Albspirit

Media/News/Publishing

Spitali Amerikan hedh në gjyq gazetarët që publikuan ankesat e pacientëve të dializës

Kompania që fitoi tenderin e shumëdebatuar të shërbimit të dializës thotë se publikimi i ankesave të pacientëve për cilësinë e ushqimit dhe të kushteve higjenike përbëjnë cënim imazhi për të dhe kërkon 1 milionë lekë dëmshpërblim.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë

"Print screen" i faqes online të gazet♪7s Shëndet Plus

Gjykata e Tiranës nisi sot shqyrtimin e një padie civile të ngritur nga kompania American Hospital sh.a ndaj gazetës Shëndet Plus ku spitali, i cili ka fituar tenderin për shërbimin e Dializës, thotë se publikimi i ankesave të pacientëve të këtij shërbimi nga ana e gazetës përbën dëm jopasuror në imazh për këtë kompani.

Gazeta Shëndet Plus publikoi prillin e kaluar një shkrim në të cilin, shtatë pacientë ankohen për cilësinë e keqe të ushqimit të ofruar në mjediset e shërbimit të dializës si dhe për kushtet higjenosanitare, të cilat, pacientët i konsiderojnë të pakënaqshme. Pacientët thonë gjithashtu se detyrohen të marrin çarçafë nga shtëpia.

Spitali Amerikan në aktpadinë ndaj gazetës thotë se akuzat janë të pabaza dhe se shërbimi i ushqimit të ofruar për pacientët e dializës, nuk është detyrim kontraktual për të, por një lloj bamirësie që e bën vetë spitali.

“Mungesa e shërbimit të Lavanderisë dhe ushqimit, i cili është edhe informacioni kryesor i përhapur prej të paditurit dhe për të cilin akuzohet publikisht paditësi, nuk parashikohet në kontratë,: shkruhet në padinë e Spitalit Amerikan.

“Të njëjtat kushte vlejnë edhe për ushqimin, shërbim ky i cili nuk parashikohet në Kontratë si deturim i Spitalit. Ky shërbim, ofrohet ekstra e falas nga Spitali, megjithëse nga pikëpamja mjekësore pacientët nuk duhet të konsumojnë ushqim gjatë seancës.”

Në seancën e parë të përballjes gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës më 27 qershor, gjykata pyeti Spitalin Amerikan nëse e kishin sjellë kontratën për koncesionin e dializës dhe avokatët e spitalit thanë se nuk e kishin sjellë. Përfaqësuesit e kompanisë American Hospital sh.a deklaruan gjithashtu se kishin marrë dëshmi me shkrim nga pacientët të cilët qenë ankuar te gazetarët, për të hedhur poshtë pretendimet e pacientëve.

Eglantina Bardhi, drejtoreshë e Shoqatës “Together for Life” dhe e gazetës “Shëndet Plus” deklaroi para gjykatës se gazeta i qëndron shkrimit të publikuar më 26 prill dhe se disponon prova për të vërtetuar dëshmitë e pacientëve që u ankuan. Ajo theksoi gjithashtu se Spitalit Amerikan i qe dhënë e drejta për t’iu përgjigjur shqetësimeve të pacientëve para publikimit të shkrimit por nuk i qe përgjigjur kërkesave me shkrim për komente.

American Hospital është një kompani aksionere që ofron shërbime mjekësore e themeluar në vitin 2006 me aksioner të vetëm kompaninë Balkan Alliance Healthcare B.V. Kjo e dyta është e regjistruar në Hollandë.

Gazeta Shëndet Plus është një gazetë e fokusuar te çështjet e shëndetit publik.

Please follow and like us: