ndaj nё pritje, tek thurte plane mbi tё ardhmen e tij, kishte rёnё krejt pafajsisht, nё dashuri.

Djaloshi ishte i brishtё, i drojtur, krejt i pasigurtё. Por nё mendjen e tij ku ngjanin histori nga mё fantastiket, figura e asaj vajze ishte bёrё aq e madhe, aq e paarritshme, sa ai nisi t’i ngjeshё asaj ca veti tё pavёrteta hyjnore dhe nisi ta shohё me sytё e madhёrishme tё Hyjneshёs. Gjatё javёs, me qetёsi kryente xhiro inspektimi krejt i paturbulluar. Studionte vendet nga ku mund tё ngulej pёr ta vёshtruar nё ecje. Si njerёzit e thjeshtё tё cilёt qё herёt zejnё vendet kryesore pёr tё kundruar mbretёreshёn nё kalim, edhe ai, me sytё zhbirues studjonte vendet me kujdes. Pёr atё, qё ajo ta shihte, ishte njёlloj si ti thoshte nga larg, tё dua. Kjo e ngushёllonte.

Ishte njё gjueti pa shpesё, pa tё ardhme, krejt e pamundur pёr shumё arsye, por ai nuk dinte si tё sillej ndryshe. E tёrё qenia e tij i thonte ndiqe, duku, shfaqu, dhe ai ashtu bёnte. E bёnte nё mёnyrё instiktive, nuk e bluante mendjen nga ana racionale. Nuk donte t’i kuptonte arsyet e sjelljes sё tij.

Ndaj, herё mbёshtetej pas njё porte, herё tek njё pemё, herё ulej tek stolat e kopshtit pranveror pranё Komitetit.

Kush ishte ky djalё misterioz? Si e kishte emrin? Ç’bёnte ashtu? Pse veç shihte, pastaj me sytё e tij donte tё fliste mё shumё se njё libёr 1000 faqёsh, por nga turpi nuk thonte asgjё? Ç’donte ashtu? Pse s’kishte guximin tё afrohej?

Kur zemra i buçiste fort, rrinte mё larg. Mbёshtetej tek shatёrvani prej guri dhe e shihte tek ajo, njё trup me tё motrёn, e parakalonte nё distancё.

A e kujtonte shatёrvanin? E kush nuk e kujtonte atё shatёrvan me granit tё kuq?! Ai objekt nё mes tё lulishtes sё Komitetit bёnte pjesё tek kujtesa kolektive e qytetit. Otangolare, me vaskёn nё mes dhe shkallaret nё mermer, ai shatёrvan po mbushte gati njё shekull. Buzё atij shatёrvani, njerёzia kishte fotografi bardhё e zi, tё shkrepura nga tё paktit fotografё privatё qё punonin nё qytet.  

Ndёrsa shihte ende pikturёn, njё mall pёrzier me pёrdёllim po e kaplonte krejt. Ngjante ky mall djegёs me njё oboe melankolik i cili tringёllonte fare lehtё. Dukej sikur zbriste nga qielli. Nё njё mbasdite tё qetё fund gushti, me rrugёt krejt tё zbrazura nga plogёshtia e vapёs, afshin e rrugёve dhe zukamёn e gjinkallave. Kёnga e kumuriave i shёmbёllente njё nostalgjie gati tё sёmurё.

Tani, djaloshi ndjente njё pёrndritje, njё rrespekt tё thellё pёr atё kohё tё madhe tё dashurisё.

Ishte ajo njё ndjenjё madhёshtore e cila e bёnte njeriun tё provonte tё gjitha drithёrimat mё tё thella tё shpirtit. Tё ndjehej i gjallё. T’i jepte kuptim jetёs sё tij. Si tё ishte karburant shpirtёrorё; qёllimi i vetёm i universit, yshtja, afshi i saj. A ndoshta edhe iluzioni mё absurd, mё mospёrfillёs, mё ironik i saj.  

Vite mё vonё, jashtё shtetit, djaloshi do tё kalonte shumё aventura tё tjera, por ja qё edhe pse kishte flirtuar me vajza shumё tё bukura, ai s’kishte ndjerё kurrё mё njё dashuri tё tillё kaq tё fortё.

Kjo ngjarje kish qenё vёrtetё njё pёrqёndrim shpirti, trupi dhe mendimesh, njё shkulm emocionesh, njё vrundull pasjonesh, fantazish 28 mujore, tё cilat nuk e kishte lёnё as tё merrte frymё. Gjithkund ku shkonte, gjithçka qё mendonte, çfarё fliste dhe çfarё shijonte, nuk e ndante dot nga prezenca e pandashme e qenjes sё saj hyjnore.

Flitej pёr njё obsesion. Ai ndihej i sёmurё nё mendje me shijet e saj, me imazhin e saj, me sytё e saj, me tingujt e saj. Nuk kishte qytet pa tё, po ashtu nuk kishte as diell pa tё. Nuk kishte bulevard pa tё, as edhe shije frutash, as aroma lulesh. Nuk kishte mёngjes pa tё, po ashtu edhe nuk kishte muzg pa praninё e heshtur dhe fuqiplote tё saj.

Gjёja mё absurde ishte se ai as nuk e njihte fare.

Nuk kishte folur kurrё me tё.

Veç se kish krijuar njё jetё paralele me figurёn e saj madhёshtore. Mendimi pёr tё, i cili e ndiqte gjithkund si tё ishte njё qen rrugёsh, ia pёrpinte krejt fuqitё.

Ai atё donte. Tё shkrumbohej nё lotё dhe dashuri. Tё digjej krejt duke e ёndёrruar, duke e prekur me afsh, duke e puthur nё vetminё e tij tё ftohtё, ndёrsa rrinte pёrmbys mbi shtrat. Nё kёtё vuajtje tё errёt, tё turbullt, ai ndihej poet, dashnor, kёngёtar i jetёs, i botёs.

Kish qenё ajo, njё moshё e mitur, krejt e pafajshme kur pamundёsia pёr ta patur e kish tejkaluar masёn e saj. Masёn e njё dashurie tё mundshme.

Vite mё vonё e kishte ndjerё dashurinё e vёrtetё. Kishte qenё njё kanadeze e cila ia kishte dhuruar lumturinё me shkulme. Lumturinё e mohuar nga kjo leshverdha. Por ja qё nё fund tё fundit, dashuritё e para, mbeteshin pёr gjithmonё si vrraga nё trup dhe shpirt. Shenja tё pashlyeshme.

Pjesa mё e madhe e aventurave, tё cilat i kishte provuar mё vonё, kishin qenё thjeshtё çёshtje mishi, ku njeriu kёnaq veç epshet e tij, por ato nuk kishin arritur kurrё mё t’i preknin shpirtin aq thellё.

Çdo vajzё i kishte falur njё lumturi tё ndryshme. Kjo ndjenjё tё cilёn po e rikujtonte tani, kish patur njё shije zhgёnjimi tё thellё. Por ajo, kishte qenё gjithashtu edhe ndjesia mё e thellё, tronditёse qё provon njё burrё.

Ajo ecte gjithmonё shpejt. Me hapin e bindur sikur tё donte tё ruante sa mё mirё gravitetin. Kur hidhte hapat, shihte gjithmonё drejtё kurrё nuk e kthente kokёn nga ai.

Flokёt e artё i derdheshin bukur mbi supe. Nga ecja krenare si prej dreri, ato i lёkundeshin lehtё. Sa herё qё ato kryqёzoheshin nё ecje, ai i shihte sytё e zinj, teje tё ёmbёl. I shihte faqet e lёmesta, tё bardha, shpatullat e larta, tё hijshme. Gjoksi i saj e dehte krejt. Kishte aty ёndёrr dhe mjerim. Ta pёrkёdhelte, puthte atё gjoks!

I dukej tё gjorit djalosh tё dashuruar vёrtetё si tё shihte njё engjёll veshur me xhaketё dhe xhinsa. Njё nga ato engjёjt qё vite mё vonё do ti haste nёpёr librat e shenjtё. Kur ato vizituan shtёpinё e Lot-it.

Ishte ajo vashё pёr botёn e tij tё atёhershme, vegimi i vetёm nё njё jetё krejt gri. Njё jetё nё burg, ku mjerimit shpirtёror i shtohej edhe mjerimi material.

Vёrtetё kohё e krisur izolimi dhe injorance.

Prania e saj vajze nёpёr udhёt e qytetit ishte pёr tё, e vetmja dritё qё vegonte diku, ishte shpresё jete. Ajo i jepte ushqim ёndёrrёs sё tij. Njё ёndёrr lumturie tё mohuar.

Djaloshi i heshtur dhe enigmatik tashmё e kishte zbuluar kёtё ushqim. Njё ushqim aq i shijshёm pёr fantazinё e tij tё etur pёr dashuri.

Pёr pak kohё, ai pasion nga larg, i kishte hyrё aq thellё, e kishte mbushur aq shumё, sa ai nё vend qё t’i largohej, bёnte krejt tё kundёrtёn. Sa me zor priste qё ta shihte rishtaz edhe pse ajo as nuk ia varte fare.

Ç’nuk do tё kishte dhёnё qё tё depёrtonte diku nё botёn e saj tё atёhershme. Atё botёn e saj, ai e imagjinonte tё bukur dhe madhёshtore. Njё botё plot dritё, plot lumturi dhe fare hyjnore.

Bota e saj, pёr fantazinё e tij naive, krejt tё pushtuar nga figura e saj, ishte krejt hyjnore. Ishte parajsa e zbritur nё tokё. Aq e bukur, mbushur me dhurata i dukej atij. Sikur ajo tё kish zbritur vёrtetё nga qielli.

Sa e sa herё, nё vetminё e netёve dimёrore, tek nxiste dhe ushqehej me fantazitё pёr tё, ai kishte imagjinuar shtёpinё e saj nga brenda. Si mund tё ishte ajo e parё nga brenda? Njerёzit qё ajo takonte, kishin pёr tё njё kuptim krejt tё veçantё. Njё vlerё krejt tё paçmuar. Shtёpia e saj ishte streha ku banonte Hyjnesha.

Dhomёn, e cila binte mbi ballkonin e rrugёs, e kishte imagjinuar kushedi sa herё.

Me siguri aty ishte kuzhina dhe aneksi. Ishte ajo: zona e ёndёrrёs. Ishte ajo skena ku djaloshi ndёrtonte filmat e tij. Tek salla e pritjes gjendej biblioteka, kolltuqet, divanet, tv-nё. Mbi tavolinёn e mesit kish imagjinuar çentrot dhe mbulesat mbi divane, orёn e murit; gjithkund varur mbi mure pikturat e babait tё saj. Ato portrete dhe pejzazhe frymёzuar nga shkolla ruse me ngjyra tё errta dhe penelata mjeshtёrore.

Aty ai i afrohej. Ato flisnin, pastaj ai e pёrqafonte dhe e puthte fort duke e shtrёnguar. Ishte ky njё skenar i cili nuk ndryshonte kurrё. Veç se zhvillohej nё varjante pa fund, si artisti qё pёrsёrit tё njёjtin varjant tё suksesshёm.  

E shtuna vinte rishtaz. Ajo e shtunё mbasdite mendja e tё cilit punonte gjatё tё gjithё javёs.

Njё nga problemet e mёdha ishte si tё vishej. Donte tё vishej sa mё bukur. Do ta shihte ajo. E si mund ta shihte ajo, veshur jo bukur?!

Por rrobat e mira gjendeshin me zor. Nuk kishte rroba tё bukura nёpёr dyqanet e diktaturёs.

Ai dilte dhe rishtaz bulevardi i sё shtunёs mbasdite shndёrrohej nё teatrin e madh tё jetёs ku sapo do tё zhvillohej shfaqja mё e madhe e shekullit. Ajo do tё kalonte mbi atё bulevard pёr tё shkuar nё skajin tjetёr tё qytetit. Aty ku ajo ndiqte kursin e Anglishtes.

Sapo ajo dhe motra e saj shfaqeshin pёrgjatё rrugёs, ai i pikaste nga larg. Vajzat nxitonin gjithmonё.

Dielli rrinte pёrjetshёm pezull mbi dhé. Drita fekste mbi qelqe, vetrina, syprina muresh. Nё ato çaste, gjithçka bёhej muzikё hyjnore. “Ti po vjen pёr sё largu magji-plotё e dal-ngadalё“, kёndonte njё poet i madh. 

Nuk e di por shpirtin pёrherё ma pushtove

Mё bёre qё zemra tё mё dridhej thellёsisht,

nuk e dija qё sytё e tu tё ishin aq tё magjishёm

dhe fjalёve tё mia ti humbte çdo kuptim.

Vargjet e para.

Kishte frikё. Po, kishte shumё frikё. Edhe pse tek ajo shkollё ku vajzat futeshin ai kishte hyrё me mijra herё,  – ai kish studiuar aty, – prap ai kishte frikё.

 Ai vend aq i dashur pёr djaloshin, ku ai ndihej si nё shtёpinё e vet, tё shtunave mbas orёs katёr, e humbte sigurinё e tij.  Aty kish filluar tё kishte frikё. Frika, droja dhe pasiguria e kaplonte krejt, sidomos kur ngjiste shkallёt.

Ajo gjendej brenda asaj godine. Diku, duke ndjekur kursin e anglishtes. Dhe ai ndjehej hajduti qё donte t’i vidhte hyjnive, njё çast lumturie. Njё çast ngazёllimi.

Tani zemra i rrihte si e tёrbuar. Gjunjёt i priteshin, zbehej krejt. Dridhej si fёmija nё terr. Aty, tek salla e matematikёs, ku jepej kursi i anglishtes, tani ajo ishte ulur diku me tё motrёn. Rrinte ulur mbi njё nga ato bankat ku ai muaj mё parё, ishte ulur kushedi sa herё. Tani rrinte ulur ajo, madhёshtorja, hyjnorja plot dritё.

Motrat, rrinin ulur me tё tjerёt. Kishte nё kurs nxёnёs tё çdo moshe. Aty, ku ai dёshironte tё ishte mё shumё se gjithkund, tani ai nuk mund tё futej dot. Aty, i ishte e ndaluar tё vinte kёmbёn.

E dinte se po tё regjistrohej edhe ai tek kursi do tё bllokohej krejt. Do tё skuqej nga emocioni. Turpi do ta mbёshtillte krejt. Zemra do ti rrihte fort. Do tё turbullohej, do tё mekej nga tmerri i dashurisё. Kur profesori ta pyeste pёr foljet anglisht ai do ta kyçte gojёn. Tё gjithё do tё qeshnin fort. Do tё talleshin nёn zё.

Sapo e shihte, sapo ndjente praninё e saj rreth e rrotull, djajtё e dashurisё do tё zgjoheshin brenda tij. Do t’ia pushtonin trupin, shpirtin duke e shkundur fort. Ç’ishte ajo ndjenjё e tmerrshme ashtu?! Ashtu ishte shkundur edhe Dantja kur shihte Biçen. Botiçeli kur shihte Simonetёn? Petrarka kur shihte Laurёn? Belini pёr Magdalenёn? Leopradi pёr Silvian?

Ç’ishte ajo plogёshti ashtu? Si prej tё vdekuri pёr sё gjalli?

Por ah se, tё ndjeje atё plogёshti dashurie, pёr tё ishte edhe lumnia mё e madhe. Gёzimi mё i pafundё qё kishte njohur ndonjёherё.

Ishte ajo ndjenjё gjithashtu edhe ngazёllimi mё i madh. Tё ёndёrroje mbi figurёn e saj ishte sikur dikush t’i dhuronte krejt botёn. Tё vinte drejtё tij me hapa tё matur, t’i thoshte: “Ja, kjo ёshtё bota. Kjo lumnia. Ky ёshtё çelёsi qё hap derёn e Parajsёs”!

Ç’Parajsё kёrkonte? Nuk e dinte! Njeriu lind tё dashurojё, kjo ёshtё e natyrshme. Ai ka nevojё pёr tё siç ka nevoja pёr ujё, bukё, strehё. Dikush e gjen atё. Dikush jo. Ka tё tjerё qё bёjnё edhe pa tё. Ende tё tjerё, tё cilёt mendojnё se e kanё gjetur. Njё jetё pa dashuri, ishte pёr tё njё jetё e shkuar kot. Njё konsumim i pёrgjysmuar i qёllimit tё jetёs. Sa e trishtё duhej tё ishte tё shtegtoje mbi kёtё dhé dhe tё mos e ndjeje asnjёherё emocionin madhёshtore tё dashurisё, rrahjet e tёrbuara tё zemrёs.  

Kishin kaluar shumё vite. Ajo tani jetonte nё njё qytet tё madh. Aty ku kombet mblidheshin kokё mё kokё.

Ishte me siguri tjetёr njeri. Kishte ajo, tjetёr botё, tjetёr shpirt, tjetёr lёkurё. Me siguri e kujtonte. Njeriu zakonisht kujton ato ndodhi qё e godasin mё shumё. Kujton emocjonet mё tё forta. Pjesёn tjetёr ai e flak tej nё bodrumet e kujtesёs.

Pёr tё kish qenё ndryshe. Sa mё shumё kalonte koha, netёve nё vjeshtё ai, para se tё flinte e kujtonte fill. Malli dhe nostalgjia e kaplonin krejt.

Vazhdonte tё shihte pikturёn nё vaj. Ja kёshtu mund tё ngrihej nё mit nga asgjёja. Njё pikturё e thjeshtё e dikujt, pёr njё arsye speciale, atij mund t’i dukej mё bukur se njё Mone o Van Gogh. Mund t’i dukej sikur mbi tё tё kishin kaluar penelatat e Rembrandit a Gojёs. Ja kёshtu njё pejzazh mund tё shndёrrohej nё mit.